Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po kryen një vlerësim të rrezikut, para se të vendosin për transferimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kjo, për të evituar dërgimin e tij në ambiente ku qëndrojnë individë që për shkak të detyrës që ka mbajtur, mund të konsiderohen rrezik për të.
Kështu ish-ministri do të vijojë të qëndrojë edhe për disa ditë në ambientet e paraburgimit 313, ku prej datës 4 Shkurt, është vendosur në pritje të transferimit në një burg të sigurisë së zakonshme, për të vuajtur dënimin me 3 vite e 4 muaj burg.
Ai është duke qëndruar në godinën numër 2, ambientet e reja të paraburgimit 313.
Tahiri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” me argumentin se ka mbajtur lidhje me kushërinjtë e tij të cilët ishin të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e narkotikëve.
Avokati Maksim Haxhia në daljen për media pas vendimit paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë ku do të kërkojë pafajësi, ndërkohë Kodi i Procedurës Penale i lejon ish-ministrit të kërkojë edhe shtyrje të ekzekutimit të këtij dënimi nëse plotëson disa nga kushtet e përcaktuara./m.j