Nga Pëllumb Kulla
Tregim me motivet e një ngjarjeje të vërtetë, që nuk desha të rrija pa e shijuar
Ime bijë e dashuruar me gjuhën spanjolle, që e pat mësuar në moshë të njomë ende, e realizoi ëndrrën e saj, që të vazhdonte studimet në një universitet të kryeqytetit spanjoll.
Gjeta një javë të lirë dhe e shoqërova atë për n udhëtim njëjavor në Madrid, për një “study abroad semester” (siç e quajnë këtej amerikanët. E bejne këtë universitetet, duke u vënë studentëve të ardhshëm në dispozicion një jëvë, për t’i siguruar ata se do të kenë një akomodim mikptitës të rehatshëm në tërë vitet e studimeve).
Më 6 shtator, dy orë përpara mesnatës, u gjendëm në Madrid.
Nuk e kisha shkelur truallin spanjoll kurrë më parë dhe iu bëra shok time bije me shumë kënaqësi. Vazhdonim edhe në taksi: unë dremitjen e nisur në avion dhe ajo bisedën në spanjisht, tani me shoferin. Këtë bëmë derisa zumë hotelin.
Të nesërmen ime bijë, nuk jepte që nga dhoma e saj, asnjë shenjë se kishte ndërmend të zgjohej aq herët saç isha zgjuar unë. Nuk e gjeja durimin ta prisja, ndaj vendosa të zbrisja në kat të parë të merrja një kafe.
Ishte habi për kokë të habisë: dialogu i parë që dëgjova në korridorin e katit ku ndodheshim qëlloi të ishte shqip! Ishin dy vetë që i shanin pa të keq nënat njëri tjetrit. M’u duk ogur i mirë se shaheshin me një shqipe të kripur, por pa kurrëfarë çjerrje grindavecësh.
I arrita dhe hyra tok me ta në ashensor. Nuk kishin faj që kujtonin se s’i kuptoja, ndaj teksa zbrisnim, ata vazhdonin të ngacmonin njëri tjetrin me fjalë të pista.
“Mjaft, or djem,” u fola dhe unë me gjuhën e tri nënave tona. “Nuk janë të hijëshme këto, sidomos në prani të tjerëve.”
“Qëllove ti shqiptar,” më thanë, “pa po të ishe tjetër, nuk do t’i kuptoje dot fjalët e ndyra.”
“Zhurmërima nuk u ka hije njerëzve me edukatë edhe sikur ata të recitonin vargjet e Lasgushit.”
E kuptova që dy bashkëkombasit e mi nuk ia patën dëgjuar ndonjëherë emrin poetit tonë kombëtar, por duke ecur drejt barit më treguan se ishin kolonjarë dhe kishin ardhur të shoqëronin vizitën në Madrid të presidentit të Gramozit, klubit të futbollit, të Ersekës. Nuk e pata dëgjuar më parë që Erseka të paskish një klub futbolli me emrin Gramoz.
U ndava nga dy djemtë e Gramozit që sapo hymë në sallonin e kafesë. Ata u ulën ca më tej nga unë dhe veçeveç porositëm kafetë.
Nuk patën kaluar as dy minuta, kur në kafe na hyri dhe një shqiptar i katërt. Tërë kënaqësitë që do të më jepte kjo javë m’u bënë grumbull që në mëngjesin e pa gdhirë. Ky i katërti na qëlloi të ishte Vaska, miku im i vjetër i viteve të para të Shkollës së Lartë për Aktorë “Aleksandër Mojsiu”. Që pas vitit të dytë, Vaska na i pat lënë studimet neve, se au vetë e ndjente se nuk qe për atë punë. U ndamë por, ja, qëllonte që takoheshim hera herës dhe kishim mbetur miq. Për punë teatri Vaska nuk ia thoshte, por në fusha të tjera i pat vajtur mbarë.
Mbarësia atij nuk iu nda edhe nga takimi me mua. Pas një përshëndetje të shkurtër, dhe pasi i tregova se aty ndodhesha si shoqërues i sime bije, ai desh zgjoi tërë kryeqytetin e Spanjës kur ulëriti nga gëzimi me duart drejt tavanit!.. Ja, i qe kujtuar befas, që mund t’i hyja në punë pas një halli të madh që i kishte dalë përpara.
Halli i Vaskës qe pleksur, siç më tregoi, sapo kishin ardhur në Madrid për ca traktativa me zyrtarët e Realit, klubit më të famshëm futbollistik të botës, me të cilët paskëshin rënë në ujdi për një ndeshje miqësore. Do të ishte edhe historike bile, kjo ndeshje mes Realit të Madridit dhe… Gramozit të Ersekës!
Ky lajm dukej aq përrallor, sa të linte pa frymë, por ja që Reali me Gramozin tonë kishin rënë dakord dhe do të përplaseshin në një fushë futbolli. Qenë bërë marrëveshjet e para, qe caktuar data, ishte paguar gjysma e parave që kërkonte paraprakisht shumëfishkampionia spanjolle dhe sot ata do të ishin në takim me presidentin e Realit, zotin Perez, për ca hollësira, të dorës së dytë, por mjaft të nevojshme përpara ndeshjes.
“E cili është halli?” ia preva unë me një pyetje tregimin e zgjatur.
“Po ja, or byrazer, përkthyesi që sollëm me vete për bisedat me Perezin, vajti e na u helmua keq dhe e kemi në spital. Është jashtë rrezikut, por sot nuk e kemi dot për atë punë që e morëm… Vajta mbrëmë fola me ata të ambasadës, se mos na ndihmonin ata, me ndonjë përkthyes tjetër. Nuk na ndihmojnë… Atyre u duket qesharake, se si mund të lozë Gramozi ynë i Ersekës me Realin e Madridit! Ku Erseka, thonë ata, e ku Madridi! Hundëpërpjetët e ambasadës e dijnë bukur mirë, se prapa Qazos, presidentit të klubit tonë, është i biri, që sotpërsot zotëron rubinetat e naftës shqiptare. Pa e mbështet edhe qeveria! Ajo e sheh rast të mirë, t’i thotë popullit; ja ku kemi arritur: komunizmin e përmbysmë dhe bëmë ëndrrën realitet!… Dhe të arrin Shqipëria të nxjerrë Ersekën të përballë Madridin!… Pa le sikur ne të përmbysim edhe Realin!… Mbledhkan buzët këta të ambasadës tonë, ‘Avashni, bre!’ thonë. ‘Erseka nuk ka lojtur njëherë të vetme me Skënderbenë e Korçës, të vejë drejt e drejt e t’i mprehë brinjët me Madridnë! Janë në vete këta, o?!’ Nuk ma zgjidhnë hallin. Ke parë ambasadë të tillë, ti?!””
“E mirë ku e pe hallin tënd të zgjidhur,” ia prita unë, “që desh na llahtarise dynjanë me atë ulërimën e lumtur?”
Ndërkaqë dy djemtë e ashensorit që më vonë mësova se ishin futbollistë, na qenë bashkuar. Edhe ata po prisnin shpjegimin e Vaskës.
“Zgjidhja? Po ja, bre, zgjidhjen e ndjeva, kur të pashë ty. Spanjishten, që na duhej, e di ti…”
“ Absolutisht jo!” ia ktheva.
Që të tre kolonjarët u prenë.
“Hë mo, ikë!” ia bëri Vaska. “Mos loj me ne, tashti!”
“Të betohem!” ia prita. “Kush të ka thënë ty, që unë zotëroj spanjishten?!”
“Po tërë kështu thonë, për ty, bre… Mos na ngri gjakun. E përse e thonë ata që e thonë?!”
Unë mblodha supet.
“E thonë, mbase, meqë e flet ime bijë dhe ata kujtojnë se e flet tërë fisi ynë! Ajo, po… Dhe do ta përsosë tani gjatë viteve të universitetit të këtushmë.”
Ata morën frymë të çliruar dhe u ndriti çehrja.
“E po ja, njësoj është!”
“Po si, bre, qënka njësoj?! Atë nuk e kemi pyetur…”
“Atë jo, nuk e kemi pyetur, por ja ku kemi babanë!… Unë, po i thashë bijës teme: do ta bësh!… Nuk bën gëk, ajo temja!””
Unë ia shkrepa gazit.
“Ore Vaskë, unë nuk jam aq autoritar me fëmijët saç je ti, oreee!… Na lerë rehat tani!… Pastaj, ku di vajza ime nga termat e futbollit”
Vaska u nervozua dhe filloi të bënte varavingo nëpër kafenenë e hotelit.
“Biseda është e shkurtër, bre! Është për hollësirat e fundit dhe terma futbolli nuk do na duhen. Çështje komunale do jenë, mo: ‘kur do të vini në Shqipëri?’ do pyesim ne… ‘Si do të flemë?’ do të pyesin ata… Të tjerat janë vendosur. U kemi paguar një qerre me para këtyre! Nuk venë kollaj lart e poshtë këta, po nuk ia shtrove paratë qilim!.. Edhe jot bijë do të paguhet me këtë rast…”
Qëlloi që Era do ta kishte të lirë atë ditë. Nuk pat programuar asnjë takim me spanjollët dhe ditën pas fluturimit e pat lënë të lirë.
Ajo kundërshtoi në fillim të shpjegimeve të mia, pastaj u mendua, iu duk një aventurë interesante dhe ra dakord.
Kështuqë, delegacionit kolonjar iu bashkuam dhe unë me Erën.
Në orën dhjetë unë gjendesha, aty ku një ditë më parë as që më shkonte në mend: në një sallon të bukur, bri zyrës së presidentit Perez!..
Nuk pritëm shumë. Dy presidentët dolën nga zyra me fytyra të ndritura pasi kishin zgjidhur nyjet e marrëveshjes dhe i patën firmosur. Mes atyre që i shoqëronin vinin me buzën në gaz edhe ime bijë me Vaskën dhe të gjithë bashkë ata u ulën në një tryezë ca më të madhe se këto tonat, ku u shërbyen menjëherë.
Perezi pyeti se kush ishim ne. Era dëgjonte dhe përkthente shpjegimet e presidentit tonë.
I zoti i vendit na u drejtua pastaj me zë të lartë dhe priti Erën që të na thoshte në shqip, se klubi i tij do ta kishte për nder që do të vizitonte një vend si Shqipëria dhe brenda saj, një qytezë piktoreske, Ersekën, për të cilën i paskëshin thënë se paraqiste një bukuri të rrallë. Perezi tha se ndeshja e futbollit nuk paraqiste për skuadrën e tij ndonjë sfidë madhore, as kontinentale dhe as ndërkontinentale, por ja, diferenca e madhe në popullaritet mes dy ekipeve do ta bënin që ajo përballje të mbahej mend në Europë.
“Edhe në një stadium të vogël, si ai i juaji, ne do ta tregojmë veten,” na siguroi zoti Perez.
Këtu ndërhyri presidenti i Gramozit, (që nuk kishte stadium fare, siç më thanë!)
“Thuaj, thuaja, moj përkëthyeskë, se këtë ndeshje ne do ta zhvillojmë në Tiranë, ngaqë nuk numërohen kërkesat e ne nuk u bëjmë dot ballë. Edhe ai stadiumi ynë në Ersekë thuajse atë kapacitet të atij të kryeqytetit ka, por për fat të keq ne na zgjatën ca riparimet e tribunave dhe…”
Perezi shprehu keqardhjen, por deshi Zoti, nuk tha që kish ndërmend të mjaftohej vetëm me një shëtitje në Ersekë. Nuk dihej çfarë riparimesh do të gjente Qazoja për Ersekën. Por, i gjori Qazo paskej një hall tjetër, edhe më të madh, prandaj rrëmbeu fjalën:
“Ajo që më kërkojnë mijërat e dhjetëramijërat e tifozëve” sqaroi Presidenti i Ersekës, “është që ne të respektojmë me domosdo atë pikë të kontratës, që sapo firmosëm!”
“Cilën?” pyeti ai i Madridit.
“Atë që, që të dy ekipet kundërshtare të zbresin në fushën jeshile me të gjithë yjet e tyre të njohur. Pa asnjë mungesë! Ne presim yjet e Realit dhe ju garantojmë, se yjet e Gramozit të Ersekës do t’i keni rresht, që nga ylli i parë, deri tek ay më i fundit!”
Dukej se kjo garanci e ngrohu edhe Perezin, se ai tundi kokën.
“Pa tjetër, pa tjetër!” siguroi dhe ai. Dhe rreth meje ndjeva që mezi po i përmbanin brohorimat.
Presidenti spanjoll nisi të sqaronte diçka për Ronaldon, atë më të ndritshmin nga yjet e tyre. Era e dëgjonte me vëmendje dhe në fund të fjalës të të zotit të shtëpisë u kthye nga ne me buzën në gaz. Fytyra vajzës vetëtinte nga lajmi që do të na jepte.
“Tani,” na u drejtua neve Era, “do t’ju përkthej një lajm të gëzuar: zoti Perez sapo tha që e vetmja pasiguri është që mund të mos marrin dot me vete një lojtar të dëmtuar, me emrin… se Ronaldo, se Rolando ….”
“Mooooooos!”
Vajzën desh ma zuri data! Ajo u tromaks kur pa të ngriheshin vërtik në këmbë tërë ata që më rrethonin mua dhe ata që, kishin vënë në mes tyre Perezin, Vaska me Muçin!
“Çfarë, çfarë?!” thanë njëzëri, të ardhurit nga Tirana dhe Erseka dhe desh iu vërsulën Erës. Ajo nuk po e shpjegonte dot këtë trazirë të papritur.
“ Po çfarë patët kështu?!” u habit ajo. “Më thanë që ky lojtar qënka më i miri! Më i miri në mënyrë absolute! Mungesa e tij juve ju bën punë! Ju do ta keni fitoren të sigurtë!”
Dhe nuk kuptonte, e gjora, se asnjë nga ata që prisnin përkthimin e saj nuk prisnin kurrfarë fitoreje! Fitore! Çfarë fjalë e shpifur!
Spanjollët e kishin kuptuar drejt reagimin e të dërguarve nga Shqipëria dhe shkëmbyen buzëqeshjet mes tyre. Perezi foli për ta dhe bija ime, e vetmja që nuk kuptonte se përse u krijua kjo gjendje, perktheu vetëm atë që kuptonte, gjuhën:
“Presidenti i Realit ka informacion mbi gjendjen e përmirësuar të futbollistit dhe duke parë këtë dëshirën tuaj të zjarrtë, garanton që do ta merrte pa tjetër, bile edhe me paterica Rolandon…”
“Ronaldoo!… Ronaldo, moj Ronaldo!” e korrigjuan me zemërim në kor, tërë ata që pat sjellë me vete Qazoja. Desh ma mbytën vajzën sikur ajo të paskej ngatërruar Krishtin me Muhametin!
“Ama përkthyese na gjete, o Vaskë!” iu shkrehën mikut tim.
Me kujdesin, për të mos u kuptuar tamam-tamam si barrikadë mbrojtjeje, u ngrita dhe qëndrova mes vajzës sime dhe shoqëruesve të egërsuar të presidentit të Gramozit.
* * *
Ndeshja u zhvillua pas disa ditësh.
Unë nuk pyeta më për zbritjen e ekipit të madh spanjoll për herë të parë në Shqipëri, kur vajti të përballej me skuadrën kolonjaree. Ai pakëz angazhim teksa e futën të përkthente bisedimet, dukej se e pat infektuar edhe vajzën time me morbin e tifos futbollistike. Në orët që në stadiumin e kryeqytetit shqiptar skuadrat ndesheshin njëra me tjetrën ajo dolli dy tri herë në ballkonin e hotelit të Madridit. Një herë më thirri dhe mua.
“Eja, shiko babi!” më ftoi, “ Nuk të duket se sonte ka më pak madridas nëpër rrugë?”
“Herët e tjera nuk i kam vënë re,” ia ktheva. “Po ti, përse interesohesh?”
“Them se duhet të ketë madridas këtu, që ndjekin në televizion ndeshjen e skuadrës së tyre, Realit, me Gramozin. Ju gjithnjë na e përshkruani futbollin, si sport që ka tifo të madhe. Tregoni se paska njerëz që luajnë mentsh, njerëz që u pushon edhe zemra nga emocionet.”
“Është e vërtetë,” i pohova, “në historinë e kësaj loje, shënohen plot të vdekur nëpër shkallët e stadiumeve.”
Kot priste ime bijë për të vdekur! Të vdekur të tillë nuk pati atë natë, as në Madrid dhe as në Ersekë, siç përfytyronte përkthyesja e dy presidentëve.
Më thanë se Perezi e besonte që stadiumi i qytezës kolonjare vazhdonte të riparohej, e le të vazhdonte, por stadiumin e Tiranës mbrëmjen e ndeshjes së madhe ai e pa të mbushur plot e përplot. Perezi dhe Qazoja me të birin atë bosin e naftës e ndiqnin përplasjen, ulur në llozhën e nderit, tok me udhëheqjen e lartë të vendit. Dy presidentët dhe sidomos Zotin e nëntokës naftëmbajtëse të vendit, nuk i kishte lënë pa i nderuar me praninë e tij edhe Presidenti i Shqipërisë, i ndjekur nga I gjithë Këshilli I Ministrave.
Ndeshja, pastaj, ishte zhvilluar rregullisht. Yjet e të dy ekipeve i ishin bindur kontratës dhe nuk kishin munguar. Reali pat shpënë edhe yjet rezervë. Bile, edhe Ronaldoja nuk kishte dashur të linte pa shijuar ovacionet për të, të sportdashësve kolonjarë dhe jo kolonjarë.
Afër fundit të ndeshjes, kur rezultati qe mbërthyer në tre me dy për miqtë nga Spanja, befas qenë shuar dritat në gjithë Tiranën! Stadiumin e kish pllakosur errësira, në çastin kur një sulmues i Gramozit kishte hapur fort këmbën që të godiste.
“Oooooo!’ ia pat bërë i tërë stadiumi.
Dhe në atë terr, as gjyqtari i takimit nuk dinte çfarë të bënte me ato pesë minutat që i kishin mbetur ndeshjes. Ishin vënë në punë ca gjeneratorë, por ndriçimi nuk ishte hiç ai i pari. Lojtarët vendas patën rrethuar arbitrin skocez dhe i kërkonin golin që të gjithë bënin be, se ishte parë nga mijëra e mijëra sy tek po matej të gjuante drejt portës madridase. Mysafirët nuk kundërshonin me aq zjarr si të ersekasve, por gjyqtari qe i mendimit se më i dëmtuari nga mungesa e ndriçimit, ishte portieri i Realit. Ai do ta kishte pritur topin e gjuajtur, hamendësonte gjyqtari… Ose gjuajtja mund të kishte përfunduar jashtë, pa qenë nevoja që topit t’ia priste rrugën portieri.
Ky i fundit kishte bërë një gjest që do të mbahet mend. Ishte një gjest kavaleresk, që i habiti të gjithë dhe lumturoi skuadrën e Gramozit edhe stadiumin mbarë. Ai e pranoi para gjyqtarit të ndeshjes, se kur u vunë në punë gjeneratorët, topi gjendej në fund të rrjetës. Lojtarët shqiptarë ishin vërsulur dhe desh e mbytën portierin spanjoll me të puthura. Stadiumi oshëtiu sa të bëje bè, që oshëtima po dëgjohej në gadishullin Iberik.
Gjyqtari u konsultua me ndihmësat e tij dhe e deklaroi golin të rregullt! Kështu edhe barazimin e rezultatit!
Festimet nuk rreshtnin në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Arbitri kërkonte që topi të vendosej në qendër. Ndriçimi ishte i dobët, i dobët, por rregullat e donin të rifillonte loja, e të luhej qoftë edhe për ato sekonda të pakta, që tregonin akrepat.
Asntu u bë. Gjyqtari vërshëlleu, Ronaldoja ia kaloi topin shokut më të djathtë dhe vetë qe nisur si bishë e tërbuar drejt portës kolonjare. Por u ndal.
Gjyqtari kish fryrë në bilbil ato tri vërshëllimat, që dekretojnë fundin.
Në tribunën qëndrore dëgjoheshin protestat e dy presidentëve kundërshtarë. Ai i Realit ankohej se ishte lënduar imazhi i ekipit të tij. Informacionin e saktë, që ekipi përballë nuk kishte atë histori që ia kishin paraqitur në Madrid dhe që nxirrte përfitim me fikje dritash e plot ankesa të tjera. Presidenti Qazo ankohej me zë më të lartë akoma! E kish me Bashkinë e Tiranës, e kish me drejtorinë e stadiumit, për problemin e dritave. E kish edhe me qeverinë që edhepse elektrifikimi kombëtar qe bërë para pesëdhjetë vjetësh, për turp ajo e sotmja, nuk garantonte siguri për evenimentet historike. E kishte dhe me gjyqtarin për ato katër pesë minuta që edhe në gjysëm errësirë mund të shtoheshin për të llogaritur vonesat.
“Ju betohem, se ne do të kishim fituar ndeshjen më të madhe të kohërave.,” u paskesh thënë gazetarëve. “Jo, or jo! Nuk bëhet ky vend! Ne po e mbyllnim ndeshjen në gjysmëfushën e zotit Perez, bre, në sulm! Do t’i kishim bërë krenarë shqiptarët kudo që janë në të katër anët e rruzullit me një fitore historike!’
Skuadra e Realit qe kthyer në Madrid që atë mbrëmje. Thoshin që Perezi tek po dilte nga avioni, majë shkallëve, i qeshte fytyra si hënë pesëmbëdhjetshe.
Ama, unë nuk e besoj kurrë që ajo haré i vinte nga barazimi i arritur ndaj Gramozit!…
Florida, 2022