Felipe Melo, idhulli i ri i zikaltërve
Interi i ri ka një fytyrë të re. Atë të Felipe Melos, i cili i ka dhuruar zikaltërve fitoren e pestë radhazi në kampionat dje në mbrëmje kundër Veronës në “San Siro”. Një luftëtar i vërtetë që mund të ndihmojë milanezët të kthehen te suksesi në Serinë A. Për momentin mjafton goli kundër Veronës për të mbajtur skuadrën atje lart, ku ëndrrat duken më të prekshme, raporton Telesport.
Mund të thuhet pa probleme se Felipe Melo është idhulli i ri i zikaltërve. Paraqitja e mirë në derbi, kurrë nën mesatare në këtë fillim kampionatit, karakteri i fortë dhe mbrëmjen e djeshme ka qenë ai që ka çarë mbrojtjen e Veronës. Braziliani përfaqëson shumë gjëra te skuadra e Mancinit: është mishërimi i soliditetit, shpirtit të luftëtarit, është shembulli i shokëve të skuadrës për të mos u dorëzuar kurrë. Është një siguri për këtë Inter të ri.
Për sa i takon golave, Felipe Melo, nuk ka shënuar kurrë shumë. Goditja me kokë e mbrëmjes së djeshme është dukur si një meteor që ka rënë papritur në “Meazza”. Një goditje e thatë, e ashpër dhe e vendosur. Ashtu si ai. Në momentin më të vështirë të skuadrës, një minutë pas traversës së Sala, Melo ka kuptuar se kishte ardhur momenti për të rritur dozën e personalitetit, që atij nuk i mungon aspak. Në ditët e fundit të merkatos zikaltrit kanë gjetur një thesar të vërtetë. Dhe kampionati i Serisë A ka një protagonist të ri.