Gjiganti i rrjeteve sociale, Facebook, ka arritur një marrëveshje 200 milionë paundësh britanikë për të transmetuar ‘live’ ndeshjet e Premier League. Duke nisur që prej sezonit 2019-2020, Facebook do të transmetojë ndeshjet e kampionatit anglez në Tailandë, Vietnam, Camboxhia dhe Laos – shtete ku interesi për futbollin britanik është i jashtëzakonshëm.
Sipas “The Times”, rrjeti social më i madh në botë ka paguar 200 milionë për 380 ndeshjet e kampionatit britanik, duke mposhtur konkurrencën e “BeIN Sports” dhe “Fox Sports Asia”. Më herët, Facebook ka transmetuar ‘live’ ndeshje të kampionatit amerikan dhe kampionatit spanjoll, por marrëveshja për kampionatin britanik është më e madhja e arritur nga kompania deri më tani.
Me përfshirjen edhe të “Amazon Prime” e cila synon marrëveshje edhe me “Youtube” e “Netflix”, gara për transmetuesit tradicional të sportit duket se po bëhet shumë më e ashpër. Facebook i ka bërë të qarta synimet për kapërcimin e madh në transmetime sportive kur emëroi CEO-n e Eurosportit, Peter Hutton, si kryenegociator të marrëveshjeve për aktivitete sportive anekënd botës. E me sa duket puna e Hutton po jep rezultatet e para. /b.d