Organi i akuzës ka zbardhur detaje të reja nga hetimi i grabitjes së kambistit Artur Cepele tre ditë më parë në Fier, të cilit i morën 81 milionë Lekë të vjetra.
Pas hetimeve të kryeja janë ndalur si të dyshuar kryesorë për grabitjen shtetasit Ditëro Lajthia dhe Kreshnik Berisha.
Ndërkohë që në polici janë shoqëruar edhe personat që kanë qenë të pranishëm në momentin që ka ndodhur ngjarja. Ata janë pyetur në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethanat e veprës penale.
Kreshnik Berisha ka dalë nga burgu në dhjetor të vitit 2014 nga burgu i Vaqarrit.
Ai fitoi lirinë me kusht, për pjesën e mbetur të dënimit me 17 vjet si anëtar i Bandës së Niklës, ku akuzohej kryesisht për grabitje me armë dhe gjobvënie.
Në vitin 2009, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda kishte konfirmuar për të një dënim prej 17 vitesh burg për grabitje me armë të kryera në Tiranë.
Në korrik të vitit të kaluar, gjykata e Tiranës, i kishte ulur 90 ditë nga dënimi që i kishte mbetur për t’u kryer.
Me arrestimin e tij këtë mëngjes, Berisha do duhet të kryejë pjesën e mbetur të dënimit për të cilin fitoi lirinë me kusht, si dhe dënimin tjetër që do të marrë nga Gjykata për grabitjen e fundit të tij.
Banda ishte e përbërë nga 7 anëtarë, të gjithë të arrestuar dhe të dënuar në total me 87 vjet, ku drejtues i tyre ishte Flamur Haka nga Nikla.
Anëtarët e bandës akuzohen për vjedhje me armë, pengmarrje, armëmbajtje pa leje, grabitje me armë dhe gjobvënie.
Janë të paktën 11 ngjarje kriminale përgjatë viteve 2005- 2006, të cilat u atribuohen shtatë anëtarëve të bandës, ku më e rënda nga të gjitha është ajo e vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë e djalit të biznesmenit të njohur në zonë, Abaz Ullirit.
Kreshnik Berisha ka qenë bashkëpunëtor në kryerjen e grabitjeve me Flamur Hakën dhe Petrit Lleshin.
Që të tre të pandehurit njiheshin si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore në zonën e Niklës.