Në sfondin e një debati të gjerë për reformën në drejtësi dhe ndëshkimin e të korruptuarve, Policia e Fierit arrestoi një prokuror të këtij rrethi i cili akuzohet për “korrupsion pasiv”.
Me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, blutë e Fierit prangosën prokurorin Petrit Vukaj, i cili ishte vënë nën hetim prej disa muajsh.
Referuar dosjes hetimore, ky shtetas kishte marrë rryshfet nga një person i cili ishte nën hetim për veprën “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”. Vukaj, kishte marrë një sasi prej 300 mijë lekësh nga i pandehuri, në këmbim të lirisë.
Referuar, dosjes hetimore, prokurori kishte kërkuar në pretencë për këtë çështje që e kishte vetë në dorëzim, dënim me 2 vite për të pandehurin Elton Xhemali, dhe pezullim të dënimit e kalimin e tij në shërbim prove.
Gjithsesi kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata që vendosi dënim me 18 muaj burg për Xhemalin, shkaktar i aksidentit ku humbi jetën Shefi i Rendit të Delvinës, Përparim Bizhga. Më herët gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për këtë çështje edhe shtetasit Elton Xhemali, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari të cilët i kanë dhënë rryshfet prokurorit Vukaj.
Ja njoftimi i Prokurorisë
Njoftim për median
Arrestohet prokurori i Prokurorisë së Fierit, Petrit Vukaj, për “korrupsion pasiv…”
Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë lejen e gjykatës për të urdhëruar arrestimin e shtetasit Petrit Vukaj, me funksion “Prokuror” pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Korrupsioni pasiv….i prokurorit…”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, mëngjesin e së Premtes (dt. 27.11.2015).
Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasi Petrit Vukaj, në përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënim e shtetasit Elton Xhemali, i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015 në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.
Në bazë të veprimeve hetimore është konstatuar se shtetasi Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën që i atribuohet.
Për të arritur qëllimin e tyre, shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili, në bazë të veprimeve të tij proceduriale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.
Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.
Ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. I pandehuri Elton i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.
Shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij.
Në vijim të hetimit, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, fillimisht është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Elton Xhemali, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit….”, vendime të cilat janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit në datë 07.11.2015.
Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, në datë 26.11.2015, gjykata vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për prokurorin Petrit Vukaj, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit….”.
Albi SERANI
KËSHILLTAR PËR MEDIAN









