Nga Europiani dhe eksperienca me Shqipërinë në “Francë 2016”, te pushimet dhe angazhimi me ekipe të ndryshme për të asistuar në seancat stërvitore dhe për të fituar eksperiencë. Gjithsesi, për një ish-bomber, futbolli është në plan të parë dhe fiton vëmendjen kryesore të aktivitetit jetësor gjatë gjithë kohës.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Erjon Bogdani analizon merkaton e kuqezinjve, shpjegon arsyen e trendit rritës të shqiptarëve, të cilët i janë drejtuar Serisë A, si dhe sugjeron përzgjedhjen që duhet të bëjnë kuqezinjtë gjatë periudhës së merkatos dhe cilit aspekt duhet t’i japin prioritet.
Gjatë fjalës së tij, ish-bomberi kuqezi, flet edhe për situatën e Sadikut dhe ka gjithashtu një këshillë për të. Jo vetëm kaq, por Bogdani rrëfen për gazetën edhe interesimet e ekipeve të ndryshme italiane për sulmuesin e Kombëtares.
Ndihmësi i trajnerit të kuqezinjve tregon parashikimin e tij në lidhje me ecurinë e kualifikueseve të radhës, objektivin që do të ketë Shqipëria dhe gjithashtu ka një këshillë për kapitenin Cana.
Bogdani, pjesëmarrja në Europian, a ka ndryshuar diçka në mënyrën e të bërit pushime për ju?
Jo, pushimet nuk kanë ndryshuar. Tani, në rolin e trajnerit apo ndihmësit kam më shumë kohë në dispozicion për të pushuar, se sa vite më parë, kur duhet të numëroja ditët, pasi vinte periudha që duhet të nisja përgatitjet.
Me çfarë merret Bogdani aktualisht?
Për momentin asgjë, sepse unë jam nën kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit. Megjithatë, si çdo herë tjetër, azhurnohem me stërvitjen e ekipeve të tjera në përgjithësi.
Puna me Kombëtaren mbetet krenari, por a keni marrë ndonjë ofertë për të vijuar karrierën e tanishme në vendin ku dikur keni luajtur dhe aktualisht jetoni me familjen?
Unë po marr shumë eksperiencë tek ekipi Kombëtar si zëvendëstrajner. Nëse në të ardhmen do të kem kërkesa për të drejtuar në Itali, patjetër që do të flas me FSHF-në për të vendosur. Për momentin, me shumë rëndësi është fakti që unë jap kontributin tim për Kombëtaren.
Pas Europianit kanë ndryshuar skuadër vetëm katër lojtarë (Balaj, Ajeti, Aliji, Roshi). Mos ndoshta kjo ndodh sepse ekipet nuk besojnë vetëm në tri ndeshje, por duan vazhdimësi për t’u bindur?
Gjithsesi, unë e vlerësoj në mënyrë pozitive, sepse gjykoj se është më mirë që lojtarët të zgjedhin këto ekipe sepse kanë më shumë mundësi që të tregojnë vlerat e tyre, sesa transferimi në një ekip me shumë emër dhe të mos luajnë. Pjesa më e madhe prej tyre, janë djem të rinj që mund të rriten dhe të fitojnë eksperiencë duke luajtur sa më shumë.
Po për Sadikun çfarë mund të thoni? Ai ka shënuar thuajse rregullisht para Europianit, ishte titullar në tri takime të zhvilluara në “Francë 2016” dhe sërish është pjesë e një ekipi në Ligën e Dytë të Zvicrës…
Sadiku e ka treguar veten në fushë se çfarë është i aftë të bëjë dhe uroj që të transferohet sa më shpejt në një ekip cilësorë. Gjithsesi, kjo është një çështje që i takon klubit të tij, Zyrihut, pasi ai është nën kontratë. Nuk e di nëse është normale apo jo, por presidenti i atij klubi kërkon shumë për ta lënë të lirë. Uroj shpresoj, që deri në momentin, kur të mbyllet merkatoja e transferimeve, atij t’i vijë një ofertë sa më e mirë dhe të mbyllet me sukses transferimi, pasi nuk është lojtar që meriton të luajë në Kategorinë e Dytë në Zvicër. Ai është përmirësuar shumë dhe këtë e tregoi edhe në Europian, ndaj për të mos përsëritur, shpresoj ta shohim sa më shpejt në një ekip cilësorë.
Duke qenë se ju e njihni mirë Serinë A. Te cila skuadër do ta sugjeronit?
Unë do të sugjeroja një skuadër italiane që është gjithmonë në mesin e artë të tabelës së klasifikimit. Me këtë, kam parasysh Torinon, që mendoj se do të ishte ideale, por edhe Sampdoria, Xhenoa dhe gjithashtu Kievo, pasi janë ekipe që nuk e rrezikojnë të humbasin kategorinë.
Po insistoj në këtë pjesë, a janë interesuar te ju për Sadikun apo lojtarë të tjerë, drejtues të ndryshëm nga Seria A?
Po, për Sadikun ka pasur disa interesime. Mund të përmend Atalantën. Megjithatë, në Itali ka një rregull shumë të vështirë për ekstrakomunitarët dhe që bëhet pengesë shumë e madhe për të luajtur në këtë vend. Madje, është kryesorja.
A keni biseduar me kapitenin Cana dhe çfarë i sugjeroni për të ardhmen?
Jo, nuk kam biseduar, së fundmi me të. Megjithatë, kur ishte në Francë, biseduam dhe më tha që do të mendohej gjatë. Kishte edhe një vit kontratë me Nantën dhe fillimisht do të fliste me presidentin e këtij ekipi. Nëse mendon të tërhiqet nga futbolli i luajtur, atëherë sugjerimi im është që të bëjë sa më shpejt kurset sepse si trajner apo si drejtor ka shumë për t’i dhënë futbollit, për vetë eksperiencën e madhe që ka.
Vite më parë, shqiptarët në Itali ishin shumë të pakët, madje, ishit ju dhe Igli Tare. Tani ka gjithmonë e më shumë. Pse mendoni se ka ardhur ky trend rritës?
Kur unë dhe Tare luanim në Itali, ishin të gjithë lojtarët më të mirë të botës në këtë kampionat, dhe Seria A për sa i përket aspektit ekonomik ishte shumë e fortë. Ndërsa tani, gjërat kanë ndryshuar. Seria A mbetet kampionat i fortë taktikisht, por kampionët preferojnë Anglinë, Spanjën dhe Gjermaninë. Aktualisht, forca ekonomike është me më shumë lojtarë mesatarë dhe pak kampionë.
Me këtë doni të thoni që ju e Tare keni qenë më të mirë sesa lojtarët aktualë të Kombëtares?
Jo, diçka të tillë nuk mund ta them , por kohët kanë ndryshuar. Atëherë futbolli ka qenë shumë ndryshe nga sot.
Ka vend për krahasime, nga atëherë në kohën e sotme?
Mjaft të shihen ekipet e Milanos si kanë përfunduar. Ose nëse do të krahasojmë Juven me Konten si trajner që arriti të bëjë 100 pikë në kampionat, kur më përpara diçka e tillë nuk ekzistonte. Mendoj që është si të krahasosh Juventusin e Kontes me atë të Kapelos, ku luanin Bufon, Kanavaro, Nedved, Emerson, Viera, Trezege, Kamoranezi e Del Piero, ndërkohë që Ibra rrinte në stol…
Të radhës janë kualifikueset për në “Rusi 2018”. Me ekipe si Italia dhe Spanja në grup, cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë?
Duhet t’i japim vazhdimësi ndeshjeve që kemi zhvilluar në Francë. Jemi të ndërgjegjshëm që kualifikimi është i vështirë, por kam besim se nëse do të zhvillojmë këto kualifikuese si në Europian, kemi për t’u hapur shumë probleme ekipeve si Italia dhe Spanja. Ndeshjet janë të vështira, por jo të pamundura dhe ky do të jetë edhe objektivi ynë.
Duke bërë një parashikim, kë do të rendisnit në krye, Italinë apo Spanjën?
Më shumë shikoj Spanjën… por, unë personalisht besoj Shqipërinë si të parën në grup!
Vetë De Biazi e ka pranuar që një futbollist me origjinë nga Kosova do të largohet nga Kombëtarja. Sa mendon se do të rrezikojë Shqipëria që të humbasë lojtarë të tillë?
Ajo është një zgjedhje e lojtarëve. Megjithatë, unë mendoj se Shqipëria nuk do të humbasë shumë futbollistë edhe në vazhdim.
Po futbolli në Shqipëri?
Ka ndryshuar ndjeshëm. Edhe niveli është rritur shumë, pavarësisht se ka ende shumë për t’u përmirësuar. Stadiumet, shkollat e futbollit në aspektin e infrastrukturës si dhe ekipet shqiptare që tashmë kalojnë thuajse lehtësisht disa ture në Europë, janë tregues pozitivë.
Kur thoni ka ende për t’u përmirësuar, i referoheni aspektit të trukimeve?
Unë e kam ndjekur pak futbollin në Shqipëri dhe nuk mund të flas me detaje dhe me bindje. Megjithatë, dua të theksoj se puna e trukimeve po ndërgjegjësohet dhe nga viti në vit ka më pak fenomene. Jo vetëm kaq, por duhet thënë që në të gjithë botën po luftohet.
Ish-kapiteni i Kombëtares Rudi Vata është shprehur se niveli i kampionatit shqiptar është i ulët dhe nuk shërben si ndihmë për elementet e talentuar. Jo vetëm kaq, por kampionati ka edhe problemet e trukimeve. Ju si mendoni?
Secili ka mendimin e tij, por unë nuk flas shumë rreth kësaj teme, pasi kam parë shumë pak ndeshje kampionati gjatë kësaj periudhe. Kam ndjekur 4 në pesë vite. Për më tepër, ato që kam zgjedhur të ndjek më janë dukur ndeshje të bukura dhe nivel i mirë.
Për herë të parë u dënua një ekip shqiptar për trukime. Mendoni se pas këtij dënimi të Skënderbeut, Partizani duhet të shpallet kampion, duke qenë se po luan edhe në Champions?
Unë nuk e di se për çfarë është dënuar ekzaktësisht. Por, nëse ka bërë trukime dhe është e vërtetuar diçka e tillë, atëherë mendoj se po. Për të qenë i sinqertë, nuk kam qenë shumë në brendësi të çështjes, por kam biseduar me disa futbollistë të Skënderbeut dhe më kanë thënë se akuzat kanë qenë të ekzagjeruara dhe të pabaza.
E keni ndjekur Partizanin në Europë?
Pak. Ndoqa ndeshjen me Salzburgun dhe m’u duk një ndeshje e barabartë në aspektin e lojës.
Mendoni se mund t’ia dalë që të bëjë surprizën në ndeshjen e kthimit?
Rezultati është penalizues, mirëpo, në futboll nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Për të qenë realist, e shoh të vështirë arritjen e mrekullisë në ndeshjen e kthimit. Dua të theksoj që meritë ka presidenti, i cili po e kthen Partizanin në një ekip të rëndësishëm dhe ku i takon të qëndrojë në histori. Unë kam dëshirë dhe shpresoj që ta shoh në grupe./panorama/a.k