Prokuroria e Fierit ka sekuestruar disa automjete tip karro-atrec të kompanisë “International Parking 2011”, drejtuesit e të cilës, edhe pse janë në proces gjyqësor, të akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit” për faktin se kanë abuzuar me gjobat për një numër të lartë qytetarësh për parkim të gabuar sipas pretendimit te përfaqësuesve të kompanisë, sërish vijojnë aktivitetin e paligjshëm, duke u marrë automjetet personave të ndryshëm, të cilët parkojnë në rrugët kryesore të qytetit.
Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin për këtë rast, pasi shumë qytetarë nga Fierit, por edhe nga qytete të tjera, kanë kallëzuar se, përfaqësuesit e kompanisë private të kontraktuar nga Bashkia Fier, abuzojnë hatpaz me detyrën e tyre dhe u dërgojnë makinat e tyre në pikën e grumbullimit të firmës, pavarësisht faktit se qytetarët kanë ndaluar vetëm për pak minuta. Për më tepër, duke u sjellë në mënyrë arrogante, sipas kallëzuesve, janë të detyruar të paguajnë shuma nga 10-13 mijë lekë të reja për të rimarrë mjetin e tyre.
Për këto fakte, aktualisht janë në gjykim 8 persona, 6 prej të cilëve drejtues dhe punonjës të kompanisë private dhe dy zyrtarë të bashkisë Fier, përgjegjës për zbatimin e kontratës ndërmjet Bashkisë dhe kompanisë.
Gjithësesi, pavarësisht se kjo çështje është në gjykim për shkak të abuzimit të kompanisë, sërish kjo shoqëri private vijon me paligjshmërinë në të njëjtën mënyrë si më parë. Nga hetimi ka rezultuar se babai i administratorit të kompanisë, shtetasi F. Kajolli, vijon të urdhërojë punonjësit e tij që të arkëtojnë minimumi nga 30-50 mijë lekë të reja në ditë dhe për të realizuar këtë kuotë të gjejnë ata mënyrat e nevojshme.
Në këtë mënyrë, punonjësit e kompanisë, të detyruar për të realizuar këtë kuotë ditore, por edhe më shumë se sa aq, vijojnë abuzimin, duke u marrë mjetet qytetarëve me karroatrez dhe duke u kërkuar shuma të ndryshme për të mundësuar rikthimin e mjetit.
Në këto kushte, Prokuroria e Fierit urdhëroi sekuestrimin e mjeteve me të cilat kompania operon kundër qytetarëve, pasi mori miratimin edhe të Gjykatës.