Ian Bancroft, koordinator i EULEX-it për veri të Kosovës, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter rreth kodit telefonik për Kosovën.
Ai ka njoftuar se Serbia ka dorëzuar letrën pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, me të cilën letër sipas Qeverisë së Kosovës, Serbia “nuk e kundërshton dhënien e kodit telefonik”, transmeton Koha.net.
Shumë debate kishin plasur në vend pas dhënies së kumtit nga ekipi negociator i Kosovës se shteti do të bëhet me kod të vetin, pas Marrëveshjes që ishte arritur në Bruksel, e ku palët dakordoheshin që të zbatohej Marrëveshja e më hershme, e prillit 2013.
Por ekspertë të njohur të telekomunikacionit në vend kishin tërhequr vërejtjen se ky nuk është kod shtetëror, por vetëm kod gjeografik që “Serbia pajtohet që t’i ndahet një krahine të saj”.
Madje, sipas tyre, pronare e këtij kodi mbetet Serbia dhe ajo ka të drejtë ta tjetërsojë të njëjtin nëse do që ta bëjë një gjë të tillë. Ekspertët kanë thënë se Kosova do të mund të aplikonte vet në ITU për Kod telefonik. Por një gjë të tillë, për Kosovën e ka bërë Austria, në bazë të marrëveshjes, citohet Koha. (b.an)










