Nga Laura Musa/
Femrat janë si macet, por a dini të kujdeseni për macet e vërteta? Ky titull i gjatë duket pak i çuditshëm, madje dhe pak jo normal. Por nëse do të donit të gjenit një krahasim të goditur për macet, këtë mysafire lajkatare të shtëpive tona, nuk mund të shkoni dot përtej krijesës më të mrekullueshme që ka “shpikur” natyra, femrës. Dhe për më tepër, në këtë rast, krahasimi është dhe i vërtetë.
Macja shtëpiake, të cilës i dhurojmë shumë përkëdhelje dhe na dhuron shumë përkëdhelje, ka nevojë për përkujdesje të posaçme, që jo kushdo mund t’i bëjë dhe di t’i bëjë. Nuk është fjala vetëm për kujdesin minimal, ujë e ushqim, por për kontrollet shëndetësore, vaksinimi, përkushtimi dhe dashuria e dhënë që kthehet me një monedhe të vetme: po me dashuri.
Macja është lozonjare, është kurioze dhe kureshtare pafund. Eshtë gjithmonë në eksplorim të ambientit ku jeton apo ku e nxjerrin shëtitje. Ajo është e pavarur dhe kur hyn në një shtëpi si kotele e vogël, ajo ka nevojë të nisë të marrë leksionet e para. Duhet të njohë vendin ku do të ushqehet, këndin e saj të ndenjes, pavarësisht se ajo do të vijë rrotull në të gjithë shtëpinë dhe vendin ku do të kryejë nevojat e saj personale.
Vendimi për të bashkëjetuar me një mace në apartament është pak i komplikuar. Në fillim duhet të jemi të sigurt nëse jemi të gatshëm të kujdesemi për të dhe të sakrifikojmë për të. Por dhe duhet të bëjmë kontrollin nëse kemi alergji nga macet dhe nëse jemi në gjendje të përballojmë koston e rritjes së saj që nuk është e vogël. Fillimisht është mirë që maces t’i instalojmë një mikroçip në trup në mënyrë që të gjejmë në çdo moment ku ndodhet ose dhe më thjesht, t’i vendosim një qafore me numrin tonë të telefonit në rast se humbet apo largohet nga shtëpia.
Lojërat
Në Shqipëri macja është një kafshë shumë e njohur, të cilën e shohim në gjendje të egër edhe nëpër rrugët e qyteteve, por në Perëndim, prania e saj në rrugë në gjendje natyrore, do të shkaktonte po atë habi që do të shkaktonte një elefant duke vrapuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Të gjithë e dinë që macja ka shumë dëshirë për të luajtur. Sjellja e saj në ato momente është e ngjashme me mënyrën e saj të gjuestisë dhe i mëson ato të ndjekin instiktin: si të kapin dhe të vrasin gjahun e tyre. i ndihmon të praktikojnë aftësitë e tyre të të luftuarit dhe i ndihmon të reduktojnë frikën ndaj kafshëve të tjera.
Lodrat e preferuara janë objekte që ngjajnë me prenë e saj, për shembull objekte që lëvizin shpejt, por mjafton pak kohë dhe macja e humb interesin për to. Një ide e mirë është që me anë të lazerit ta udhëheqim atë. Kujdes: ndryshe nga sa mund të mendohet, studime serioze kanë përcaktuar se drita e lazerit nuk ka asnjë ndikim negativ tek macja. Lojërat forcojnë macen qoftë nga ana fizike, qoftë nga ana psikologjike.
Veterineri
Kontrollet tek veterineri duhet të jenë periodike dhe duhet t’i tregojmë atij për zakonet e saj. Ai do të na shpjegojë skemën e vaksinimit e cila parandalon, por nuk kuron sëmundjet. Duhet të jemi të qartë për parazitët që mund ta sulmojnë dhe trajtimin e tyre. duhet të jemi të kujdesshëm sepse ekziston mundësia e sëmundjeve zoonotike që prekin edhe njeriun.
Sterilizimi apo kastrimi i maceve është një praktikë e rëndësishme sepse redukton në minimum problemet që lidhen me sjelljen në kohën e riprodhimit. Gjatë afshit të tyre, macet mund të bëhen tërësisht të papërmbajtura dhe mund të shkaktojnë pakënaqësi tek të zotët.
Kujdesi dntar dhe larja e dhëmbëve është një procedurë që nuk duhet tejkaluar ku7rrë. Ka pasta dhëmbësh apostafat për macet. Mos përdorni me to pastën tuaj të dhëmbëve sepse fluori është toksik për macet.
Shumë sëmundje të saj lidhen me dhëmbët. Bakteret apo pllakëzat e tyre çojnë në sëmundje të zemrës, veshkave, ngrënie të keqe dhe humbje të dhëmbit.
Ushqyerja
Ushqimi i maces është një art më vetë. Ato duhet të ushqehen sipas niveleve të ndryshme të përcaktuara nga mosha, pesha dhe aktiviteti i tyre ditor. Kanë nevojë për çdo makro dhe mikro element për formimin e tyre, për yndyrnnat, karbohidratet, vitaminat, kripërat minerale. Nuk këshillohet një lloj i vetëm ushqimi dhe mënyra më e mirë është aletrnimi dhe një dietë e balancuar. Mund të ushqehen dy deri në tre herë në ditë. Macet janë mishngrënëse prandaj aminoacidet si komponent i proteinave, janë mjaft të rëndësishme, në të kundërt, prisni të përballeni me probleme shëndetësore të kafshës suaj.
Eshtë e gabuar bindja se për macen është i mirë çdo ushqim që përdorim edhe vetë. Mund të jenë toksike për macen çfarë ne na shijon më shumë.
Për të vazhduar krahasimin e bërë në fillim të këtij shkrimi, mund të thuhet se macja është dhe vetë e pastër si një femër dhe kujdeset për veten si një femër sqimatare. Por dhe ne duhet t’i sigurojmë asaj “SPA”-në vetjake. Domethënë, në fillim i bëjmë një prerje thonjsh deri në opikën ku nuk i shkaktojmë dëmtim apo gjakderdhje. Hapi i dytë është krehja e maces për të hequr çdo nyjë nga gëzofi i saj, të cilat mund të jenë shumë të dhembshme për të. Zgjedhja e shampos është shumë e rëndësishme sepse përdorimi i pasaktë i saj apo shampoja e papërshtatshme mund t’i thajë e irritojë lëkurën dhe mund të jetë dhe toksik për të. Në çdo rast duhet ta shmangim shampon nga veshët dhe sytë e maces duke i izoluar ato me pak pambuk.
Këshillat për mirërritjen e një maceje në shtëpi janë të pafundme. Ato shpejt dinë të bëhen si pjestare familjeje. Dhe si femrat ato janë xheloze për dashurinë dhe vëmendjen që kërkojnë të marrin. Kur nuk jua dhuroni, të jeni të sigurt se ato dinë të “luftojnë” për to. Në rastin më të mirë duke u përkëdhelur. Dhe kjo është një armë që pakkush di t’i rezistojë. Ju do ta bënit?










