Nga UNICEF (Albania)*
Ky është Fatmiri, nga komuniteti Rom dhe babai i pesë fëmijëve, i cili me gjithë vështirësi e hasura në jetë, ka kuptuar që e ardhmja e fëmijëve te tij kalon përmes arsimit.
I lindur në një familje të varfër,nga një baba i alkolizuar dhe nga një nënë e semurë, e cila për të mbijetuar lypte nëpër fshatra, Fatmiri shumë i vogël atehere, do ta kuptonte që nuk ishte si gjithë të tjerët. Ishte rom. Ishte i varfër. Ishte “jetim”. Kështu e quanin pasi i ati u divorcua nga nëna e tyre.
Ai kujton ditën e parë të shkollës,kur shokët e klasës nuk ishin shumë miqësorë me të, por mësuesja dhe drejtori i shkollës ishin në krah të tij.Ai shumë shpejt u detyrua të linte shkollën, për shkak të varfërisë. I duhej të lypte dhe ai për të siguruar para për familjen.
Gjate asaj periudhe, ai u njoh me Klementin, shoku i tij më i mirë ishte jo-rom, i cili e inkurajoi Fatimirin te shkonte ne shkolle. Me ndihmen e nje organizate jo qeveritare, atij iu ofruan kurse, e
më pas u ndihmua të regjistrohej në e shkollë përsëri. Si rezultat, nga i gjithe grupi prej 20 nxënësish nga komuniteti Rom, vetëm Fatmiri e vazhdoi deri në fund. Në fisin e tij,Fatmiri është i vetmi me shkollë. Ai kujton sesi gjithmonë, kundërshtonte vendimet e gabuara që merreshin në familjen e tij, siç ishin martesat e motrave të tij në një moshë të hershme.
Sot Fatmiri është 33 vjeç. Punon në ndërmarrjen e përpunimit të mbetjeve “EkoTirana”. Sytë i shkëlqejnë kur flet për fëmijët e vet, më i madhi 10 vjeç , më i vogli 6 muajsh.
“I dua shumë fëmijët. Kam pesë fëmijë, por ia vlen çdo sakrificë për t’i parë ata të lumtur.”Jeta e ka përballur me shumë sfida, por ai ka nxjerrë mësime prej tyre. Ai sot, mëson vajzën e tij si të përballet me bullizmin dhe përjashtimin nëpërmjet inkurajimit.
Sot, fëmijët e tij përfitojnë nga programi “Çdo fëmijë rom në kopësht” i mbështetur nga UNICEF. Falë urdhrit te Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të gjithë fëmijët në vështirësi, tekstet e shkollës i merr falas. Ai vëren me kënaqësi, sesi qëndrimet e mësuesve ndaj fëmijeve te tij janë më pozitive se më parë,ata janë të parët për t’i mbrojtur fëmijët nga diskriminimi. “Nëndrejtoresha e shkollës është njeri i drejtë- shprehet Fatmiri. Nëse ankohet dikush për një mësuese, ajo gjen një zgjidhje”.
Megjithatë, shoqërinë shqiptare Fatmiri, e sheh më diskriminuese se në kohën e tij. I bën përshtypje që tani njerëzit flasin hapur me përçmim për romët. Marrëdhëniet me prindërit e tjerë i mban mësuesja, ai vetë ka pak kontakt me ta, për shkak të punës. Nga ana tjetër, mundohet të përafrojë dy komunitetet nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta. “Kam organizuar një konferencë në shkollë, për Ditën Ndërkombëtare të romëve dhe i falenderova për mbështetjen, duke inkurajuar dhe uruar që fëmijët të jenë sa më të shoqërueshëm me njëri- tjetrin.”
Fatmiri e sheh varfërinë,si problem kryesor të komunitetit rom që i pengon të shkollojnë fëmijët. Është kundër masave drastike që i dënon prindërit me burg për neglizhencë ndaj fëmijëve. Është kundër veçimit të romëve në lagje të veçanta si banesat sociale në Shkozë.
Fatimiri ka një mëndje të mprehtë. “Prindërit tanë ishin të paarsimuar.Si një komunitet në lëvizje vend pa vend, kontinent më kontinent, romët zunë rrënjë në Shqipëri. Jam qytetar rom dhe jam i gatshëm të jap jetën për atdheun tim nëse i kanoset ndonjë rrezik, të mbroj fëmijën tim si dhe fëmijën tënd.”
Thotë se aktivizimin i tij për të çuar sa më shumë fëmijë rom në shkollë, e ka të trashëguar nga e ëma, e cila sa herë që sheh fëmijë që lypin në rrugë, i dërgon në kopësht. Por, nëse nëna e Fatmirit e bën këtë për bujari, Fatmiri mendon se ata kanë të drejtë të arsimohen.“Unë diskriminim kam patur gjithë jetën, po e kam luftuar. Për të luftuar diskriminimin, duhet arsimi”- thotë i bindur ai.
Tani Fatmiri, po shihet nga komuniteti i tij si një model për të ndryshuar qëndrimet negative ndaj komunitetit rom dhe për të sjelle ndryshime dhe një mendësi të re që romët mund t’ia dalin.
Kjo është historia e Fatmirit që jeton në një dhomë në një shtëpi që e ndan bashkë me vëllanë dhe motrën, i cili ka vendosur të jetë një udhërrëfyes i mirë për fëmijët e tij nëpërmjet shkollës. Ëndrra e tij është të ketë një shtëpi, ku fëmijët të kenë dhomën e tyre për të mësuar.
Një prind i ri, me të njëjtat kërkesa të fëmijëve ndaj tij, me të njëjtat pamundësi për t’ia plotësuar, por i sigurt se rruga për tek e ardhmja kalon nga shkolla. (b.an)
*Shkrimi është përgatitur nga shumë kontribues te UNICEF në terren











