Dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë zbuluar në prokurori detaje të reja mbi vrasjen e Manecit në Sukth të Durrësit më 18 maj 2022. Drejtori i policisë së Durrësit Skender Hita deklaroi dje se dy vëllezërit kishin marrë porosi për vrasjen e Arben Mërkurit, i njohur me pseudonimin Maneci, kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij.
14 në pranga, 1 komunikim arresti në burg, 5 të shpallur në kërkim dhe procedim për shumë të kërkuarin Kasandro Noga, i arrestuar në Belgjikë, është bilanci i një super operacioni të policisë së Durrësit, për shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me vrasje me pagesë.
‘Zbërthimi’ i 2 vëllezërve, Indrit dhe Gentian Beqiraj ka zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale, 2 prej të cilave kanë nisur nga një porositës, Kasandër Noga, vrasje me pagesë për kundërshtarët e tij.
Biznesmeni Pëllumb Muharremi i njohur me pseudonimin “Rrumi” i Shijakut ishte planifikuar që të vritej, sipas dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj.
Kush është ‘Rrumi i Shijakut’?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte ‘mik’ i ish-prokurorit të Durrësit. Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë. Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.
Grabitja e pronave në Gjirin e Lalzit janë kthyer sebep i vrasjeve dhe sherreve nga ku përmendet dhe emri i ‘Rrumit të Shijakut’
9 shtator 2011 – Ekzekutimi i Skerdilajd Konomit
Automjeti tip Mercedes Benz i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi shpërthen në ecje në bulevardin qendror të Vlorës rreth orës 09:00, kohë kur gjyqtari ishte duke shkuar në zyrë për të nisur ditën e punës si normalisht. Automjetit i ishte vendosur një sasi prej rreth gjysmë kilogrami tritol, nga shpërthimi i telekomanduar i së cilës ai nuk mundi të shpëtonte.
Ngjarja tronditi Vlorën dhe mbarë vendin. Por, pavarësisht zotimeve për vendosjen e autorëve para drejtësisë, ende sot kur kanë kaluar më shumë se 10 vite nuk ka një autor. Pista e parë që u hetuan ishte vrasja për shkak të detyrës. Por, kjo pistë ra shpejt nisur nga fakti që i ndjeri ishte gjyqtar i Shkallës së Parë në qytetin e Vlorës dhe nuk kishte gjykuar dosje të bujshme, që të justifikonin atentatin e e mirëorganizuar ndaj tij.
Për këtë arsye, hetimet u zhvendosën tek çështja e pronave në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës, ku Konomi kishte përfituar në 2009 përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë 300 hektarë tokë të trashëguara në emër të bashkëshortes së tij.
Që prej asaj kohe, prona në fjalëështë përfolur shpesh mediatikisht si e lakmuar dhe pjesërisht e privatizuar përmes mbivendosjes dhe falsifikimeve nga grupe kriminale në Durrës, ku në disa raste është përmendur edhe emri i Landi Muharremit, njohur edhe si Aleksandër Laho, apo me pseudonimin “Rrumi i Sukthit”, i njëjti person që mbeti i plagosur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019 dhe person me precedentë të theksuar kriminalë.
24 tetor 2011 – Vdekja e zv.drejtorit të SHIK në Durrës
Sipas artikujve në disa media të kohës, SHIK udhëzoi agjentët në terren, sidomos në Vlorë dhe Durrës që të grumbullonin informacione që mund të çonin në zbardhjen e vrasjes së Skerdilajd Konomit.
Mes personave që u ngarkua me këtë detyrë në Durrës ishte zv.drejtori i SHIK për këtë rreth, Isa Çopa. Por, pak javë pas marrjes së këtij urdhri, Isa Çopa gjendet i shkrumbuar brenda automjetit të tij në Plazhin e Currilave. Brenda makinës është gjetur pistoleta e tij që kishte shkrepur një herë. Policia tha paraprakisht se dyshonte për vetëvrasje, nisur edhe nga një mesazh që i ndjeri i kishte dërguar në telefon të birit.
Familjarë dhe të afërm të viktimës përjashtuan pistën e vetëvrasjes. Autoritetet shqiptare kërkuan ndihmën e ekspertëve mjeko-ligjorë gjermanë për të kuptuar se çfarë i kishte ndodhur Isa Çopjas. Provat nisen për t’u analizuar nga gjermanët, të cilët në dhjetor të 2012 kthejnë përgjigje përmes një raporti të gjatë, ku nuk flitej për vetëvrasje. Sipas ekspertizës gjermane, Isa Çopa ishte dhunuar me sende të forta në pjesën e kokës dhe në momentin që është djegur brenda makinës së tij, tip Opel Corsa ka qenë ende i gjallë. Raporti gjerman thotë se shkrepja e vetme e pistoletës ka ndodhur për shkak të nxehtësisë dhe jo prej tij.
10 shtator 2016 – Dhunohet biznesmeni libanez, Faadi Mitri
Një ditë pas 4-vjetorit të ekzekutimit mafioz të Skerdilajd Konomit, biznesmeni libanez, Faadi Mitri dhunohet paq në rrugën e Rinasit, pasi më parë dy persona, që policia nuk i identifikoi dot përplasën makinën e tyre, tip “Volksëagen Tuareg” me mjetin “Mitsubishi” me të cilën Mitri po udhëtonte familjarisht.
Pas përplasjes që dyshohet se ka qenë e qëllimshme, njëri prej personave del me një shkop bejsbolli dhe dhunon biznesmenin libanez në mes të ditës në sy të dhjetra kalimtarëve dhe familjarëve të tij. Mitri përfundon në një spital privat, ndërsa autorët në drejtim të paditur.
Fill pas këtij episodi, ai dhe kompania që ai përfaqësonte thanë se dhuna lidhej me pronën në Gjirin e Lalëzit, ku do të investoheshin miliona euro si pjesë e një projekti për zhvillimin e turizmit. Kreu i grupit “OMNIX”, që Mitri përfaqësonte u shpreh i habitur sesi autorët nuk u vunë në pranga dhe deklaroi largimin e Mitrit dhe të kompanisë nga “sytë këmbët” nga Shqipëria dhe bashkë me ta edhe të 450 milionë eurove që do të investoheshin.
8 maj 2018 – Grabitet posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit
Dy persona të paidentifikuar sulmojnë dhe marrin një çantë me “dokumente me rëndësi” nga postieri i Postës së Durrësit. Ngjarja ndodhi pranë Zyrës Qendrore të Postës, pak pasi postieri ka dalë nga godina. Grabitësit kanë synuar dhe ja kanë dalë mbanë që të marrin materialet që ai kishte tërhequr për llogari të organit të akuzës.
Edhe sot e kësaj dite është e paqartë se çfarë përmbanin këto dokumente, por praktika sugjeron se përgjithësisht materialet sekrete prokurorive të rretheve i shkojnë me postë, ose nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ose transkriptime të përgjimeve nga Prokuroria e Përgjithshme. Në një pjesë të mediave u hamendësia se materialet e grabitura lidheshin me hetimet për pronat në Gjirin e Lalëzit.
24 maj 2018 – Grabiten dosje nga zyrat e Prokurorisë së Durrësit
Pa u mbushur një muaj nga grabitja e postierit, persona të maskuar dhe ende të paidentifikuar futen në ambientet e prokurorisë dhe largohen prej andej me dokumente nga dosjet hetimore që lidhen me çështjen e pronave, po në Gjirin e Lalëzit.
Në shënjestër të grabitësve ka qenë zyra e Prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu. Ata kanë marrë dokumente me rëndësi, dosje origjinale hetimore si dhe kompjuterin e vetë prokurorit dhe të oficerit të Policisë Gjyqësore. Prokurori Shehu po hetonte çështjen e abuzimit të pronave në Ishëm, që përfshin edhe Gjirin e Lalëzit.
Mënyra e grabitjes së dokumentacionit sugjeron se autorët ishin të mirëinformuar, pasi veç dokumentacionit kanë shkatërruar edhe serverin e kamerave të sigurisë duke humbur gjurmët, ndërsa një variant që qarkulloi është se ata janë futur në godinë duke përdorur kartat e punonjësve, pa qenë nevoja për të thyer ndonjë derë.
Klodiana Lala, është shprehur në një intervistë televizive se biznesmeni dhe i shumëkërkuari i SPAK Ervis Martinaj, kishte përplasje me biznesmenë të fuqishëm në vend, veç përplasjeve me elementë të grupeve kriminale.
“Janë dhe biznesmenë të fuqishëm të ndërtimit që Martinaj kishte përplasje. Është dhe një biznesmen që po ndërton në Gjirin e Lalzit. Ata i kanë marrë para dhe nuk kanë pasur mundësi t’i kthenin mbrapsht. Ai (Martinaj) ka kërkuar të marrë vila mbrapsht”, është shprehur Lala.
Gazetarja ka thënë se ajo vetë kohë më parë e ka takuar Ervis Martinajn nën shoqërinë e një ish-deputeti, por nuk e tregoi emrin e tij.
“Ai kishte lidhje shumë të forta dhe ka mundësi dhe potencial për të inskenuar ngjarjen. Por duke para numrin e madh të kundërshtarëve, që nuk janë njerëz dosido, ka mundësi që njerëz që janë në kërkim të rrëmbehen dhe të vriten”, u shpreh gazetarja.
E përbashkëtat e Ervis Martinaj dhe ‘Rrumit të Shijakut’
Zhdukja e Ervis Martinaj muajt e fundit është kthyer në kryetemë të mediave dhe institucioneve ligjvënëse. Vis Martinaj i quajtur ‘Mbreti i Llotove’ tashmë është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.
Fati i bizneseve të tij nuk dihet ende kujt do i kalojnë edhe pse ai ishte i rrethuar me shumë armiq, policia ende nuk ka një njoftim zyrtar se cfarë ka ndodhur me biznesmenin Martinaj.
Aleksandër Laho i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’, njeriu që sot jeton i rrethuar në vilën e tij luksoze, nga truproja të shumtë njihet si personi që ka grabitur pronat e bregdetit. Të përbashkëtat e Rrumit me Martinajn janë bizneset, pronat, truproja, miq të politikanëve dhe armiq shumë që kërkojnë konkën e tyre si triumf për ‘mbretërit e ri’ që kërkojnë të marrin dinastitë e tyre.
Përplasja e ‘Rrumit’ dhe Dervishajt për tokat në bregdet
Dikur një zonë e papopulluar, me pisha të buta dhe pa infrastrukturën e nevojshme hoteliere, Gjiri i Lalzit është kthyer në vitet e fundit në zonën bregdetare të pëlqyer të politikanëve dhe biznesmenëve, që kanë ndërtuar këtu vila luksoze.
Luftë e cila krahas zhvatjes së pronave në bregdet, përmes dokumenteve të falsifikuara, është kthyer edhe në një përpjekje për të kontrolluar Portin e Durrësit, ku në qendër të të gjithë kësaj batareje me plumba, qëllimi duket se është lufta për territore. Mbi të gjithë, rezultojnë të jenë të përfshirë, dy emra të njohur të botës së krimit.
Në njërën anë Plaurent Dervishaj, dhe në krahun përballë, Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”. Plumba të cilët përpara se t’i linin vend skenës së përgjakur të atentateve, do të parapriheshin nga disa ngjarje të tjera.
Mafie e tokave në bregdet që shpejt duket se do të prodhonte edhe atentate të rënda, ku skena e parë e përgjakshme do të shënohej në fshatin Koxhas të Shijakut, ngjarje kjo e ndodhur më 20 qershor 2019, ku Plaurent Dervishaj dhe miqtë e tij do të sulmoheshin me armë nga persona për të cilët ata nuk dhanë njohje gjatë dëshmive të tyre në prokurori, por që shpejt u kuptua se shkëmbimi i ndërsjelltë i plumbave, po zbrazeshin nga lufta për trojet në bregdet, shkruan emisioni Shenjestër.
Gjatë hetimit ka rezultuar se pas djegies së mjetit ‘BMW’ autorët janë larguar me mjetin ‘Golf 6’ në autostradë në segmentin rrugor ‘Tuneli’ fshati Shënavlash-kthesa e rrugës ish-Pularia ‘Florjen’, ku janë shkëmbyer në ecje e sipër me makinë përsëri me të dëmtuarit Bashkim Haxhiaj dhe Julian Meçaj të cilët ishin duke qarkulluar me automjetin ‘Range Rover’ në drejtim të spitalit Durrës”.
Por grupi hetimor kërkoi gjatë krehjes së kamerave të sigurisë edhe sekuestrimin e pamjeve filmike të restorantit ‘Tratoria’ që është në pronësi të Xhemal Muharremit, i cili rezulton të jetë edhe babai i Pëllumb Muharremit, alias ‘Rrumi’ i Shijakut.
Ky i fundit, që do të rezultojë se është në konflikt me Plaurent Dervishaj, objektivin e atentatit të dështuar në fshatin Koxhas të Shijakut. Kamera që në fakt rezultuan të ishin jashtë përdorimit.
Por si u zbuluan tre të dyshuarit si vrasës me pagesë?
Ishte njoftimi për një përplasje makinash e më pas pengmarrje që zbuloi krimet e kryera dhe planet për të tjera vrasje. Ditën që Indrit Beqiraj u mor peng për disa metra në autostradën Tiranë-Durrës ai së bashku me të vëllain ishin nisur të vrisnin dy shtetasit S.Z. dhe I.H.
Porosia për këtë vrasje është dhënë nga Flamur Bejko, efektiv burgjesh, i cili kishte konflikt me shtetasit që do të vriteshin.
Për këtë krim, polici i burgjeve kishte parapaguar 3500 euro, ndërsa vëllezërit Beqiraj kishin siguruar mjetet për realizimin e ngjarjes, konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat u gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë, të hënën e tre tetorit./Voxnews