Qeveria e Kosovës duhet t’i vërë kusht Serbisë që të hapen arkivat e policisë dhe ushtrisë serbe për t’u zbardhur fati i të pagjeturve dhe pastaj të fillojnë bisedimet Prishtinë-Beograd.
Kjo kërkesë i është adresuar Qeverisë nga familjarët e të pagjeturve, por edhe anëtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të cilët kanë pranuar se janë “dorëzuar” përballë shtetit serb që po tregon mosgatishmëri për të kryer gërmimet në lokacionet e dyshuara për varreza masive në Serbi. Protesta të panumërta janë organizuar gjatë tërë këtij viti në Kosovë për të pagjeturit. Por, vetëm 58 mbetje mortore të gjetura në Serbi janë rivarrosur sivjet në Kosovë, përderisa sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të rrëmbyer e të zhdukur nga forcat serbe (1998/99) janë edhe 1668 kosovarë.
Serbia edhe këtë vit, sipas përfaqësuesve të këtij Komisioni ka vepruar njësoj, duke zvarritur gërmimet në zonat ku ky Komision kishte informacione se ka varreza masive në këtë shtet. Ndërsa, sipas familjarëve, është Qeveria e Kosovës ajo që bashkë me bashkësinë evropiane nuk janë angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve.