Rusët dhe Amerikanët merren vesh shumë mirë për Ukrainën. Kështu pohon ministri i jashtëm i Moskës, Sergej Lavrov, që saktëson se se të gjitha “keqkuptimet” me Shtetet e Bashkuara lidhur me paqen ishin zgjidhur pas një takimi në fillim të këtij muaji midis Presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff. Ai shtoi se Rusia pret një paketë dokumentesh që do të sigurojnë paqe të qëndrueshme dhe do të përmbajnë garanci sigurie për të gjitha palët.
“Udhëheqësit aktual amerikan duhet t’i jepet merita, pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ai me të vërtetë do që të zgjidhë konfliktin në Ukrainë. Por duhen eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit si ndalimi i rrugës së Ukrainës për në NATO. Ne nuk kurdisim asnjë plan agresiv, siç e ka deklaruar qartë Presidenti Putin, as kundër anëtarëve të NATO-s, as kundër anëtarëve të Bashkimit Europian. Ne jemi të gatshëm të japim garanci të përshtatshme me shkrim në një dokument ligjor, bazuar në një dokument kolektiv reciprok. Ne i përmbahemi fjalëve tona. Por pala europiane po mpreh shpatat. Siç tha presidenti ynë, nëse Europa vendos të luftojë, ne jemi gati për këtë tani”, tha Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, Lavrov u kujdes shpejt që të kërcënonte. “Paqeruajtësit europianë do të bëhen menjëherë objektiva legjitime të ushtrisë ruse nëse vendosen në Ukrainë”, theksoi ministri rus. Ndërkohë, presidenti amerikan, më herët konfirmoi se administrata e tij nuk do të humbasë kohë me Ukrainën. Trump konfirmoi se kishte diskutuar planin e përditësuar të paqes me disa liderë europianë.
“Folëm me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të gjithë liderë shumë të mirë, miq shumë të mirë të mi. Diskutuam për Ukrainën, me fjalë mjaft të forta dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po presim të dëgjojmë përgjigje para se të lëvizim përpara. Ne nuk po shpenzojmë para në Ukrainë. Ne po i shesim NATO-s raketa dhe gjithçka tjetër. NATO po na paguan dhe pastaj i shpërndanë, kryesisht në Ukrainë. Por, ne po shpenzojmë shumë kohë dhe shumë përpjekje”, tha Trump.
Trump nuk u shpreh I bindur se do të marrë pjesë në një takim të thirrur për në fundjavë nga liderët europianë dhe Ukraina. Nga ana tjetër, Rusia po kërkon që ta joshë përmes bizneseve. Kremlini konfirmon se Moska ishte e interesuar të tërhiqte investime të huaja shtesë pasi Wall Street Journal raportoi se plani i SHBA-së për paqen në Ukrainë përfshin propozime për të investuar në minerale të rralla dhe energji ruse.











