Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste i zhvilluar gjatë ditës së sotme është shoqëruar me kritika dhe debate. Kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi ka kërkuar më shumë përkushtim nga ministrat në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare.
Ai tha se ministrat duhet t’i japin shpjegime shqetësimeve që ngrihen. Deputeti tjetër socialist, Fatmir Toçi ka shpërthyer në kritika ndaj deputeti Koço Kokëdhima, duke theksuar se ai është shndërruar në “beun e jugut”. “Ai është kthyer në beun e jugut duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës. Është bërë më keq se Ali Pashë Tepelena. Por ndërsa Aliu e pushtoi jugun, Koços po ja falin. Nuk e di se kush, por po ja falin”, ka deklaruar Toçi, duke e fajësuar Kokëdhimën për vonesat në zgjedhjet në Partinë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës. (Dita)









