Nga Ben Judah “The Spectator”
Më në fund temperaturat kanë nisur të bien dhe për evropianët kjo do të thotë vetëm një gjë: që ka mbaruar sezoni i verës. Turmat nëpër sheshe dhe në plazhe kanë nisur të pakësohen. Dhe në restorantet mund të gjesh shumë më lehtë një tavolinë të lirë.
Ka ardhur koha, dhe ashtu si ora e dallëndysheve migruese, edhe amerikanët po kthehen në shtëpi. Por çdo vit shumë amerikanë kthehen nga Evropa me një keqkuptim shumë të madhe. Sipas tyre Evropa është “e çuditshme”. Se në dallim nga Shtetet e Bashkuara, kontinenti i vjetër është si një muze.
Por kjo nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Mënyra evropiane e jetesës ka ndryshuar në një mënyrë shumë më drastike sesa jeta në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave të fundit. Në fakt, ajo ka pësuar një revolucion të vërtetë nga emigracioni, ndryshimet klimatike dhe lufta.
Nëse lini mënjanë paragjykimet e vjetra, atëherë do të zbuloni se çdo qytet evropian nuk është aspak si ishte në vitet 1980. Dhe kjo është ajo që doja të tregoja në librin tim të ri “Kjo është Evropa: Mënyra se si po jetojmë tani”, që tregon Evropën e vërtetë të sotme, dhe jo atë të imagjinatave të mjegullta, dhe e bëjnë këtë përmes zërave të njerëzve që jetojnë atje.
Si ata që kanë shekujt që jetojnë atje por edhe përmes njerëzve si Aboud, që sapo kanë arritur atje. Pikërisht duke ndjekur historinë e Aboud, një refugjat sirian dhe një punonjës i degës së Amazon në Berlin, arrita të kuptoj se sa të ndryshme janë qytetet e Evropës nga mënyra se si i imagjinojmë ne amerikanët.
Ndryshimet ishin qartësisht të dukshme për Aboud. Ai mendon se Berlini nuk është aspak një qytet tipik gjerman. Në vend të kësaj, ai më tha se e kishte gjetur veten në një qytet emigrantësh, ku një mori emigrantësh nga Lindja e Mesme, afrikane, aziatike dhe evropiane lindore punonin për punëtorët gjermanë dhe evropiano-perëndimore që nga ana e tyre punojnë me laptopë, dhe që preferojnë të mos shohin shoqërinë e re të çuditshme përreth tyre.
Çfarë dinin ata, pyeti Aboud, mbi botën e tregut të zi gjysmë-kriminalizuar në të cilën gjendej tani, duke e ndjerë veten të bllokuar në autoritarizmin e butë të aplikacionit që i thoshte të kthehej majtas, djathtas ose të fotografonte paketën përpara se të hynte.
Përmasat e asaj që po ndodh mu bënë të qarta në Alpe, pranë një tjetër resorti turistik të njohur, por në një sezon tjetër: pistat e skive rreth Col de Montgenèvre, midis Francës dhe Italisë. Këtu, emigrantët afrikanë, i iknin varfërisë dhe dëshpërimi në vendet e tyre të origjinës, duke kaluar si dikur Hanibali dhe Napoleoni për në Francë natën, për të shmangur policinë.
Duke iu bashkuar atyre një natë, u detyrova të mbaj mbi shpinë një vajzë 5-vjeçare, sepse babai i saj i rraskapitur nuk mund ta mbante më, duke ecur nëpër dëborë në atë shteg të rrezikshëm. Ai e dinte mirë se jo pak burra si ai kishin vdekur. Ata shpresonin të shkonin në Paris.
Kjo botë emigrantësh – duke krijuar një Evropë të re – gjendet prapa çdo skene që mund të shohë në Evropë një turist amerikan. Turistëve amerikanë u ka shpëtuar fakti që Evropa po shndërrohet në një shoqëri emigrantësh. Të dhënat flasin vetë: 17 për qind e popullsisë gjermane ka emigruar atje që nga viti 1950.
Kjo shifër është më e lartë se 13.6 për qind e popullsisë amerikane që ka lindur jashtë vendit. Edhe në Irlandë, vendi tradicional i emigrimit në Botën e Re, popullsia e lindur jashtë është sot 18 për qind, sërish një normë më e lartë se në Shtetet e Bashkuara. Këto janë ndryshime dramatike për vendet që deri vonë ishin statistikisht shumë të ndryshme nga Amerika.
Ato mbetën në përgjithësi mono-etnike, me pak emigrantë. Kjo gjë ka sjellë me vete edhe ndryshime të mëdha kulturore. Për shembull marrim Francën, që në vitin 1950 kishte 0.55 për qind myslimanë, dhe sot është afro 10 për qind. Në mbarë Evropën, shkalla e transformimit vlerësohet shpeshherë më shumë nga vetë emigrantët. Evropa është në mesin e një revolucioni demografik. Dhe kjo nuk është shumë ajo që prisni të gjeni në një muze. Shumë turistë amerikanë mund të kenë vuajtur këtë vit valët e të nxehtit që sfilitën Evropën Mesdhetare për javë të tëra përgjatë kësaj vere.
Ky është një kontinent ku ndryshimi klimatik është në prag të ndryshimit të mënyrës së vjetër të jetës. Në fillim e kuptova këtë gjë duke u njohur me Jean-Marc, një prodhues verërash për shumë breza, në rajonin historik të verës në Burgundy të Francës. Çfarë mund të jetë më evropiane se një gotë verë Meursault e bardhë?
Në fakt pak gjëra. Por pyetja është edhe për sa kohë. Në të gjithë Burgundyn-n, të dhënat e mbledhura për herë të parë nga murgjit tregojnë për shitblerjet relativisht të qëndrueshme për shekuj me radhë. Por sot, më tha Jean-Marc, si pasojë e ndryshimeve klimatike, ata po vjelin më herët gjatë verës se dikur.
Dhe sasi të mëdha rrushi po humbasin nga zhdukja e modeleve të vjetra të njohura të dimrit, ndërsa vreshtat fillojnë të rriten përpara ngricave të fundit, dhe mund të mpiksen që në syth. Ndaj prodhuesit e mëdhenj të verës po marrin me shpejtësi masa paraprake: po blenë sasi
të mëdha toke dhe po mbjellin vreshta në Angli, Rumani, Japoni dhe Skandinavi, pasi shqetësohen se nëse temperaturat vazhdojnë të rriten, Burgundy nuk do të prodhojë më të njëjtën verë.
Nëse qëndron ulur në plazh, mund të duket sikur Evropa është mjaft e ngathët. Por unë ju lutem të hapni cilindo aplikacion të lajmeve që përdorni në telefonin tuaj. Lufta e ka tronditur shumë kontinentin. Turistët amerikanë do bënin mirë të kujtonin se Evropa nuk është vetëm destinacione të njohura pushimesh.
Gjenerali francez Charles de Gaulle, tha dikur se Evropa shtrihet nga Atlantiku deri në Urale. Kievi është diku në mes. Dhe pikërisht në Ukrainë, po zhvillohen betejat më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa forcat e komedianit të shndërruar në një burrë-shteti, Volodymyr Zelensky, po përpiqen të largojnë pushtuesit e Vladimir Putinit.
Jetët e transformuara nga kjo luftë janë ato si të Olyas, një vullnetare që e njoha në Vinnytsia, e cila u regjistrua në ushtri si kuzhiniere. Ajo e sheh Evropën si një kontinent, ku përplasja mes lirisë dhe tiranisë është reale dhe po ndodh pikërisht tani.
Në vend se të jetë aq e çuditshme dhe e palëvizshme, të themi sa Wisconsin ose Massachusetts, Evropa po transformohet vërtet nga dy kërkime të mëdha për lirinë: ato të emigrantëve dhe refugjatëve që vijnë nga jugu që e kërkojnë atë, dhe ata në luftë në lindje që përpiqen ta ruajnë atë.
Dhe kjo na çon tek argumenti më i thelluar mbi Evropën. Analistët amerikanë e kanë quajtur një muze, një vend ku është konsumuar historia për dekada të tëra. Por në këtë mënyrë atyre po u shpëton historia që po ndodh aktualisht. Në dallim nga Shtetet e Bashkuara, Evropa ka qenë në një revolucion të përhershëm në lidhje me mënyrën sesi e organizon veten politikisht prej gati 35 vjetësh.
Jo vetëm që Evropa e pas Luftës së Ftohtë ishte një kantieri ndërtimi i shteteve – shumë prej tyre të reja – ku mbi 12 prej tyre do të përfshiheshin në ndërtimin e Bashkimi Evropian. Njëzet prej tyre do të ndryshonin monedhën e tyre edhe në vitet e fundit. Po ashtu evropianët kanë ndërmarrë hapa dramatikë drejt huamarrjes kolektive, ndërsa Komisioni Evropian ka forcuar pozitat dhe ka një axhendë më të qartë.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë përjetuar një revolucion politik kaq të madh që nga Lufta Civile. Evropa mund të jetë sklerotike – mund të mos garantojë aq shumë ujë të ftohtë në rubinet sa mund të dëshirojë dikush – por e vetmja gjë që nuk po bën është të qëndrojë në vendnumëro. Për ta parë këtë mjafton thjesht që të dilni nga muzetë.