Mungesa e meritokracisë pas një kontributi të dhënë ndër vite te Partia e Lirisë, por edhe mosdalja hapur e kësaj force në mbështetjen e integrimit të vendit drejt BE-së, ishin dy nga arsyet themelore të largimit nga ajo parti.
Kështu u shpreh sot, në ‘Studio Live’ të Report Tv, Faik Basha. Ish-anëtari i Kryesisë së PL, iu përgjigj pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj për shkaqet që e shtynë drejt largimit dhe bashkimin me PS-në në këtë fushatë.
Ai bëri edhe një analizë të faktorëve që nxitën largimin, që shpjegon se erdhi e menduar dhe konsultuar me mbështetësit e tij, brenda dhe jashtë partisë.
“Siç e kam bërë të qartë edhe me status për arsyet pse jam larguar nga një forcë politike, për hir të së vërtetës sa i përket edhe angazhimit tim, ka qenë ajo forcë politike dikur LSI dhe sot PL, që bën përpjekje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ku të gjithë kemi detyrim për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja për vend më të mirë, të sigurt dhe të përparuar. Por që qytetarët duan politikë që të kthehen sytë për të dhe jo nga ata. Kam pasur beteja dhe rritje të mëdha tek ajo forcë që përfaqësova, kandidova edhe në një zonë për deputet ku dolëm forcë e parë me LSI. Kam mbajtur edhe qëndrimet e mia për të gjitha direktivat e pikat, edhe më 2023, në Kamëz kryesisht. Nuk erdhi gjithçka ditën për diell, apo brenda ditës, por pas një analize të thellë dhe këshillimit me njerëzit dhe mendimi ka qenë që të largohemi nga ajo parti dhe për të mbrojtur kauzat, përfaqësimin dhe zërin e tyre, për hallet dhe shqetësimet”, shprehet Basha.
Dhe këtu vjen shkaku kryesor, mungesa e meritokracisë në zgjedhjen e listës së kandidatëve për deputet, duke futur në lista emra që nuk përfaqësonin as eksperiencë, as mbulonin fusha të caktuara, si ajo e sigurisë, por ku kishte edhe meritokraci të dukshme.
“Më 11 mars kam bërë edhe komunikim për mediat, për ekipin që përgatitej për 11 majin. Kam thënë që sot përcaktohet fitorja, kur ekipi hedh lojtarët në fushë, nuk përcaktohet pasi ditën që nis ndeshja nuk fut lojtarët në fushë, por tifozët, kështu s’mund të fitosh Champions në futboll. Unë kam pasur një kërkesë për një zonë të papërfaqësuar që nga 1912 dhe sot, ka pasur shqetësim. Në listë nuk ka ekspertë të mirëfilltë të fushave të sigurisë, s’i është dhënë hapësira. Kur dyert të mbyllen, duhet të gjesh alternativa të reja për të përfaqësuar ata njerëz që të mbështesin. Vihet re një mungesë meritokracie”, vijon ish-anëtari i PL-së.
Dhe i gjendur përballë dy zgjidhjeve, ai mori atë të vijimit të betejës jashtë PL-së dhe bashkimit me një tjetër forcë, pra rikthimit atje ku bashkë me familjen kishin aderuar shumë vitë më parë.
“Dy zgjidhje pata, ose të tërhiqesha, ose të vazhdoja të përfaqësoja këta njerëz. Zhgënjimet në politikë janë të mëdhaja, mendova tërheqjen, por pastaj u konsultova me njerëzit. Më thanë se nuk duhet të tërhiqesh nga politika, por nëse dikush të mbyll derën dhe s’të jep mundësi, duhet të gjesh zgjidhje të tjera. Në analizën që kam bërë është se duhet të jem aktiv në këtë fushatë. Unë kam mendimin se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është prioritet dhe duhet të bëhet. Kur e sheh kështu s’të thotë asgjë, por nga brenda ka rëndësi, Shqipëria 2030 është me rëndësi, edhe për shkak të gjeopolitikës, Europa është bërë e vetëdijshme për këtë”, shpjegon Basha.
Por a ishte PL e gatshme për ta bërë këtë punë, drejt këtij misioni?
“Misioni i Shqipërisë në BE nuk është i PS, por i të gjithë vendit, i të gjitha forcave duhet të jetë, me një ekip dhe skuadër të fortë. Një skuadër e fortë nuk është me njerëz të paprovuar, njerëz pa eksperiencë. E kam për partinë ku isha pjesë, për Partinë e Lirisë, njerëz pa përvojë, që nuk kanë dhënë kontribut”, thekson ai.
Ndaj edhe pohon se në PS u bashkua pikërisht për prioritetin kryesor, që është Shqipëria në BE në 2030-ën, pasi është interes më madhor sesa ai partiak.