Nga Bajram Peçi
Pse nuk mund të hetohet Erion Veliaj në gjendje të lirë, të ndodhet, krahas hetimit, në detyrën ku është zgjedhur me votat e popullit të Tiranës? Gjyqtari Pëllumbi, që la në fuqi masën, nuk mori parasysh argumentet ligjore që parashtroi avokati Maks Haxhia. Në një prononcim të shkurtër para mediave u vu re se avokati ishte i tronditur nga agresiviteti represiv për ta mbajtur doemos Veliajn në izolim.
I gjithë qëndrimi prokuror-gjyqtar nxjerr në pah aleancën e rrënojës morale dhe intelektuale të disa individëve të përvetshëm në procesin hetimor e gjykim. Zotit Veliaj, kur të vijë koha, trupi gjykues le t’i provojë sa sa shumë i rrezikshëm është për sistemin shoqëror, por jo për shoqërinë!? Është një turp, pavarësisht për çfarë i ngarkohet si krim, që nuk hetohet i lirë e me detyrim paraqitje!
Avokati i mirënjohur, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, provon se i akuzuari nuk është i rrezikshëm për njerëzit. Veliaj hetohet për vepra me karakter administrativ që nuk paraqesin shkallë rrezikshmërie, ndaj masa e arrestit për të është e gabuar, argument që nga gjyqtari i vetëm nuk i merret parasysh. Kjo, as më shumë e as më pak, është pasojë e kryerjes me defekte të rënda e reformës në drejtësi. Mesa shihet dhe provohet, i gjithë institucioni është ndërtuar, duke lënë hapësira boshe mbi pushtetet dhe kontrollin mbi to. Përveçse bëra një kërkim në legjislacionin europian, pyeta një njeriun tim që punon si avokat në Neuchatel të Zvicrës dhe ajo që ndesha ishte se në gjykata apeli, që quhen gjykata të rivlerësimit të masës së sigurisë, ato nuk mund të jenë asnjëherë monokratike, por janë gjithmonë kolegjiale, nuk lihen në dorë të një gjyqtari. Këtu tek ne ligji i presupozon punonjësit e drejtësisë si të përjashtuar nga ndikimi politik. Zot, na ruaj!
Motilal Nehru, babai i kryeministrit të Indisë, një avokat i shkëlqyer, një nga figurat më të shquara dhe tërheqëse të nacionalizmit indian në epokën gandiane, u arrestua. Gjykatësi anglez bëri një shaka me Motilal Nehru. Pasi e pa atë të hynte në gjykatë, i ndjekur nga ndihmësi i tij avokat, që mbante libra të rëndë të ligjit, i tha: “Epo, zoti Nehru, pse e keni sjellë bibliotekën tuaj me vete”? “Zoti im, të mësoj ligjin”, ia ktheu Motilal Nehru! Idem, z. Haxhia, ish pedagog i të Drejtës Penale, jua shpjegon me ligj, me libra, me nene e kode se e kanë gabim, por fjala e tij nuk përfillet. Më tej, z. Haxhia detyrohet të shprehet se, “Nëse është e vërtetë ajo që ka ndodhur me gjyqtarin e Kushtetueses, për mua është një situatë skandaloze. Turp për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, që duhet të reagojnë! Ky institucion nuk ka kontroll. Ligji nuk e parashikon që të përgjojë këdo”.
Afërmendsh, me këto ligje që kemi ndërtuar, që monogjyqtari Pëllumbi do kishte pushtetin përfundimtar! Prokurori dhe gjyqtari shihen shpesh, janë rëndom në mirëkuptim, si rregull janë komplimentuese për njëri-tjetrin, si me thënë, dy gjysma që përbëjne të tërën. Kështu ndodh kur e lë shtyllën e drejtësisë, prokuror e gjyqtar, të qëndrojnë para marrjes së vendimeve të rëndësishme në dorë të një njeriu. Ministria jonë e Drejtësisë, ku me siguri ka punuar me grup pune në reformimin që do t’i paraqitej Kuvendit, do të duhej ta kishte patjetër parasysh se shtylla Prokuror-Gjyqtar, përmes vendimeve, ata do të formësojnë edhe strukturën e shoqërisë sonë, të kësaj shoqërie, ku një pjesë e madhe e të cilës, tashmë shohin tek hetues, tek prokur, tek gjytar, njerëz me anshmëri të spikatur politike, që atje-këtu nuk druhen aspak ta demonstrojnë bindjen e qëndrimin në rrjetet sociale.
Prokurorët janë thelbësorë në sistemin e drejtësisë penale, janë përgjegjës për përcaktimin nëse duhen kërkuar hetime përmes ndalimit dhe izolimit. Ata, siç mbrojnë në emër të shtetit, po ashtu detyrohen të mbrojnë edhe në emër të të akuzuarit. Është përgjegjësi e gjyqtarit që përmes vendimit të marrë parasysh edhe respektimin e të drejtave të të akuzuarit, sepse roli i tyre shtrihet përtej sallës së gjyqit.
Pas ngjarjeve të 1924-trës, ata që morën pushtetin e lënë zbrazur, zgjodhën Fan Nolin të kryente detyrat e kryeministrit. Eqerem bej Vlora, parlamentar, i arrestuar si kundërshtar i dyshuar politik, por pa asnjë lidhje me ngjarjet e qershorit, pasi u mbajt ndoca ditë në arrest, u lirua. Pas kësaj, i shkon në zyrë Nolit, me të cilin kishte lidhje shumë miqësore. “Ju nuk mund të bënit përjashtim, mik i dashur! -I drejtohet Noli- Çdo njeri i ndershëm në Shqipëri duhet të provojë së paku një herë burgun!”.
Ka ndodhur ky bashkëbisedim, plot 100 vjet më parë, por Shqipëria mbetet ajo që ka qënë në aspektin e institucioneve të drejtësisë, të cilat, si kudo, por më tepër në Shqipëri, s’mund të jenë të përjashtuara nga ndikimi i politikës së ditës, zhvillimet e saj.
Janë zgjedhjet parlamentare, të cilat do ishe duke fluturuar me presh, nëse nuk i vlerëson si përcaktuese në arrestimin e Veliajt, jeton ende në botën e rreme të fantazisë se “kryem me sukses reformën në drejtësi”, …tralala! Vetëdija e armiqësisë politike, të papajtushme tashmë mes palëve, i kanë parë dhe vazhdojnë t’i shohin si armiq kundërshtarët. Jemi ndodhur jo rrallë-herë, ku te gjykatat kemi parë të shfaqet gjithë marrëzia ataviste, ku secila palë përpiqet me sa mund ta nxinte tjetrën.
Flirti i sistemit të drejtësisë, me status vartësie nga politika, mbetet e do na shoqërojë, me sa duket, gjatë!