Luis Hamilton ka dalë triumfues në Çmimin e Madh të Brazilit në një pistë të vështirë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, për shkak të të cilave 5 makina e mbyllën garën që në xhirot e para.
Me këtë fitore Hamilton e ka ngushtuar ndjeshëm diferencën me shokun e tij të skuadrës, Nico Rosberg, i cili doli në vendin e dytë. Titulli kampion i Formula 1, mes dy pilotëve të Mercedes, midis Luis Hamilton dhe Nico Rosberg do të vendoset pas dy javësh në Çmimin e Madh të Abu Dhabit. Që Hamilton të ngrejë trofeun do t’i duhet që të dalë i pari në garë dhe shoku i tij të dalë i treti.
Pa dyshim spektaklin në garën e sotme e ka dhuruar Max Verstappen, i cili nga vendi i 16 brenda 15 xhirosh ka arritur të mbajë vendin e tretë, duke u ngjitur në podium bashkë me dy pilotët e Mercedes.
Pista e lagësht dhe reshjet e dendura krijuan kushte jo normale për zhvillimin e garës. Çka solli disa herë ndërhyrjen e makinës së sigurisë në garë dhe ndërprerjen 2 herë të saj.
5 pilotë kanë humbur kontrollin e janë përplasur me muret mbrojtëse të pistës. I pari që ka dalë jashtë piste ka qenë Grosjean, ende pa nisur mirë gara, e më pas Ericsson dhe Raikkonen.
Pas aksidentit të Raikkonen, pak metra larg vijës së finishit të xhiros së 20, u vendos ndërprerja e përkohshme e garës që rinisi pasi u qetësuan reshjet e shiut dhe pista u pastrua. Piloti tjetër i Ferrarit, Vettel ka reaguar fort ndaj vendimit të komisarëve të garës për të vijuar normalisht pas incidentit të Ericsson.
“Është çmenduri, nuk mund të vijohet në këto kushte. Duhet të ndërpritet gara”, ka deklaruar Vettel, pak para se shoku i tij i skuadrës të humbte kontrollin e makinës në një pjesë të drejtë duke u përplasur me të dy muret mbrojtëse të pistës.
Pasi ka rinisur gara, ndërsa në pistë ishte ende makina e sigurisë, një tjetër pilot është aksidentuar, Palmer i Renault ka përplasur një makinë tjetër duke dëmtuar gomën e përparme të tij, çka ia ka bërë të pamundur vijimin më tej në pistë.
Pas 8 xhiro me makinën e sigurisë në pistë është vendosur sërish ndërprerja e garës dhe pas disa minutave jashtë piste u vendos që makinat të rikthehen në garë.
Në xhiron e 48-të makina e sigurisë ka hyrë sërish në pistë, pasi kësaj here është aksidentuar braziliani Filipe Massa./tch/a.k