Nga Skënder Minxhozi/
Fatos Tushe nuk është Sali Berisha. Kryetari i deritanishëm i bashkisë Lushnje ka shumë pak ngjashmëri në çdo drejtim me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin, përtej rrethanës së vetme që i bashkon në distancë: të dy kanë nga një llogari të hapur që lidhet me akuzat për korrupsion. Këto orë intuita popullore që reagon ndaj lajmeve që vijnë nga Myzeqeja, i ka vendosur, për shkak të këtij detaji, menjëherë bashkë këto dy emra dhe për këtë bashkim në dukje mekanik e pa lidhje ka disa arsye thelbësore dhe logjike.
Mënyra sesi Edi Rama e la në mes të rrugës Fatos Tushen duke ja lënë në dorë SPAK fatin e tij, shënon jo vetëm kodin korrekt të liderit politik që i hap rrugë drejtësisë dhe hetimit, duke hequr mburojën dhe imunitetin politik e partiak, por edhe klishenë që me shumë gjasë do ta dëgjojmë edhe në të ardhmen, kur byzylykët e SPAK të vendosen në të tjera duar zyrtarësh socialistë.
Nuk mbrojmë të zgjedhurit, por zgjedhësit, tha kryeministri, duke vendosur vijën e kuqe përtej të cilës duket se nuk do të shkelë askush në PS. As ai vetë.
Kjo qasje ndryshon kryekëput me hedhjen “në grup” nga kati i dhjetë pa parashutë, që PD bëri pasi SHBA shpallën “non grata” Sali Berishën. Këtu qëndron edhe një tjetër ndryshim i madh mes rastit “Tushe” dhe atij “Berisha”.
Përgatitja për luftë e opozitës në shtator, për të mbrojtur emrin dhe nderin e “nëpërkëmbur” të ish-kryetarit të saj, dëmton jo vetëm imazhin dhe raportet që kjo forcë politike ka me amerikanët, por vendos edhe një standart negativ dhe me pasoja për të ardhmen e procesit të pastrimit të politikës nga të korruptuarit.
Dikush mund të thotë me të drejtë se është shumë e lehtë të hedhësh nga dritarja Fatos Tushen sesa Sali Berishën. Mëse e drejtë. Por nëse Tushe nuk i afrohet dot Berishës për nga emri dhe formati, edhe SPAK-u shqiptar ndryshon kryekëput me Departamentin Amerikan të Shtetit, akuzatorin e madh të Sali Berishës. Pa paragjykuar asnjë grimë të parin, duhet të njohim hijen e rëndë dhe peshën globale e reputacionin e të dytit. Çka duhet ta shtynte për më kujdes e vetëpërmbajtje në reagime PD-në zyrtare.
Teksa gjasat janë që të dëgjojmë të tjera lajme si ky i Lushnjes në ditët e ardhshme, PD duhet të reflektojë thellë e me shpejtësi për mënyrën sesi do të sillet kur në media të shfaqen emrat e zyrtarëve të saj.
Sepse si dje, në kohën e Berishës, kur anatemonte çdo vendim të drejtësisë që nuk i shkonte për shtat, ashtu edhe sot në presidecën Basha, PD po vazhdon të sillet në mënyrë selektive dhe paragjykuese ndaj çdo tentative apo akti që prek sinoret e saj partiake. Rastet “Tushe” dhe “Berisha”, të ndryshme dhe të largëta mes tyre në shumë aspekte, janë gjithashtu të kundërta edhe në pozicionimin që partitë ku aderojnë dy emrat e mësipërm kanë adoptuar, ndaj vënies publike nën akuzë nga SPAK apo amerikanët.
Gjasat janë që në vjeshtë, kur iniciativat e Spak të shtohen dhe emrat të bëhen më të rëndësishëm e më të zhurmshëm, të shohim opozitën teksa bën një kuadrat qesharak rreth Berishës në sallën e Kuvendit, për ta mbrojtur atë nga akuzat e SHBA. Ky do të ishte gjesti jo vetëm më naiv dhe i gabuar politik, por edhe hapi më antihistorik në një moment kur nevojitet pastrimi i thellë i jetës tonë politike. E që siç dihet, fillon me parimin e peshkut që qelbet nga koka. Duke vënë veton për Berishën, opozita rrezikon të japë shembullin konkret se ashtu si dje, vazhdon ta trajtojë drejtësinë si një repart politik që kur mendon se e ka kundër, e gjuan me ç’ti vijë për dore…
me se e sakte. berisha eshte me i korruptuari, eshte monster me fytyre njeriu, vrases, kriminel, e cdo gje negative qe ekziston i pershtatet figures se tij !!