Një faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e euros tek ne përveç nënçmimit të saj në tregun ndërkombëtare, është dhe rritja e fluksit të turistëve nga Kosova, pas përfundimit të Ramazanit, duke rritur ofertën për monedhën e përbashkët.
Monedha e përbashkët është kuotuar sot në nivelin më të ulët të këtij viti, e ndihmuar dhe nga rënia e saj në tregjet ndërkombëtare.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 139.47 lekë, 0.31 lekë më pak se një ditë më parë, duke shënuar rënien e tretë radhazi. Deri tani, niveli më i ulët i vitit ishte shënuar në janar, me monedhën e përbashkët që u këmbye me 139.69 lekë.
Në ditën e sotme ka rënë dhe dollari, pasi kishte arritur dje në tregun vendas në nivelin më të lartë në dy muaj. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye me 128.48 lekë, 0.45 lekë më pak se një ditë më parë.
Në tregjet ndërkombëtare, euro ra fillimisht në nivelin më të ulët që nga fillimi i prillit, për ta marrë veten pak më vonë në $1.0857. dollari ka qenë i fortë në bursat e huaja gjatë ditëve të fundit, si rrjedhojë e pritshmërive të rritjes së interesave nga Rezerva federale që nga pjesa e dytë e këtij viti.
Në tregun e brendshëm priten efektet sezonale, si rrjedhojë e rritjes së prurjeve të emigrantëve, ndonëse shpresa më e madhe është nga ata që vijnë nga Italia, teksa emigrantët në Greqi do të jenë më dorështrënguar këtë vit, si rrjedhojë e krizës së borxheve që po kalon Athina, që kulmoi me mbylljen e bankave për tre javë, që u rihapën vetëm këtë të hënë.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e euros tek ne përveç nënçmimit të saj në tregun ndërkombëtare, është dhe rritja e fluksit të turistëve nga Kosova, pas përfundimit të Ramazanit, duke rritur ofertën për monedhën e përbashkët./Monitor/










