Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka bërë një bilanc të atyre që ndodhën në Shqipëri gjatë vitit që po lëmë pas, në rrafshin politik dhe jovetëm. Gjatë një interviste të gjatë për gazetën “SOT” dhe të mbushur me shumë detaje interesante, të cilët vijnë në mënyrë ekskluzive për lexuesin e gazetës, zoti Klosi ka renditur arsyet se përse presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë bashkë prej 20 vitesh. Në këtë kontekst, ish-kreu i SHISH u shpreh se Meta dhe Berisha nuk kanë qenë asnjëherë armiq me njëri-tjetrin. Ndërkohë sa i takon se kush do të fitojë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit tjetër, zoti Klosi u shpreh se gjasat më të mëdha për të fituar i ka Partia Socialiste dhe jo opozita e bashkuar e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas tij, partia e Kryemadhit është një parti interesash që shkon nga fryn era, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që kryedemokrati Lulzim Basha të pensionojë politikisht ish-kryeministrin Berisha.
Komenti im si fillim është që këtu në Shqipëri gjatë 30 viteve çdo gjë politizohet. E para është opozita që përpiqet të luajë politikisht me çdo çështje dhe të reagojë ndaj çdo gjë që bën qeveria, duke gjetur defekte dhe arsye se kjo qeveri, pra qeveria “Rama” nuk bën dhe duhet ndërruar me një tjetër. Por për t’u rikthyer në pyetjen tuaj, dua të shtoj se Greqia ka të drejtën e saj për t’u zgjeruar me 12 milje, pasi është një e drejtë që është vendosur nga e Drejta Ndërkombëtare që çdo shtet mund ta pretendojë. Ne si Shqipëri e kemi shfrytëzuar me kohë të drejtën për t’u zgjeruar në det me 12 milje, ndërkohë grekët mesa duket e kanë lënë për më vonë dhe madje e mendojnë se tani është momenti për ta, meqenëse praktikisht kanë filluar kërkimet nëpër dete, burime nëpër dete, e më the të thashë. Kështu që unë nuk shoh ndonjë gjë të papranueshme deri këtu dhe ndonjë gabim që ka bërë kryeministri Edi Rama. Mirëpo ajo që më shqetëson është fakti se opozita po bën zhurmuesen dhe nga ana tjetër edhe presidenti Ilir Meta e ka pranuar që kjo çështja e detit me Greqinë është diskutuar në Shqipëri dhe ne nuk jemi marrë vesh. Ndërkohë nga kjo pikëpamje dua të them se kjo çështja e detit nuk është e panjohur pasi në kohën kur presidenti Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha ishin në qeveri, e bënë një ndarje, ndërsa u desh që të ndërhynte Gjykata Kushtetuese që të mos lejonte që ajo marrëveshje të cenonte interesat tona të bëhej realitet. Kjo do të thotë që Lulzim Basha që asokohe ka qenë ministër i Jashtëm, nuk duhet të flasë dhe Meta gjithashtu. Problemi është se pala greke kërkon që të zgjerohet me 12 milje, por shanset janë që kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Megjithatë, secila palë ka pretendimet e veta. Por unë kam dëgjuar dhe këtë e ka thënë edhe kryeministri Edi Rama, që do t’ia lëmë Gjykatës Ndërkombëtare që ta zgjidhë. Tani a është e drejtë apo jo? Unë them se nuk kemi asnjë shans tjetër që në qoftë se ne do të pretendojmë ato që pretendojnë këta patriotët e mëdhenj, natyrisht grekët nuk do të bien dakord dhe nuk do të ketë marrëveshje. Pra, debati që bëhet është i kotë dhe tani kur palët përplasen, topi ka mbetur në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila do të flasë fjalën e fundit. Pra, si përfundim për sa kohë që nuk ka rrugë tjetër ne duhet t’u drejtohemi gjykatave Ndërkombëtare dhe shpresojmë që kjo e fundit të jetë objektiv, për shkak se të gjithë e dimë që grekët kanë diplomaci të fortë.
-A është më shumë kjo një lëvizje strategjike e Greqisë për përplasjet me Turqinë?
Këto janë punët e tyre. Dhe nga kjo pikëpamje dua të them se ne na intereson të shohim punën tonë, pastaj se kush janë planet e grekëve me turqit, kjo është punë e tyre. Pra, për punën tonë e thashë edhe më sipër, unë ndaj dhe pajtohem me opinion e kryeministrit Edi Rama, që në kushtet kur nuk kemi zgjidhje tjetër për marrëveshjen me detin, duhet t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Kaq është e thjeshtë kjo punë. Boll më me patriotizma siç bën opozita se bëhemi qesharakë.
-Në prill do të kemi zgjedhje. Si e shihni situatën? Mendoni se do të kemi zgjedhje normale, apo do të kemi tensione? Ish-kryeministri Berisha paralajmëroi se opozita përgatitet për një 20 shkurt të dytë nëse humbet zgjedhjet.
Unë shpresoj se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit tjetër të jenë normale, por nuk mund të bëj orakullin. Mirëpo dua të ndalem pak tek ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka 30 vite që bën kësisoj deklaratash të forta dhe thirrje për revolta. Unë si Fatos gjithmonë kam qenë kundër Saliut, e kam parë atë si një politikan që bëri çfarë deshi, gjeti shesh dhe bëri përshesh, bëri çfarë deshi gjatë këtyre viteve. Berisha ka qenë politikani më i rëndësishëm i këtij tranzicioni 30-vjeçar dhe ka ardhur koha t’i themi boll më. Saliu ka ndenjur në pushtet qoftë si President, qoftë si Kryeministër dhe ka qenë edhe kryetar i opozitës, duke bërë një opozitë të ashpër, madje shumë të ashpër deri në acarime fizike me Policinë e Shtetit, me të gjithë kundërshtarët politikë. Madje, Berisha është ai politikan që futi këtë frymë të sherrit dhe përplasjeve në politikën shqiptare qysh në fillim dhe lëre pastaj që ai shkoi deri atje sa i eliminoi edhe kundërshtarët e tij politikë edhe brenda llojit apo partisë së vet. Saliu nuk ndreqet. Sali ka futur frymën e përplasjes, frymën e jobashkëpunimit për të mirën e këtij vendi dhe kjo është e tepërt, pasi e kemi parë 30 vite. Nga kjo pikëpamje më vjen keq që Berisha edhe pse ka dalë në “pension” në një farë mënyre vijon të kërkojë dhunë dhe bëjë thirrje për kaos. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për kësisoj deklaratash dhe shashkash që hedh Berisha. Të thuash që opozita do të bëjë një 20 shkurt të dytë, pas 25 prillit nëse humb zgjedhjet parlamentare është e rëndë dhe vërtet për të ardhur gjynah për këtë popull që i është bindur Berishës, për aq kohë që ka qenë në pushtet. Këto deklarata që Berisha po bën tani, e tregojnë fare qartë se kush është ai dhe kush është brumi i tij. Berisha në 30 vite përmbysi gjithçka, duke e bërë tranzicionin të zgjatet e zgjatet 30 vite. Berisha shkeli pretimin mbi “çekun e bardhë” të bërë para 30 viteve dhe sot ne flasim si do të bëhen votimet, çfarë do të ndodhë, etj. Boll më me kësisoj modelesh. Turp që Berisha bën deklarata të kësaj natyre dhe harron që ai na ka lënë ne si Shqipëri si në vitet e para të viteve ‘90. Ndërkohë teksa shpresoj se do të kemi zgjedhje të lira dhe normale, u bëj thirrje qytetarëve që të mos dëgjojnë plakun Sali për kaos. Por nga ana tjetër kam frikë se këto deklarata do t’i bëjë realitet opozita dhe Meta, nëse humbin zgjedhjet.
-Për herë të parë do të kemi protagonist presidentin. Meta ka deklaruar se do të ngrejë dhe shtabe monitorimi, ndërsa e ka treguar hapur se është në krah të opozitës për rrëzimin e regjimit siç e quan ai. Si i komentoni qëndrimet e presidentit?
Është gjë e mirë dhe nuk ka asnjë të keqe që Ilir Meta ka deklaruar se do të ngrejë dhe shtabe monitorimi për zgjedhjet e 25 prillit. Le të ngrejnë që të gjithë shtabe monitorimi, nuk ka asnjë të keqe. Por gjithë problemi është se këto shtabet e Ilirit të mos shkojnë përtej dhe kërkojnë “qiqra në hell”, duke sjellë probleme dhe përplasje mes palëve. Kjo është ajo që më shqetëson. Nuk më shqetëson shtabi dhe shtimi i vëzhguesve.
-Ju i njihni dhe Ramën dhe Metën. Pse sipas jush erdhi kjo thyerje mes tyre? A fshihet diçka tjetër pas kësaj që ne shohim në publik?
Ilir Meta dhe Edi Rama nuk kanë qenë me kohë miq! Edi dhe Iliri janë përplasur gjithmonë me njëri-tjetrin edhe kur kanë qenë aleatët dhe kanë bashkëqeverisur. Ata kanë botëkuptime të ndryshme, mbi mënyrën qeverisëse, mbi mënyrën se si e shohin këndvështrimin dhe Shqipërinë. Domethënë Rama dhe Meta janë dy njerëz që normalisht duhet të ishin aleatë, por që në përgjithësi nuk është se kanë qenë miq. Kështu që nuk çuditem që ka një thyerje mes Edit dhe Ilirit se që të dy kanë pretendime si politikanë.
-Dikur Meta ka qenë një ndër “armiqtë” e Berishës. Sulmet dhe akuzat mes tyre kanë qenë shumë të forta në vitet 2001 dhe më pas. Madje kur Meta ishte kryeministër Berisha është shoqëruar dhe në polici. Pse sot kemi një dashuri kaq të fortë mes tyre? Presidenti e cilëson Berishën si pikë të dobët. Çfarë i lidh?
Pyetje shumë interesante që mendoj se do pak vëmendjen dhe shtjellim. Sali Berisha dhe Ilir Meta mbase nuk kanë qenë miq të hapur, por armiq nuk kanë qenë asnjëherë. Iliri e ka thënë shpesh që Saliun e ka pikë të dobët dhe kjo është një e vërtetë e madhe. Por që të kthehem tek pyetja juaj dua të them se Ilirin dhe Saliun i lidh interesi i përbashkët dhe jo e mira e përbashkët për të bërë një gjë të mirë në dobi dhe në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë. Unë të paktën e njoh Metën, pasi kam qenë një nga aktorët dhe themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim që u krijua si parti në shenjë rebelimi ndaj politikave të ndjekura nga Fatos Nano në Partinë Socialiste. LSI u krijua për të qenë një parti e majtë, por e tradhtoi këtë elektorat, qysh kur bashkëqeveris me Partinë Demokratike. LSI është një parti populiste tani dhe që ka kryefjalë interesin, ndërkohë që kjo u pa edhe kur Berisha nxitoi ta merrte në mbrojtje kur bashkëqeverisën 4 vite, duke e etiketuar Lëvizjen Socialiste për Integrim si parti konservatore. Jo, nuk është e vërtetë. LSI na tradhtoi. Kështu që nga kjo pikëpamje PD dhe LSI nuk kanë pasur asgjë të përbashkët dhe ka qenë Iliri dhe Saliu që i bënë bashkë, pasi kanë interesa me njëri-tjetrin. Pra, dua të them se Berisha dhe Meta nuk kanë qenë kurrë armiq apo kundërshtarë me njëri-tjetrin. Mos harroni që Berisha e ka treguar me vepra që nuk ka qenë larg Ilirit, pasi në shumë raste e ka marrë në mbrojtje dhe anasjelltas.
-Nga ana tjetër kemi një bashkëpunim PD-LSI. Ajo që bie në sy është se raportet janë të ftohta. Të hënën Basha u pyet në një intervistë nëse do shkojë në zgjedhje me listë të përbashkët, por që e shmangu duke dhënë sinjale se nuk do që LSI të futet në listat e PD. Si i shihni raportet PD-LSI?
Raportet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në rastin konkret dhe tani që palët do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të hyjnë pa koalicione parazgjedhore e ka ndezur disi atmosferën. Unë i shoh të ndara si parti, paçka se ato këmbëngulin se janë pozicionuar me njëra-tjetrën. LSI është një parti interesash dhe nga kjo pikëpamje mendoj se ajo do të dalë me listë të saj në zgjedhje, pasi edhe Lulit nuk i intereson që ta ketë në listat e PD.
-A ndjehet Basha në trysninë e Metës dhe Berishës sa i takon aleancës me LSI dhe strategjisë së zgjedhjeve?
Patjetër. Ne e thamë që Iliri dhe Saliu janë të afërt me njëri-tjetrin. Kështu që Basha duhet ta themi se është nën trysninë e Metës dhe Berishës sa i takon aleancës me LSI dhe strategjisë së zgjedhjeve.
-Pavarësisht tensioneve, pas zgjedhjeve LSI e shihni më pranë PD apo PS?
Shiko, e thashë edhe më sipër që Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti interesash dhe shkon nga frynë era. Nuk është shumë e thjeshtë ta gjesh, pasi LSI është një rebus në vetvete. Me Partinë Demokratike nuk e lidh asgjë dhe duke qenë se Lëvizja Socialiste për Integrim ka funksionuar me llogari, mendoj se është më larg PD-së. Por mbetet të shihet pasi në Shqipëri ka çudira.
-A ekziston si mundësi një bashkëqeverisje PD-PS pas zgjedhjeve? Po qarkullon ditët e fundit si teori. Dhe a do ishte kthesa e madhe një bashkëqeverisje që të marrë fund konflikti politik dhe të bëhen bashkë palët për të mirën e vendit?
Jo, nuk kam koment dhe nuk e marr fare parasysh këtë mundësi të paktën për Shqipërinë, ku zgjedhjet janë të vështira. Se në Europë është normale që të kemi kësisoj bashkëqeverisje, sikundër ka ndodhur në Gjermani. Pra, koalicione të mëdha ka pasur. Por në Shqipëri nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë. Nuk e quaj të çuditshme, por nëse do të ishte mirë dhe për të mirën e vendit e përshëndes. Madje, personalisht do ta pranoja një bashkëqeverisje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, pas zgjedhjeve të 25 prillit, nëse do të ishte në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Boll më me konflikte, por më duket e vështirë të ndodhë. Unë siç thashë do e quaja një zgjedhje të mençur të shkonte një qeveri PD-PS, por është e vështirë për sa kohë që në skenën politike është Saliu dhe Iliri. Këta të fundit do të vënë në lojë militantë, të cilët do të nxiteshin që të mos e gëlltisin një gjë të tillë, duke i nxjerrë kështu nga llogoret.
-Pak javë më parë kemi parë mbi 3-4 deklarata të ish-ministrit Genc Ruli, i cili i ka dërguar mesazhe Berishës se ka ardhur koha të largohet nga politika aktive. Nën zë thuhet se janë mesazhe që ia ka dërguar Basha. A ka ardhur koha që Berisha të mos jetë më në Parlament?
Ka ardhur koha që Sali Berisha të pensionohet politikisht. Kështu që komenti im është i thjeshtë: Genc Ruli është treguar i arsyeshëm, duke bërë kësisoj deklaratash. Nga kjo pikëpamje dua të them se Berisha ka 30 vite në politikë ose 28 po ta marrim nga viti 1992. Ka 28 vite që Berisha na i ka thënë të gjitha ato që dinte dhe mund të bënte ato që thotë, por nuk i bëri. Saliu nuk ka çfarë t’i japë më këtij vendi. Dhe nuk ka mbetur besoj asgjë për të thënë Berisha. Kështu që Genci ia ka thënë troç plakut Berisha: “Të lutem dil mënjanë dhe mos na ngatërro më me këshillat e tua, jemi ngopur me ty”. Genc Ruli e njeh Berishën më mirë nga të gjithë ne. Ndoshta edhe ndërkombëtarët ia kanë kërkuar që të largohet Saliu. Pra, ka ardhur koha që t’ia themi të gjithë Berishës që ik dhe mos u kthe më në politikë. Saliu bëri çfarë deshi në këto 30 vite, bëri luftë, mobilizoi njerëz, i vuri flakën gjithë Shqipërisë, vrau e preu, por ka ardhur koha që të ikë dhe tua lërë vendin brezit të ri që janë më të rinj se ai dhe se unë. Pra, si përfundim i jap të drejtë Genc Rulit.
-Si e shihni kabinetin qeveritar? Lleshaj iku dhe u pasua nga Çuçi, ndërsa znj. Xhaçka shkoi ministre e Jashtme dhe z. Peleshi ministër i Mbrojtjes. Mendoni se ka nevojë dhe për rifreskime të tjera duke qenë se jemi në një vit elektoral?
Kjo është një atribut i kryeministrit Edi Rama dhe e di ky i fundit këtë. Zgjedhjet janë të mirëmenduara dhe i përshëndes. Kështu që nuk kam koment pasi lëvizjet e kësaj natyre janë në tagrin e Edit. Mos harroni që zonja Olta Xhaçka ka vite si ministre dhe e ka caktuar si Ministër të Jashtëm edhe për t’i dhënë prioritet NATO-s në rrafshin e politikës së jashtme. Edhe z. Peleshi ka eksperiencë apo zoti Çuçi. Kështu që mbetet të shikojmë punën e tyre.
-Një fushë tjetër është ajo e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese tashmë ka 7 anëtarë dhe kjo falë presionit amerikan. Duhet të jemi optimistë për një gjykatë funksionale, duke qenë se prej 2 vitesh ka pasur luftë të fortë politike për të futur aty njerëz të besuar?
Unë nuk i njoh njerëzit e drejtësisë, por shoh çfarë po ndodh. Më vjen mirë që amerikanët e kanë kuptuar lojën dhe u investuan për t’iu “prerë duart” politikanëve që të kapin sërish Gjykatën Kushtetuese. Kështu që nga kjo pikëpamje më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese tashmë ka 7 anëtarë dhe kjo falë presionit amerikan. Pra, jam optimist që amerikanët e mbështetën dhe u investuan për ngritjen e Kushtetueses. Tashmë gjithë ato probleme që kanë mbetur pezull, do të marrin zgjidhje. Madje, ngritja e kësaj para zgjedhjeve është një dhuratë nga amerikanët, pasi gjithë ato pretendime të opozitës që janë tjerrë dhe nuk kanë pasur zgjidhje do të trajtohen. Aq më tepër që tani jemi parazgjedhjeve dhe tashmë ndërkombëtarët me mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese po thonë që ja ku e keni edhe garantin më të madh për gjithçka, që mund t’i drejtoheni për të marrë zgjidhje.
-Kreu i SPAK pak ditë më parë tha se viti 2021 do të jetë vit i vështirë për të korruptuarit. Ju prisni rezultate nga SPAK sa i takon luftës ndaj korrupsionit në nivel politik?
Ka ardhur koha që Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të trembë dhe të lemerisë të korruptuarit. Kështu që përshëndes deklaratat e kreut të SPAK se viti 2021 do të jetë vit i vështirë për të korruptuarit. Por që të hyj tek pyetja juaj, unë si Fatos pres shumë nga SPAK. Ka ardhur koha që të luftohet në çdo front korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri. Nuk duhen lënë më të korruptuarit që të livadhisin dhe të gëzojnë paratë që kanë vënë në mënyrë abuzive. Reforma në drejtësi është një nga reformat më kurajoze dhe më të mëdha që ka bërë vendi dhe mendoj se ka ardhur koha që të ndezë mortorët për të çuar pas hekurave të korruptuarit. Politika tani nuk e ka të kollajshme apo të lehtë të fusë duart tek drejtësia dhe kam shpresë se SPAK do të sjellë frymë të re në Shqipëri, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
-Kush sipas jush duhet të japë llogari para SPAK dhe a duhet të hapen dosjet e vjetra?
Të gjithë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe inkriminuar e që kanë abuzuar duhet të japin llogari para SPAK. Ndërkohë mendoj se jo vetëm dosjet e vjetra e të bujshme që duhen të rihapen, por edhe dosja më e vogël duhet të hapet. Kemi “21 janarin” që sot nuk është hapur. Qytetarët kanë shumë shpresë tek SPAK dhe mendoj se në kushtet kur njerëzit janë ftohur nga shteti, do të shohim që të korruptuarit do të shkojnë njëri pas tjetrit për të dhënë llogari para drejtësisë. Kështu që duke qenë se reforma në drejtësi mbështetet fort nga ndërkombëtarët, SPAK do të godasë fort të korruptuarit, në mënyrë që të kthehet besimi i njerëzve tek shteti dhe drejtësia. Ka ardhur koha që të bëhet gjithçka transparente dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët dhe politikanët e korruptuar.
-Ditët e fundit ish-kryeministri Berisha ka sulmuar hapur reformën në drejtësi. Së pari sulmoi kryetaren e ONM dhe kjo solli reagimin e Brukselit. Berisha kërkoi falje. Ndërkohë të hënën sulmoi kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjë që solli një reagim të fortë të ambasadores amerikane. Pse Berisha e sulmon reformën në drejtësi?
E sulmon pasi nuk ka më impakt tek ajo. Berisha po sheh që çdo ditë po i këputen si gjethet që bien në vjeshtë, të gjitha tentakulat që ai ka në sistemin e drejtësisë. Kështu që Saliu është lemerisur që po i ikin njerëzit e tij nga sistemi dhe është hedhur në sulm për të intimiduar dhe shantazhuar reformën në drejtësi. Por e ka të kotë, pasi reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. Pra, Berisha tani ka frikë nga drejtësia e re, pasi në çdo kohë ajo mund t’i trokasë në derë, duke i thënë që hajde se ke disa llogari të hapura. Berisha i ka bërë gjëmën këtij vendi në 30 vite dhe ka frikë që po i ngushtohet laku. Saliu me shokë e mori si tallje reformën, por kur krah saj u rreshtuan amerikanët, gjithçka ndryshoi dhe tashmë askush nuk mund ta përmbysë atë. Ndërkohë duhet të theksohet edhe fakti që Berisha tërhiqet, pasi doli hapur Brukseli që u rreshtua krah ONM, pasi po të mos kishte reaguar ai, Saliu nuk do të kërkonte ndjesë dhe tërhiqte akuzat. Kështu që Berisha është detyruar që të pranojë dhe kërkojë ndjesë. Berisha është i pakorrigjueshëm, prandaj edhe Genc Ruli kërkon që ai të pensionohet politikisht. Edhe nëse Luli vjen në pushtet dhe Berisha është nëpërkëmbë, ai do të drejtojë Bashën. Kështu që të gjithë po i thonë boll më. Ka ardhur koha që Berisha të dalë në pension, është 70 e kusur vite dhe ai nuk ka më kohë që të reflektojë. Por tashmë Saliu është personazh komik.
-Si i shihni raportet e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të SHBA me Berishën? Një reagim i ashpër ndaj tij erdhi dhe gjatë ditëve të protestave ku kërkonte dhunë.
Sali Berisha gjithmonë ka pasur raporte të tendosura me ta. S’ka pasur asnjëherë Berisha raporte të mira me ndërkombëtarët. Madje, Berisha është i sëmurë që flet pa doreza dhe tani po përdor qytetarin dixhital për të thënë atë që ai ndjen. Berisha është bërë i pabesueshëm dhe uroj që askush të mos i marrë thirrjet e tij për dhunë si të mirëqena. Nuk e duan amerikanët Berishën.
-Si e shihni që gjyqi ndaj Izet Haxhisë nuk dha ato që priteshin? Mendoni se do jetë e vështirë të hidhet dritë mbi dosjen e vrasjes së Hajdarit?
Askujt nuk i intereson që të zbardhet dosja e vrasjes së Hajdarit. Sali Berisha është i pari që nuk i intereson të zbardhet kjo çështje. As gjyqtarëve dhe prokurorëve që e kanë mbyllur këtë dosje nuk iu intereson të zbardhet. Kështu që është e kotë të komentoj, pasi e kam thënë që Saliu nuk e do zbardhjen e saj. Megjithatë, unë shpresoj që të hapet si dosje dhe të vendoset edhe për Izetin, pasi ai ka marrë një dënim të ashpër, ndërkohë që kemi plot që kanë bërë krime dhe kanë porositur vrasje dhe livadhisin.
-Kush mendoni se i fiton zgjedhjet e 2021?
Mendoj se Partia Socialiste do t’i rifitojë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 për shumë arsye. E para Partia Demokratike nuk ofron asgjë, pasi Lulzim Basha është provuar. Luli ka qenë ministër i Brendshëm, në kohën kur ndodhi “21 Janari” dhe u vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Luli ka qenë ministër i Infrastrukturës dhe abuzoi me fondet e Rrugës Durrës-Kukës. Luli ka qenë ministër i Jashtëm dhe fali detin bashkë me Saliun dhe Iliri. Luli ka qenë 4 vite kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe fjeti vetëm gjumë dhe nuk bëri asgjë. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka çfarë të ofrojë pasi ka qenë 8 vite në pushtet. Kështu që nisur nga këto dhe për faktin që Lulzim Basha për sa kohë do të ketë Sali Berishën dhe Ilirin mbi kokë, nuk mendoj se duhet të qeverisë, pasi janë provuar.