Në një fshat zviceran fanatikët e islamit kanë sulmuar bashkëkombësit e tyre shqiptarë. Një imam është pezulluar pas kontakteve të tij me elementë radikalë në Shkup gjatë verës.
Në maj të këtij viti në fshatin Gebenstorf të Zvicrës qendrore është hapur një xhami për besimtarët e komunitetit shqiptar. Më parë në atë objekt piqeshin pica.
Tani këtu mendohej të shpërndahej ushqim shpirtëror për ata që kanë nevojë.
Nënkryetari i komunitetit islamo-shqiptar Mursel Ibraimi (mediat zvicerane e japin emrin e tij me Murseli Ibraimov) me rastin e hapjes së xhamisë kishte thënë: «Duam që të gjithë ata që janë kritikë ndaj nesh t’i bindim se jemi njerëz paqësorë».
Të dielën në ambientet e xhamisë nuk ka mbretëruar situatë paqësore. Mediat zvicerane njoftojnë për një rrahje masive mes besimtarëve shqiptarë: në njërën anë fanatikët fetarë, në anën tjetër të moderuarit.
Për t’i dhënë fund përleshjes mes dy grupeve ka ndërhyrë policia, e cila ka kontrolluar 90 persona. Dy të lënduar janë shtruar në spital. Si arsye e konfliktit përmenden mosmarrëveshjet brenda komunitetit fetar. Mursel Ibraimi i ka thënë mediave zvicerane se është pafund i pikëlluar për shkak të ngjarjes.
Sipas tij raportet e kryesisë së komunitetit islam me imamin e xhamisë nuk kanë qenë të mira në të kaluarën. Imami, sipas Ibraimit, gjithnjë e më pak ka predikuar dhe përfaqësuar vlerat e islamit sunit, të cilit i përkasin shumica e shqiptarëve. Imami akuzohet për rolin e tij përçarës në mesin e besimtarëve.
Pas hapjes së xhamisë imami kishte sjellë gjithnjë e më shumë besimtarë radikalë. «Kur kuptuam se imami gjatë verës është takuar me imamë radikalë në Shkup, kryesia vendosi ta suspendojë atë», thotë Ibraimi. Imami i përzënë nga xhamia ishte lutur të mbante një fjalim lamtumirës – dhe kjo dëshirë atij i ishte plotësuar.
Pas fjalimit përkrahësit e tij ishin vërsulur dhe kishin sulmuar kryesinë e komunitetit islam dhe përkrahësit e saj. Sipas Ibraimit mbi 90 për qind e besimtarëve kanë përkrahur largimin e imamit. Dy të lënduarit, sipas tij, janë mbështetës të imamit të dyshimtë.
Ndërkohë fanatikëve fetarë u është ndaluar hyrja në xhami, gjatë të enjtes janë zhvilluar biseda me policinë zvicerane me qëllim të evitimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Edhe komuna e Gebenstorfit ka dënuar përleshjen dhe ka theksuar se kjo mënyrë e ballafaqimit me konflikte ngjall frikë dhe shqetësime në mesin e popullsisë zvicerane. Zyrtarët komunalë kanë theksuar se nuk do të lejojnë që xhamia të shndërrohet në pikëtakim të radikalëve, siç ka qenë rasti me një xhami në Winterthur, e cila zyrtarisht njihej si «xhami e arabëve», por aty një rol mizor kanë luajtur edhe disa fanatikë shqiptarë.
Një boksier shqiptar nga Winterthuri i është bashkuar «Shtetit Islamik» dhe, sipas të gjitha gjasave, është vrarë atje.
Dy të rinj shqiptarë, vëlla e motër, pasi kanë qëndruar disa muaj me gjasë në territorin e «Shtetit Islamik», janë kthyer në Zvicër. Imamë të dyshimtë nga Kosova viteve të fundit kanë mbajtur fjalime para besimtarëve shqiptarë, ku kanë apeluar për «solidaritet me vëllezërit në Siri».
Shërbimi sekret i Zvicrës shkruan në analizën e tij më të re se kërcënimi nga terrori mbetet i madh edhe në Zvicër. Rreziku potencial buron nga fanatikët islamikë të kthyer në Zvicër nga Siria apo territoret e tjera të kontrolluara nga terroristët.
Prokuroria federale e Zvicrës në tetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër katër irakianëve, të cilët ishin arrestuar në Zvicrën verilindore në fillim të vitit 2014. Ata janë akuzuar për përgatitje të një sulmi terrorist në Europë dhe ndërkohë janë dënuar.
Është dënuar edhe një irakian për nxitje të urrejtjes dhe propagandë islamike. Së fundi opinioni në Zvicër është alarmuar mbi një imam nga Libia, i cili me vite të tëra ka marrë ndihma sociale (mbi gjysmë milioni franga) dhe në predikimet e tij ka bërë thirrje për zhdukjen e të krishterëve.
Një tjetër imam dyshohet se i ka quajtur zviceranët «derra». Në lidhje me këtë rast në numrin e së enjtes shkruan revista «Weltwoche».
Nga viti 2001 deri në gusht 2017 Shërbimi Sekret i Zvicrës ka regjistruar 89 persona me vendbanim në Zvicër, të cilët i kanë bashkuar lëvizjeve xhihadiste nëpër botë. 75 kanë shkuar në Siri dhe Irak, 14 në Somali, Afganistan dhe Pakistan.
24 kanë vdekur, 14 janë kthyer në Zvicër. Sipas «Weltwoche» dy të tretat e personave nga Zvicra, të cilët i janë bashkuar «luftës së shenjtë», janë qytetarë të huaj, 30 kanë pasaporta zvicerane, 18 kanë shtetësi të dyfishtë. Më 1 shtator në Zvicër hyn në fuqi ligji i ri për Shërbimin Sekret. Deri më tani agjentët zviceranë kanë pasur të drejtë të përgjojnë vetëm në hapësirën publike, tani e tutje ata këtë mund ta bëjnë edhe në objekte private, për shembull nëpër xhami.(dp)