Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Prideni nisën ditën e sotme një cikël bashkëbisedimesh me fokus Evropën, me studentë dhe pedagogë të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Fokusi i këtij turi që do të vijojë në të gjithë Shqipërinë është dialogu për procesin e integrimit dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane nën titullin: “BE dhe Ti – Evropa fillon këtu”.
Sipas Ministrit Hoxha, ky lloj dialogu ka një rëndësi të veçantë sepse “teksa takimet zhvillohen më së shumti në Bruksel, reformat realizohen këtu, në Shqipëri”.
“Monitorimi kryhet atje, por ndikimi ndihet këtu; disa nga vendimet më të rëndësishme merren atje, por rezultatet mbeten këtu, tek qytetarët tanë”, tha Ministri i Jashtëm.
Sipas tij, Bashkimi Evropian është kantieri ynë i madh, ku secili prej nesh ka një rol.
“Është një histori që po e shkruajmë së bashku, çdo orë e çdo ditë, me punë, përkushtim dhe besim tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë”, theksoi Ministri Hoxha.
Në takimin me magjistratët e rinj, Ministrja Pirdeni u ndal në rolin thelbësor që do të ketë magjistrati në momentin që Shqipëria bëhet anëtare e BE.
“Sot magjistrati që do të dalë nga kjo shkollë, do të rritet dhe do të zhvillohet profesionalisht jo vetëm në bazën e një profili kombëtar, do të duhet që të projektohet në kualitetin e një gjyqtari që duhet të zbatojë legjislacionin evropian”, deklaroi Pirdeni.
Sot, sipas Pirdenit, nuk matemi me besueshmërinë e reformës, por me besueshmërinë e sistemit në praktikë, me eficencën, me konsolidimin e pavarësisë dhe të cilësisë së drejtësisë.











