Dhjetëra fermerë të serave në bashkitë Dimal dhe Roskovec protestuan mesditën e së enjtes në qendër të fshatit Samaticë për çmimet e ulëta të grumbullimit.
“Pikat e grumbullimit e marrin prodhimin pa fatura dhe nuk deklarojnë çmimin. Na tregojnë një ditë pasi kanë marrë prodhimin. Po na dëmtojnë shumë se bëhen bashkë e fiksojnë çmimin e ulët. Këtu ishte ministri i Bujqësisë para disa ditësh dhe ia shprehëm si shqetësim por asgjë s’ka bërë për t’i dhënë zgjidhje”, thanë ata.
Sipas tyre, grumbulluesit ua marrin prodhimin me çmime nën kosto, kryesisht kastravecin, i cili aktualisht po tregtohet me rreth 60-70 lekë/kg, një nivel që fermerët thonë se është në rënie të vazhdueshme.
“Unë kam vjelë prodhimin në mëngjes e çova tek grumbulluesi dhe çmimi ishte me X. Në darkë më thanë se do ta japim çmimin nesër. Kjo gjë nuk është normale se ne po dalim me humbje. Ata e faturojnë si të duan. Ne jemi të pambrojtur! Kemi bërë shumë shpenzime dhe jemi prekur dhe nga përmbytjet”, thanë me tej.











