Eduard Ndocaj, më shumë se nga gjithçka tjetër, bezdiset nga fama, megjithatë kjo nuk e ndalon të thotë gjëra të vërteta, pa u kujdesur për reagimet. Në intervistën për Summer Pages, ai rrëfen edhe kërcënimet që i ka bërë kryeministri Rama. Me shumë dashuri dhe respekt flet edhe për bashkëshorten e tij, duke u shprehur se kanë nisur tashmë të planifikojnë një dasmë tjetër, të tretën në radhë. Zbulojmë së bashku se si është jeta e deputetit kontrovers, kur zhvesh kostumin e politikanit, por kurrsesi atë të ‘kaubojsit’…
Ndër personazhet më të njohura të politikës, a mendoni se Eduart Ndocaj është deputeti më i famshëm në Shqipëri?
Më i bezdisshmi, mendoj. ‘I famshëm’ është fjalë e madhe. Të jesh deputet dhe i famshëm nuk është edhe shumë e mirë.
Pse është e bezdisshme?
Sepse të jesh vetëm kundër të gjithëve është diçka e madhe. Kanë qenë të shumtë ata që më kanë thënë se ‘je vetëm dhe nuk do t’ia dalësh kurrë’. Megjithatë unë nuk mendoj kështu. Unë vazhdoj të bëj më të mirën e mundshme në politikë, për njerëzit, jo për t’u bërë i famshëm.
Me çfarë ideje keni ardhur në politikën shqiptare, kush është ideologjia juaj?
Duke qenë se unë vij nga Italia, një shtet shumë demokratik, si dhe nga Milanoja, një qytet i madh që ka për të gjithë, jam përpjekur të vij edhe unë me këtë frymë. Pra mendoj se duhet një regjim më i zbutur për shqiptarët, që të gjithë të kenë diçka. Gjithsekush duhet të ketë një mirëqenie minimalisht të mirë.
Çfarë e ka bërë ‘kaubojsin’ kaq mediatik?
Mendoj se kam qenë i ashpër me gjithë klasën politike, ndoshta kjo më bën mediatik. Nga ana tjetër jam përpjekur gjithmonë të jem vetvetja, i sinqertë me gazetarin, me qytetarin, me të gjithë. Ndoshta kjo më dallon nga politikanët e tjerë.
Si ka nisur rrugëtimi juaj në politikë?
Është një shprehje që thotë: Po nuk u more ti me politikë, merret politika me ty, madje edhe në një mënyrë të ashpër, të degradon. Unë vij nga një familje që ndër breza është marrë me politikë. Ndaj dhe traditën vendosa ta vijoj unë. Kisha dëshirën të bëja diçka për vendin tim, sepse të largohesh para 25 vitesh, në një situatë kaotike, ku njerëzit s’kishin bukë të hanin dhe të kthehesh ta rigjesh në të njëjtin nivel, është e tmerrshme.
Si i shikoni sot politikanët shqiptarë?
Problemi ynë më i madh është se ne nuk kemi politikanë sot në Shqipëri. Politikanët shqiptarë janë shndërruar në ‘Eskobarë’ të gjithë. Jemi pika kyçe në Evropë për drogë dhe kontrabandë. Kjo nuk është politikë, është dështim.
Çfarë marrëdhëniesh keni me kryeministrin Rama?
Kemi pasur marrëdhënie të këqija që kur jemi njohur. Ne të dy jemi si dita me natën. Ai është arrogant, i paedukatë, defekte që një burrë s’duhet t’i ketë. Ne jemi dy pole të kundërta.
Shumë e përfolur edhe darka që ju keni shtruar për Ramën, e cila kushtoi 8 mijë euro; të gjithë janë kuriozë të dinë se çfarë hëngri kryeministri në atë darkë që kushtoi kaq shumë?
Të them të drejtën, nuk e mbaj mend se çfarë hëngri saktësisht. Rama erdhi së bashku me 35 ose 40 persona, që ishin të stafit të tij. Ishte një darkë e këndshme, këtë mbaj mend.
A keni komunikim tani që ju jeni pjesë e parlamentit?
Jo, thjesht kemi pasur dy ose tri telefonata të ashpra. Sepse ai mendon se flet me ata Veliajt apo Tahirat e tij, por nuk ia del. Më ka kërcënuar në telefon dhe është sjellë me arrogancë. Nuk është se edhe unë e kam lënë pa përgjigje. Pas kësaj, ai më ka thënë që ‘po flet me një kryeministër’, i jam përgjigjur se ‘po flas me një rrugaç’.
E keni menduar të formoni një parti të re?
Patjetër që e kam menduar, një frymë të re në vendin tonë, më mirë sesa një parti. Megjithatë për këtë do të flas në të ardhmen, pasi gjithçka është ende duke u organizuar.
Si ka qenë për ju jetesa në Itali?
Të them të drejtën ka qenë e vështirë. Edhe shteti shqiptar na ka braktisur që kur kemi lënë vendin. Ai që ia ka dalë në emigracion, ia ka dalë vetëm falë punës, jo falë ndërrimit të emrave apo gjërave të tjera si këto. Askush nuk e ndërron emrin nga halli, por nga pisllëqet që bën. Edhe kryeministri e ka ndërruar emrin vetë, edhe kjo është një pikëpyetje tjetër.
Si ia dolët që, nga një emigrant i thjeshtë, të shndërroheshit në një biznesmen të suksesshëm?
Unë vazhdoj të jem një qytetar i thjeshtë. Jam integruar në Itali, ku edhe m’u dha mundësia të bëj diçka më tepër, mundësi që Shqipëria s’ta jep. Janë shumë shqiptarë që ia kanë dalë. Puna, korrektësia, fati: të gjitha bashkë mund të them se ishin tek unë.
Jeni ndër të vetmit politikanë që ju sheh gjithkund të shoqëruar nga bashkëshortja juaj; si është marrëdhënia juaj?
Është gjysma e jetës. Nuk kam zgjedhur rrugën e Shukriut, kam zgjedhur rrugën e Eduartit. Për mua, të jem gjithmonë me bashkëshorten është luks, është krahu im i djathtë.
Është xheloze bashkëshortja juaj?
Kam përshtypjen se është, por nuk e tepron; ka një xhelozi normale si në çdo çift. Ne kemi një marrëdhënie të përkryer, një familje të shëndoshë.
Sa i janë afruar femrat ‘kaubojsit’?
Absolutisht që janë afruar. Nuk është se kam ndonjë përgjigje për këto femra, thjesht shikoj punën time.
Keni bërë dy dasma deri tani; keni në plan për një tjetër dasmë?
Patjetër që po! Ne kemi menduar që në çdo 10-vjetor të dasmës sonë të bëjmë një dasmë të re. Dasma tjetër i bie në 2019-ën dhe do ta bëjmë në Itali.
Si është Eduarti si baba, çfarë marrëdhëniesh keni me fëmijët?
Unë kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajza e madhe është 15 vjeçe dhe po mbaron shkollën e artit në Milano. Vajza e dytë është shumë e apasionuar pas shkencave të politikës. Madje në vendin ku jetojmë ne, u bë edhe një garë për fëmijët si kryetarë bashkie, dhe e fitoi vajza ime. Djali është një fëmijë i qetë, i pëlqen shumë të lexojë. Madje, edhe kur kërkon dhuratë, libra na kërkon. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, i këshillojmë që të jenë fëmijë të mirë, të dëgjojnë gjithmonë prindërit si dhe të studiojnë.
Keni në plan të bëni fëmijë të tjerë?
Patjetër që po! Unë kam ëndërruar një familje të madhe, kështu që, normal që do të bëj fëmijë të tjerë.
Pse ju quajnë ‘kaubojs’, çfarë lidhjeje ka një shqiptar që ka jetuar në Milano me një kaubojs?
Jam frymëzuar nga filmat Ëestern. Janë filma që kanë bërë histori në botë. Tregojnë se si një lopçar është shndërruar në një biznesmen të fuqishëm në botë. Kjo është ajo që më ka frymëzuar.
Jemi në atmosferën e Kampionatit Evropian; për kë skuadër bëni tifo?
Përveç Shqipërisë, jam tifoz me Italinë. Jam ndjerë krenar që Shqipëria ia doli në këtë kompeticion, është një histori më vete. Megjithatë nuk jam aq tifoz sa t’i shikoj ndeshjet nga afër. Plus që, nuk mund ta pranoj te vetja ta shikoj ndeshjen në krah me Ramën dhe Fullanin, që janë ndër njerëzit më të korruptuar në vend.
SummerPages/BW/d.i.