Kreu i Postës Shqiptare, Ervin Bushati gjatë një interviste per ATSH është shprehur ndër të tjera se Posta Shqiptare ka qenë me shërbim të shtuar për qytetarët për shpërndarjen e bonusit dhe pensioneve në ditët e festave të dhjetorit.
Intervista e plotë:
ATSH: Zoti Bushati, në shtator të këtij viti ju u zgjodhët në krye të Postës Shqiptare. Cilat janë objektivat tuaja në përmirësimin e shërbimit në Postë?
Bushati: Posta Shqiptare Sh.A është një kompani me një histori 109 vjecare që operon në tregun e shërbimeve Postare dhe Financiare bazuar në kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Si një nga kompanitë më të rëndësishme në ekonominë shqiptare, ofron për komunitetin një kategori të gjerë të shërbimeve të interesit të përgjithshëm publik, duke i shërbyer të gjithë target grupeve të klientëve. Ndër vite, Posta Shqiptare ka shërbyer për komunitetin si një institucion ndërmjetës midis biznesit, qytetarit dhe institucioneve publike dhe private. Një nga objektivat më të rëndësishme të Postës Shqiptare mbetet përmirësimi i shërbimeve të ofruara për qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit në sportel, në drejtim të ofrimit të një shërbimi korrekt, të besuar, të shpejtë dhe fleksibël. Duke universalizuar sportelin dhe standartizuar shërbimin, duke përmirësuar burimet njerëzore, në drejtim të profesionalizmit dhe kualifikimit të tyre, do të krijojmë mundësinë për qytetarët që në zyrë postare të gjejnë zgjidhje për të gjitha kërkesat e tyre për shërbime financiare dhe bankare, në një kohë shumë të shpejtë. Duke parë ecurinë në rritje të shërbimeve që ofrojmë, mendojmë që në ambientet që aktualisht disponojmë të krijojmë më shumë komoditet duke i bërë më funsionale, për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje dhe besimit që na falin qytetarët tanë. Në përshtatje me zhvillimet teknologjike, kërkesave të tregut financiar, fokusi ynë do të jetë përmirësimi i vazhdueshëm i digjitalizimit të proceseve operacionale të shërbimeve që ofrohen në sportelet e zyrave tona. Duke përshtatur aktivitetin tonë me zhvillimet teknologjike, do të afrojmë drejt Postës Shqiptare target grupet e klientëve potencialë (bizneset).
Në përmbushje të objektivave afatshkurtër për rritjen e cilësinë së shërbimeve postare, Posta Shqiptare ka planifikuar një përmirësim të mëtejshëm të flotës dhe logjistikës së saj, në linje dhe me objektivat 2030 të qeverisë për mbrojtjen e mjedisit, duke rritur numrin e makinave dhe motorëve elektrikë në përdorim.
ATSH: Lidhur me ndarjen e shpërblimeve të dhëna nga qeveria për pensionistët dhe njerëzit në nevojë. Si ka ecur ky proçes përgjatë muajit dhjetor dhe çfarë lehtësirash ofroni ju si Posta Shqiptare për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve dhe qytetarëve që nuk kanë mundësi fizike për të ardhur dhe tërhequr shpërblimin apo pensionet?
Bushati: Siç edhe jeni në dijeni, qeveria shqiptare akordoi një fond prej 40 milion dollarësh si bonus për festat e fundvitit, prej të cilit përfituan rreth 700 mijë persona, pensionistë dhe të gjitha kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë të aftësisë së kufizuar. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Posta Shqiptare mori masa për manaxhimin e procesit të shpërndarjes së shpërblimeve. Në funksion të krijimit të lehtësirave, aktiviteti i Zyrave Postare të pagesave u organizua me orar veprimi 07 : 30 deri në 17: 00, duke vijuar me pagesat edhe ditët e pushimit, në mënyrë që procesi të përfundonte në kohë dhe të gjithë pensionistët të arrinin të paguheshin para festave.
Proçesi i shpërndarjes së shpërblimeve nisi në datën 17 Dhjetor dhe ka vijuar normalisht. Në funksion të evitimit të radhëve, në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, hartuam një grafik mbi shpërndarjen normale sipas datave, me qëllim përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.
Përgjatë muajit dhjetor udhëzuam sportelet mbi respektimin e masave anti – COVID 19, duke ruajtjur distancat, dhe sigurisht morëm masa me qëllim evitimin e radhëve dhe grumbullimeve që mund të krijoheshin në ambientet e Zyrave Postare.
Për kategorinë e pensionistëve të cilët nuk patën mundësi fizike për të ardhur dhe tërhequr pensionet, Posta Shqiptare prej vitesh ofron dërgimin e pensionit mujor në shtëpi. Për pensionistët të cilët kanë zgjedhur të paguhen në këtë mënyrë, shpërblimi i fundvitit u është dërguar nga Posta Shqiptare në shtëpi së bashku me pagesën e pensionit mujor. Ndërsa për të gjithë ata pensionistë që nuk e kanë tërhequr shpërblimin në muajin Dhjetor, kanë mundësinë e tërheqjes së tij në vijm të janarit së bashku me përfitimin e tyre mujor.
Ajo që më duhet të theksoj është fakti se deri në fund të muajit dhjetor kanë arritur të tërheqin shpërblimin e fundvitit rreth 80 % e pensionistëve që paguhen në të gjithë Republiken e Shqipërisë.
ATSH: Në muajin dhjetor Posta Shqiptare ka treguar një vëmendje të shtuar ndaj fëmijëve në nevojë duke shpërndarë dhuarata dhe organizuar evente për ta në kuadër të festave. Keni marrë një feadback nga këta fëmijë?
Bushati: Të gjithë kemi një mision publik ose politik në jetën tonë, varet se si e shohim jetën dhe sa e zhvillojmë atë. Prej afro nëntë vitesh në kohë festash e kam ndjerë në zemër që të jem pranë fëmijëve të ‘Institutit të fëmijëve që nuk dëgjojnë” dhe ‘institutit të Fëmijëve që nuk shikojnë”. Ka qënë gjithnjë shumë emocionale dita kur kam qënë pranë tyrë , bashkë me miq, ku jemi përpjekur të harmonizojmë një simbolikë qytetare. Jam përpjekur që të organizoj një konkurs për të qënë më pranë këtyre fëmijëve, të cilët janë shumë krijues, dhe kartolinat e fundvitit gjithnjë i kam zgjedhur nga këta fëmijë. Ata janë fëmijë të cilët botën e shohin dhe e duan njësoj si ne, të cilët e kanë shpirtin po aq të madh sa ne pavarësisht aftësive ndryshe. Krijimet e tyre kanë gjithnjë motivin e përfshirjes, familjes, shtëpisë dhe marrëdhënien me ata që duan më shumë. Një nga sfidat e këtyre fëmijëve është integrimi dhe pranimi i tyre nga shoqëria. Duhet që këta fëmijë ti kemi më pranë shoqërisë sonë dhe integrimi është vlera kryesore. Ndaj edhe këtë vit në krye të Postës Shqiptare ndoqa të njëjtën traditë, atë të organizimit të konkursit me punimet e këtyre fëmijëve për përzgjedhjen e kartolinave të fundvitit. Të gjithë ata që kanë marrë këto kartolina janë përgjigjur me zemër, për vetë mesazhin që ato përcjellin. Shpresoj që këto reagime të mos jenë momentale, por të jenë një angazhim i institucioneve apo qytetarevë
ATSH: Cilat janë sfidat me të cilat ndeshet sot shërbimi postar në Shqipëri?
Bushati: Periudha e “Covid-19’’ në vitet 2020 dhe 2021 e në vazhdim, pati një impakt të drejtpërdrejtë në tregun e shërbimeve postare. Ndikimi më i ndjeshëm ishte bllokimi dhe reduktimi i fluturimeve pothuajse në të gjitha aeroportet kryesore të botës, duke sjellë si pasojë kufizimin e numrit të destinacioneve, vonesa në vijim dhe dorëzim nga homologët postare të vendeve të tjera dhe rritje të tarifave të transportit. Të ndodhur ende nën ndikimin e pandemisë, herë me flukse dhe herë me përmirësime, problematikat me transportin ajror vazhdojnë të mbeten një çeshtje e cila ndikon drejtpërdrejtë në shërbimin postar në Shqipëri, rajon e më gjerë. Posta Shqiptare, në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare të përcaktuara nga UPU, renditet në listën e operatorëve publike të shteteve me performancë shumë të mirë në cilësinë e shërbimit të ofruar. Rritja shumë e madhe e numrit të operatorëve të licensuar në treg nga AKEP për ofrimin e shërbimeve postare ekspres, por në mënyrë të veçante atyre të palicensuar të cilët operojnë në mënyrë informale kryesisht në drejtim të tregtisë elektronike brenda vendit, përbën një sfidë jo vetëm për Postën Shqiptare. Operimi i këtyre operatorëve informalë dëmton në tërësi tregun e shërbimeve postare në vend, jo vetëm sepse këto kompani shfrytëzojnë punonjës të pasiguruar por edhe sepse për shkak të mungesës së taksave dhe tatimeve, ulin tarifat e shërbimeve në treg, ndërkohë që Posta Shqiptare operon me tarifa, një pjesë e të cilave kanë më shumë se 20 vjet të pandryshuara.
Në përgjigje të sfidave të tregut, orientimi i shërbimeve postare të Postës Shqiptare drejt tregëtisë elektronike (e-commerce) në mënyrë të veçantë asaj brenda vendit, do të jetë në fokusin tonë edhe për vitin 2022. Në këtë këndvështrim, Posta Shqiptare gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një qasje të re, si nepërmjet prezantimit të një platforme elektronike të përshtatshme për shit-blerjen B2C (business to consumer) e cila do të ofrojë një super market online, ashtu dhe me organizimin stuktural të saj në funksion të zhvillimit të këtij shërbimi. Mungesa e nje adresari të plotë dhe të saktë si dhe përdorimi i tij nga ana e qytetarëve, mbetet ende një sfidë për shërbimet postare në Shqipëri. Ka patur disa tentativa për të realizuar një adresar të plotë në të gjithë territorin e vendit, por ka ende shumë qytetarë të cilët përdorin shenja konvencionale për të përcaktuar adresat e tyre mbi objektet postare. Përdorimi i një adresari të plotë, do të ndihmonte Postën Shqiptare dhe operatorët e tjerë të cilët operojnë në tregun postar, jo vetëm për të rritur numrin e dorëzimeve të suksesshme në adresë por edhe për të optimizuar kostot e dorëzimit.
ATSH: A do të kemi shërbime të reja, pasi kohët e fundit kemi parë që shërbimet vijojnë të shtohen?
Bushati: Duke përmirësuar proceset operacionale do të jemi më pranë kërkesave të qytetarëve, klientëve edhe me shërbime të reja duke zgjeruar më tej gamën e shërbimeve financiare dhe bankare që aktualisht ofrohen pranë Postës Shqiptare. Zhvillimet e tregjeve financiare dhe rritja apo ndryshimi i kërkesave konsumatore për shërbime të reja financiare dhe bankare, sigurisht që do të jenë në vëmendjen tonë me qëllim përmbushjen e tyre. Fokusimi ynë në këtë drejtim do të jetë lidhja e marrëveshjeve të reja dhe bashkëpunimi me Institucione si publike dhe private duke e parë Postën Shqiptare si zgjedhje e parë për Institucionet dhe palët e interesuara. Theksojmë se prej më shumë se një viti, Posta Shqiptare është licensuar nga Banka e Shqipërisë edhe si Institucion i Parasë Elektronike, duke krijuar mundësi për përditësimin e aktivitetit të saj me zhvillime të reja dhe përcjelljen e tyre drejt klientit. Në shfrytëzim të avantazheve konkurruese, synojmë ofrimin e disa shërbimeve bankare dhe financiare në vende dhe rajone ku njësi dhe operatorë të tjerë nuk ushtrojnë aktivitetin e tyre.Me kohën do të synojmë të ndërrmarrim ofrimin e shërbimeve të tregut të sigurimeve në bashkëpunim me kompani të Sigurimeve që operojnë në tregun shqiptar.
Në drejtim të shërbimeve postare, Posta Shqiptare do jetë e fokusuar në rritjen e cilësisë së shërbimit nëpërmjet inovacionit dhe tek tregtia elektronike. Në këtë këndvështrim, Posta Shqiptare gjatë vitit 2022 do shikojë mundësitë për të implementuar teknologjitë me avant-garde dhe më inovative të mundshme në shërbimet postare, të cilat përdoren sot nga operatorët postarë të përmasave globale, siç është transporti me motorrë elektrike, makina elektrike, madje edhe me dronë. Posta Shqiptare synon që jo vetëm të rrisë cilësinë e shërbimeve postare por gjithashtu ajo ka në fokus edhe përgjegjshmërinë sociale. Në këtë këndvështrim, ne synojmë që brenda pak viteve Posta Shqiptare të shndërrojë flotën e saj të mjeteve motorrike në 100% të pastra për ambjentin, duke qëndruar në pararojën e operatorëve publikë postarë në botë.
Gjithashtu viti 2022 do të jetë viti i konsolidimit të Postës Hibride, shërbim ky i cili ofrohet vetëm nga Posta Shqiptare. Ky shërbim konsiston në përpunimin e të dhënave elektronike, formatimin e tyre, printim (të kategorive të ndryshme), zarfim dhe dorëzim deri në adresë, nga Posta Shqiptare. Në këtë shërbim përfshihen printime të kartolinave, materiale publicitare të kategorive të ndryshme, printime dhe zarfime të faturave të ndryshme dhe letrave në sasi të mëdha dhe në një kohë rekord. Ky shërbim shoqërohet nga një cilësi e lartë e dorëzimit nga shërbimet postare të Postës Shqiptare.
/b.h