Nga Fatos Tarifa
Më 20 janar, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u rikthye në Shtëpinë e Bardhë si president i 47-të i atij vendi. Ky është rasti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara kur një ish-president rikthehet në krye të shtetit, pas presidentit Grover Cleveland në vitet 1893-1897 dhe 1885-1889.
America’s New “Golden Age”
Është ende shumë herët të parashikosh se ç’mundet eventualisht të ndodhë, por përvoja e mandatit të parë të presidentit Trump, retorika e fjalimeve dhe e intervistave të tij gjatë fushatës elektorale dhe përbajtja e fjalës së tij në Rotundën e Kapitolit në Uashington pardje e bëjnë qartësisht të lexueshme politikën e brendshme e të jashtme që do të ndjekë administrata e re z. Trump.
Ajo çka mund të thuhet me siguri është se çfarëdo që mund të ketë parasysh Donald Trump me fjalët “Golden Age” dhe çfarëdo kuptimi që mund të përpiqemi t’u japim ne atyre fjalëve, mandati i tij i dytë si president i Shteteve të Bashkuara nuk do të prodhojë as një “epokë të artë”, as një Amerikë “të re”.
Si studiues dhe si diplomat, unë jam i interesuar veçanërisht për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Sa i përket kësaj politike, duket se Trump 2.0 paralajmëron dy zhvillime globalisht të rëndësishme:
Së pari, një rikthim në politikat izolacioniste të fundit të shekullit të 18-të, që vijuan gjatë gjithë shekullit të 19-të dhe, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në fillimet e shekullit të 20-të, karakterizuan politikën amerikane në periudhën mes dy luftrave botërore.
Së dyti, promovimin, në kushtet e sotme, të doktrinës “Manifest Destiny” të mesit të shekullit të 19-të, e cila motivoi e legjitimoi në atë kohë ekspansionin territorial të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Veriore.
Për këto dy zhvillime të pritshme shkruaj më poshtë. Shkurt, por jo pa shqetësim. Por më parë dëshiroj t’i referohem konceptit mbi “eksepsionalizmin amerikan”, të cilin Donal Trump e evokoi së fundmi edhe në fjalën e tij të inaugurimit, duke deklaruar se, me rizgjedhjen e tij si president, nis një periudhë e re “e artë” e eksepsionalizmit amerikan, si dhe duke premtuar zgjerimin e territoreve amerikane përballë çdo sfide. “Amerika”, deklaroi ai, “së shpejti do të jetë më e madhe, më e fortë e më eksepsionale se kurrë më parë…Ne jemi në fillimet e një epoke të re suksesi kombëtar”.
Nuk e shoh të nevojshme të zgjatem në historinë dhe në përmbajtjen e konceptit “eksepsionalizëm”, pasi për këtë kam shkruar e botuar vitin që shkoi një libër më vete—Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara (Onufri, 2024), prandaj këtu fokusohem në dy tiparet kryesore që duket se do të karakterizojnë politikën e jashtme të presidentit Trump në mandatin e tij të dytë.
“America First”, një Amerikë e izoluar nga “bota”
Trump 2.0 u rikthehet politikave izolacioniste duke u përpjekur t’i japë fund asaj tradite të gjatë e të shkëlqyer internacionaliste të Amerikës që ka karakterizuar marrëdhëniet e saj me shoqërinë ndërkombëtare nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.
Gjatë mandatit të tij të parë u bë e qartë se z. Trump nuk do të ishte një president “konvencional” në marrëdhëniet me aleatët europianë, siç kanë qenë të gjithë presidentët amerikanë nga Franklin D. Roosevelt e deri më sot, gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë.
Prirja izolacioniste e politikave të presidentit Trump u bë menjëherë e qartë kur, ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai urdhëroi daljen e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke ndërprerë brenda vitit kontributin financiar amerikan për këtë organizatë. Trump urdhëroi, gjithashtu, po ditën e parë në detyrë, daljen (për herë të dytë) të Amerikës nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Njëherësh me këto dy vendime, Donald Trump urdhëroi pezullimin përkohësisht të të gjitha programeve të ndihmës amerikane për zhvillim.
Një vështrim historik
Për brezat e liderëve amerikanë dhe europianë të pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca transatlantike dhe uniteti europian janë konsideruar si dy anë të së njëjtës medalje. Në vitin 1957, pak kohë para nënshkrimit të Traktatit të Romës, me të cilin zë fill historia e Bashkimit Europian, presidenti amerikan Dwight Eisenhower deklaronte se: “Ne i mirëpresim përpjekjet e miqve tanë europianë për të krijuar një komunitet të integruar për zhvillimin e një tregu të përbashkët”.
Pesë vite më vonë, presidenti John F. Kennedy do i përforconte fjalët e paraardhësit të tij, duke theksuar se: “Shtetet e Bashkuara e shohin këtë ndërmarrje të re të madhe me shpresë dhe admirim. Një Europë të fortë dhe të bashkuar ne e shohim jo si një rival, por si një partner”.
Deklaratat e presidentëve Eisenhower dhe Kennedy janë të një rëndësie historike të jashtëzakonshme, edhe pse, në kohën e tyre—dhe për afro gjysmë shekulli më vonë—Europa Perëndimore u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane, duke përfituar çdo të mirë që i siguronte përfshirja në aleancën transatlantike, pa bërë vetë sakrificat e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së saj.
Në fakt, çdo hap drejt integrimit ekonomik e politik të Europës—duke filluar me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1957—u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë amerikane e të NATO-s. Siç ka vënë në dukje Robert Kagan, pa fuqinë mbrojtëse të Amerikës, kombet europianë, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të ishin ndier kurrë aq të sigurt sa ta riintegronin Gjermaninë në komunitetin e tyre.
Prania ushtarake amerikane dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj mbrojtjes së Europës Perëndimore krijuan kushtet dhe mjedisin e nevojshëm për rindërtimin e kësaj të fundit pas Luftës, si dhe për integrimin e saj ekonomik e politik. Një “Europë e fortë dhe e bashkuar”, deklaronte John F. Kennedy, ka qenë “objektivi kryesor” i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Kennedy fliste për një “partneritet translatlantik mes të barabartësh”, mes “Botës së Re” dhe “Europës së Re”.
Qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht pothuajse çdo iniciativë e çdo hap për thellimin e integrimit europian dhe zgjerimin e Europës së bashkuar, duke u shprehur hapur e duke dhënë çdo mbështjetje morale e politike për integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Europës Qendrore e Lindore (dje) dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor (sot).
Qendrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë e pas saj e ka artikuluar mjaft mirë Zbigniew Brzezinski, kur shkruante se: “nga këndvështrimi i interesave amerikane, ka qenë dhe është në dobi të Amerikës që Europa (1) të jetë e zgjeruar; (2) që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; (3) që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe (4) që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara”.
Kjo ka qenë politika zyrtare e Shteteve të Bashkuara për afro tetë dekada me radhë. Por, nën presidentin Trump mundet të mos jetë më kështu. Rreth një vit më parë, gjatë fushatës për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump deklaronte se, nëse vendet anëtarë të NATO-s nuk paguajnë “faturat” e tyre, ai nuk do t’i mbronte ato nga një invazion rus, madje do ta “inkurajonte” Rusinë “to do whatever the hell they want”, pra të bënte “ç’ti deshte qejfi” me këto vende.
Më vonë, në gusht të vitit të kaluar, Trump kërcënoi se Amerika do të dilte nga NATO nëse disa vende anëtare do të vazhdonin të mos përmbushnin detyrmet e tyre financiare ndaj kësaj organizate. Në shumë raste Trump ka treguar mungesë të theksuar respekti, madje edhe përçmim ndaj disa prej liderëve europianë dhe drejtuesve të BE-së.
Më qartë kjo u vu re në inaugurimin e tij si president. Me përjashtim të kryeminstres italiane, asnjë prej liderëve të vendeve anëtare të BE-së (as kancelari gjerman Olaf Scholz, as presidenti francez Emmanuel Macron, as presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen) dhe as kryeministri i Britanisë së Madhe, aleates më të ngushtë të Amerikës, Keir Starmer, nuk u ftuan të merrnin pjesë. Ndërkohë, ftesë iu bë presidentit kinez Xi Jinping (që s’mori pjesë) dhe disa figurave politike të lidhura me lëvizjet e ekstremit të djathtë në Europë, si liderit populist anti-BE në Britani Migel Farage, liderit të ekstremit të djathtë në Francë Eric Zemmour dhe drejtuesit të partisë ektremiste Alternativa për Gjermaninë Tino Chrupalla.
Nëse ftesat (apo mungesa e tyre) për politikanët që sot drejtojnë vendet kryesore të BE-së dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara në NATO për të qenë të pranishëm në inaugurimin e presidentit Trump janë një gjuhë diplomatike e pafolur dhe e pashkruar, mesazhi politik i një diplomacie të tillë është krejt i qartë. Për Trumpin, Europa është e vogël, e parëndësishme, inferiore, feminine, një aleate “e padenjë” për Amerikën e madhe. Këtej e tutje Amerika do të shohë punët e saj (America is First), ndërsa Europa duhet të përpiqet t’i mbrojë vetë interesat e saj. Në të kundërt, një Europe si kjo e sotmja, që Donald Trump e injoron, administrata e tij mund t’i thotë, në fjalët e këngëtarit Bob Dylan, “You go your way, and I’ll go mine” (Ti në punën tënde dhe unë në timen).
Ekspansioni territorial amerikan si një “Manifest Destiny”
Trump 2.0 i rikthehet doktrinës “Manifest Destiny” duke paralajmëruar (pa bërë shaka) synimet e tij për t’i zgjeruar territoret e Amerikës përtej kufijve të sotëm. Nëse në fjalimin e tij të inaugurimit Trump iu referua konceptit “manifest destiny” si një ndër synimet e administratës së tij për të dërguar astronautë amerikanë në Mars për të ngulur flamurin amerikan si një simbol pararendës për pushtimin e atij planeti, synimet ekspansioniste të tij janë të tjera.
Këtu e shoh të arsyeshme të ndalem për të shpjegur historinë dhe përmbajtjen e doktrinës “Manifest Destiny” në retrospektivë. Kushdo që e njeh sado pak historinë e Shteteve të Bashkuara është i njohur me faktin se e para doktrinë në politikën e jashtme të atij vendi ka qenë “Doktrina Monroe”.
Një vështrim historik
Kjo doktrinë shënonte një moment shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Përmes saj, në mesin e viteve 1820, presidenti James Monroe e deklaroi Hemisferën Perëndimore të mbyllur për kolonizimin europian, duke i paralajmëruar fuqitë europiane që të mos përpiqeshin më tej të kolonizonin territore në Amerikën e Veriut e të Jugut dhe as të ndërhynin në punët e brendshme të kombeve të Amerikave.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutrale në luftrat mes fuqive europiane dhe kolonive të tyre, sipas kësaj doktrine, nëse luftra të tilla do të ndodhnin në kontinentin amerikan, Shtetet e Bashkuara do i konsideronin ato si veprime armiqësore ndaj interesave të saj.
Kjo ka qenë e para doktrinë e një presidenti amerikan, e cila, me parrullën “Amerika për Amerikanët”, u bë parimi udhëheqës i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Përmes saj, Shtetet e Bashkuara, duke mbetur një vend neutral, arritën të vendosnin hegjemoninë e tyre në krejt hemisferën perëndimore.
Doktrina Monroe, në thelb, nuk e ndryshoi karakterin izolacionist të politikës së jashtme amerikane. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara bënë të qartë se ato do të ndërhynin jashtë kufijve të atij vendi nëse kjo do të ishte për të mirën e njerëzimit (for the benefit of mankind) dhe në emër të parimeve të larta (liri e barabartë, drejtësi e barabartë, të drejta të barabarta) (equal liberty, equal justice, equal rights).
Besimi në vullnetin dhe në qëllimet e mira të Amerikës në politikën e saj të jashtme u ritheksua edhe më tej nga presidenti James K. Polk kur, më 1845, ai rikonfirmoi parimet e Doktrinës Monroe. Polk theksoi në atë kohë se Shtetet e Bashkuara kishin marë mbi vete përgjegjësi jo vetëm për lirinë dhe sigurinë e tyre, por edhe për lirinë dhe sigurinë e kombeve të tjerë në Hemisferën Perëndimore. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk bënin luftra pushtuese, por do të bënin çdo gjë të domosdoshme për të mbrojtur pavarësinë e Amerikave, duke mos lejuar ndërhyrjen e fuqive imperialiste në atë rajon.
Me një doktrinë e me një politikë të tillë, Shtetet e Bashkuara deklaronin hapur interesin e tyre për të vendosur dominimin amerikan në hemisferën përtej Atlantikut, edhe pse me këtë besohej se kjo nuk bëhej për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të atij rajoni. Besimi në “eksepsionalizmin” amerikan dhe tradita që mbështet në të e kanë parë dhe e shohim Amerikën si një vend që s’mund t’u bëjë keq të tjerëve dhe, prandaj, ndërhyrja e saj në vende të tjera është parë si një ndërhyrje më e padëmshme se sa ajo e çdo fuqie tjetër të madhe.
Ky pretendim u artikulua mjaft qartë nga presidenti Polk në vitin 1846. Pasi Amerika kishte aneksuar një vit më parë territorin e Teksasit, për të justifikuar ambicjet e tij për të marrë territore të tjera në perëndim nga Meksika, me të cilën Shtetet e Bashkuara hynë në luftë po atë vit, Polk iu referua natyrës “eksepsionale” të Amerikës. Pikërisht kësaj periudhe i përket edhe koncept “Manifest Destiny”, që u bë pjesë integrale e retorikës mbi “eksepsionalizmin” amerikan.
Në përfundim të luftës me Meksikën (1846-1848), si rezultat i aneksimeve prej saj, Shtetet e Bashkuara u zgjeruan me shumë territore të reja që sot janë pjesë e shteteve Teksas, Kalifornia, Nevada, Utah, Arizona, Kolorado apo Nju Meksiko. Këtij zgjerimi i kishte paraprirë—sidomos pas nënshkrimit të Ligjit për Zhvendosjen e Indianëve (Indian Removal Act) më 1830 nga presidenti Andrew Jackson, dëbimi me forcë i dhjetëra mijë banorëve indigjenë të fiseve indigjene prej tokave të tyre në lindje të Misisipit në territore të tjera në perëndim të atij lumi. Një politikë e tillë u justifikua në atë kohë si një shprehje apo manifestim i një fati të parashkruar për Amerikën.
Kjo ide u bë një “kredo kulturore” e amerikanëve në shekullin e 19-të që besonin se fati i Amerikës ishte zgjerimi i saj në Amerikën Veriore. Natyrisht, vetë meksikanët dhe banorët indigjenë, të dëbuar me dhunë nga tokat e tyre, i kanë përjetuar ndryshe ngjarjet e asaj kohe, por kjo, për amerikanët nuk kishte rëndësi sa kohë që pushtimi i territoreve të tyre bëhej në emër të qytetërimit e të progresit.
Koncepti “manifest destiny”, i përdorur për herë të parë në vitin 1845, i atribuohet gazetarit John L. O’Sullivan, që aso kohe drejtone gazetën demokrate New York Morning News. Duke justifikuar pretendimet e amerikanëve për të aneksuar territorin e Oregonit, i cili kontestohej nga Britania e Madhe, O’Sullivan shkruante se: “Pretendimi ynë, i bazuar në atë që është fati ynë, është që të shtrihemi e të zotërojmë të gjithë kontinentin që Providenca na e ka dhënë dhe besuar për të zhvilluar eksperimentin e madh të Lirisë e të vetqeverisjes së federuar”.
Kondepti “manifest destiny” nënkuptonte jo thjesht aneksimin prej Shteteve të Bashkuara të territoreve të Amerikës së Veriut, por edhe imazhin e Amerikës si një vend “i destinuar për të udhëhequr botën drejt një të ardhmeje më të mirë”. Në veprën e tij të njohur Manifest Destiny: Një studim mbi ekspansionin nacionalist në historinë amerikane, Albert Weinberg shkruan se, “manifest destiny”, është “në thelb, doktrina se një komb ka një vlerë të shquar shoqërore, një mision qartësisht të lartë dhe, rrjedhimisht, të drejta të veçanta në zbatimin e parimeve morale”.
Në fund të shekullit të 19-të, historiani amerikan Frederick Jackson Turner erdhi në konkluzionin se kufiri amerikan tashmë ishte mbyllur, me çka ai nënkuptonte se zgjerimi territorial i Shteteve të Bashkuara në perëndim kishte përfunduar. Ai besonte se shpirti dhe suksesi i Amerikës ishin drejtpërsëdrejti të lidhur me zgjerimin territorial të atij vendi në perëndim.
Diskursi mbi misionin e Amerikës shoqëroi ekspansionin territorial të Shteteve të Bashkuara gjatë gjithë shekullit të 19 të. Lufta me Meksikën në mesin e atij shekulli ka qenë konflikti i parë i armatosur i Shteteve të Bashkuara me një shtet tjetër, që u zhvillua kryesisht në një territor të huaj.
Sidoqoftë, e para ngjarje e madhe historike që shënoi një devijim nga politika e deriatëhershme neutrale e izolacioniste e Amerikës ka qenë lufta kundër Spanjës në vitin 1898, dhe të parët politikanë që e ndryshuan kursin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ishin presidenti William McKinley (1897-1901) dhe Theodore Roosevelt, në atë kohë ndihmëssekretar i Flotës së Shteteve të Bashkuara, por që katër vite më vonë, më 1901, u bë president i atij vendi.
Në atë luftë, Shtetet e Bashkuara jo vetëm e mundën Spanjën, këtë fuqi të madhe detare e koloniale, por edhe i morën asaj Filipinet, Kubën, Porto Rikon dhe Guamin. Kjo politikë aneksioniste u dha Shteteve të Bashkuara avantazhe tregëtare e strategjike të konsiderueshme në Amerikën Qendrore dhe, sidomos në Azinë Juglindore e në Paqësor.
Aneksimi i territoreve të sipërpërmendura shihej në atë kohë nga amerikanët si një gjë e moralshme dhe si një mision hyjnor i Shteteve të Bashkuara për t’i çliruar popujt e këtyre vendeve nga sundimi imperialist i Botës së Vjetër dhe për të përhapur lirinë dhe demokracinë kudo që ishte e mundur.
Me vënien nën kontrollin amerikan të këtyre ishujve, që më parë kishin qenë koloni të Spanjës, mund të thuhet se iu dha fund—edhe pse jo krejtësisht—politikës izolacioniste të Amerikës. Ishte po në atë kohë (në vitin 1898)—dhe përsëri me insistimin e presidentit McKinley—që Shtetet e Bashkuara, duke përdorur në luftën kundër Spanjës bazën detare në Pearl Harbor, në ishujt Hawaii, i aneksuan këta ishuj, të cilët, dy vite më vonë, u bënë zyrtarisht një territor amerikan dhe, në vitin 1959, shteti i 50-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lufta e vitit 1898 kundër Spanjës nuk mund të konsiderohet thjesht një “anomali historike” për Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, Amerika e kishte përmbushur ëndrrën e saj të ashtuquajtur “Manifest Destiny” në hemisferën veriore të kontinentit amerikan, por ambiciet e saj nuk mund të kufizoheshin më vetëm në atë kontinent.
Duke pushtuar Filipinet dhe duke e shndërruar Guamin në një territor amerikan, Shtetet e Bashkuara i zgjeruan ndjeshëm mundësitë e tyre konkurruese me fuqitë e tjera të mëdha për të bërë tregëti me Kinën, në një kohë që fuqitë imperialiste të Europës po përpiqeshin ta ndanin atë vend mes tyre.
Edhe para se të fillonin negociatat e paqes me Spanjën e mundur në atë luftë, në Paris (shtator-dhjetor 1898), presidenti McKinley i kishte kërkuar Kongresit Amerikan që të shqyrtonte mundësitë që Amerika të bënte tregti në rajonin e Azisë Lindore, duke insistuar në krijimin e një “politike të dyerve të hapuara” (Open Door Policy) me Kinën
Ishte po presidenti McKinley ai që insistoi—dhe mori mbështetjen e Kongresit Amerikan—për të negociuar me Britaninë ndërtimin e një kanali përmes Amerikës Qendrore, i cili të lidhte Oqeanin Atlantik me atë Paqësor. Edhe pse McKinley u vra (më 1901), ende pa nisur punimet e atij kanali (Kanali i Panamasë), ndërtimi i tij nga Shtetet e Bashkuara krijoi mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e tregtisë në shkallë globale.
Zgjerimi i territoreve të shteteve të Bashkuara përmes aneksimit dhe blerjes (siç ve në dukje më poshtë) dhe sidomos vendosja e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë, vinte në dukje Henry Kissinger, i siguruan në atë kohë Shteteve të Bashkuara një pozitë gjeopolitike dhe gjeoekonomike të pakrahasueshme me atë të asnjë vendi tjetër.
Zhvillime të sotme
Amerika mundet ta fitojë (dhe ndoshta do e fitojë) garën për Marsin e kjo mund të rezultonte një fitore për mbarë njerëzimin. Por synimet territoriale të Trumpit sot janë kërcënuese (dhe shokuse) kur bëhet fjalë për një territor të Panamasë, siç është zona rreth Kanalit të saj, për fqinjin e saj verior, Kanadanë, dhe, sidomos, për Groenlandëm.
Nëse zëvendësimi i emrit të “Gjirit të Meksikës”, i njohur si i tillë qysh nga viti 1672, me një emër të ri, “Gjiri i Amerikës”, është thjesht një ndryshim toponomik në hartën e hemisferës perëndimore, që nuk cenon interesat ekonomike e politike të asnjë vendi, kërcënimi i z. Trump se Amerika do ta marë përsëri Kanalin e Panamasë është real dhe, nëse ndodh, siç unë besoj se do të ndodhë, do të përbënte një precedent të rrezikshëm në jetën e bashkësisë ndërkombëtare—shkeljen e njëanshme të traktateve të nënshkruar nga dy ose shumë palë.
PANAMAJA
Korrigjimi i një “budallallëku” të së shkuarës
Siç vura në dukje më sipër, Amerika e ndërtoi Kanalin e Panamasë falë vizionit të presidentëve William McKinley dhe Theodore Roosevelt. Iu deshën dhjetë vite (1904-1914) për ta ndërtuar këtë kanal, pasi më parë Amerika e kish ndihmiar Panamanë që të fitonte pavarësinë nga Kolumbia.
Me përfundimin e ndërtimit të Kanalit të Panamasë më 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, Amerika mori kontrollin e tij dhe të territoreve në të dy anët e tij, të quajtura “Zona e Kanalit të Panamasë) dhe e ruajti këtë kontroll deri në nëshkrimin, më 1977, të një traktati me Panamanë nga presidenti Jimmy Carter. Kanali u menazhua bashkërisht nga Amerika dhe Panamaja deri më 31 dhjetor 1999, kur, më në fund, sipas traktatit të sipërpërmendur, iu dorëzua autoriteteve panameze.
Nën pretekstin e pabazuar se sot atë kanal e menazhon Kina, Donald Trump ka kohë që deklaron (por në fjalën e tij të inaugurimit premtoi hapur) se Amerika do e marë sërish nën kontrollin e saj Kanalin e Panamasë. A mundet të ndodhë realisht? Po. Pa asnjë dyshim.
Amerika ka ndërhyrë ushtarakisht në Panama (me 27,000 trupa) në dhjetor të vitit 1989, nën presidentit George H. W. Bush, për të rrëzuar diktatorin e atij vendi Manuel Noriega. Dy muaj më vonë, në shkurt 1990, Panamaja e shpërndau ushtrinë e saj dhe, që nga ajo kohë, ky vend nuk ka një ushtri të regullt; ka vetëm një “forcë publike” për ruajtjen e rendit.
Kërcënimi i z. Trump për rikthimin e Kanalit të Panamasë Amerikës duhet marë seriozisht. Një muaj më parë, në Feniks të Arizonës, ai u shpreh se “ne do ia kthejmë sërish Amerikës atë kanal, të cilin për ‘budallallëkun’ tonë ia dhamë Panamasë”.
Pak ditë më parë Trump nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës për realizimin e këtij qëllimi, edhe pse përdorimi i forcës së armatosur nuk do të ishte i domsodoshëm. Realisht, Panamaja nuk ka asnjë mundësi të mbrohet e ta refuzojë “lëshimin” e Kanalit të saj, nëse Amerika e z. Trump e kërkon atë, pavarësisht deklaratave të presidentit panamez.
KANADAJA
Një kufi ndarës “absurd”
Edhe pse nuk ka kërcënuar drejtpërsëdrejti, Donald Trump mëse një herë kohët e fundit është shprehur se unifikimi i Shteteve të Bashkuara me Kanadanë, me të cilën e ndan një kufi “absurd”, do të ishte diçka “e jashtëzakonshme”. Për Amerikën sigurisht.
Amerika ka pasur mundësi ta pushtonte Kanadanë rreth dy shekuj e gjysmë më parë, me fillimin e Luftës për Pavarësi kundër pushtimit kolonial britanik, kur më 1775 trupat amerikane pushtuan territore të gjëra të Kanadasë dhe marshuan drejt Quebec City, kryeqytetit të provincës së Kebekut, provincës më të madhe të Kanadasë nga pikëpamja territoriale.
Në vitin 1812 Shtetet e Bashkuara, tashmë një republikë e pavarur, me 7 milionë banorë, i shpallën luftë Brianisë dhe e pushtuan sërish Kanadanë, që ishte nën sundimin britanik dhe kishte një popullsi prej vetëm 500 mijë banorë. Por nuk e aneksuan territorin e saj.
Qysh nga ajo kohë, për më shumë se dy shekuj, këta dy vende demokratikë fqinjë, sot aleatë në NATO, nuk kanë luftuar asnjëherë me njëri-tjetrin dhe unë mendoj se është jo realiste—madje e pamundur—të besosh se Shtetet e Bashkuara mund t’ia aneksojnë Kanadanë territoreve të saj.
Por Trump, i cili publikisht e ka cilësuar kryministrin kanadez Justin Trudeau (në atë kohë ende në detyrë), si “guvermator” të Kanadasë e jo si kryeministër i atij vendi, duke nënkuptuar se Kanadaja mund të ishte fare mirë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, mund të përdorë “forcën ekonomike”, sanksione dhe instrumente tregtarë (jo ushtrinë) për ta nënshtruar fqinjin e saj demokratik verior.
Një luftë me mjete ushtarake mes dy vendeve partnerë dhe aleatë në NATO—Shteteve të Bashkuara dhe Kanadesë—duket krejt e pakonceptueshme, por një luftë tregtare, madje e ashpër e me pasoja të rënda, nuk është krejt e pamundur.
GROENDLANDA
Një status ligjor i paqartë
Nëse Kanadaja është një “kafshatë” e madhe (dhe e pamundur) për oreksin ekspansionist të presidentit Trump, ishulli më i madh i globit, Groenlanda, me vetëm 56 mijë banorë, që formalisht është nën sovranitetin e mbretërisë së Danimarkës, mund të bëhet pré e t’i bashkohet si territor Shteteve të Bashkuara. Trump e ka shprehur hapur këtë synim, duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin “në pronësinë dhe kontrollin” e tyre Groenlandën.
Unë nuk mendoj se Danimarka apo Bashkimi Europian (që e konsiderojnë Groenlandën si territor të tyre) do të munden ta pengojnë administratën e z. Trump ta aneksojë atë ishull. Jo me forcë, jo duke e pushtuar ushtarakisht, por duke e blerë atë territor, pavarësisht se ç’dëm mund t’u sjellë kjo marrëdhënieve transatlantike.
Amerika edhe më parë (më 1917) ka blerë nga Danimarka Ishujt Virgin. Por ai episod historik nuk ka pasur për Amerikën atë rëndësi që kanë pasur blerja prej saj, më 1903, e territoreve të Luizianës nga Franca e Napoleon Bonapartit. Kjo blerje (Louisiana Purchase) ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme për zgjerimin e mëtejshëm territorial të Shteteve të Bashkuara në perëndimi të kontinentit, në atë masë sa mund të thuhet se, pa blerjen e atij territori të gjerë (afërsisht sa një e katërta e territoreve të sotme të Shteteve të Bashkuara), Amerika nuk do të ishte bërë kjo fuqi e madhe që është sot. Blerja e atij territori të gjerë nga Franca konsiderohet si një ndër meritat historike më të mëdha të presidentit amerikan të asaj kohe Thomas Jefferson.
Pas Luizianës, shtetet e Bashkuara blenë Floridën nga Spanja (më 1819), disa territore dhe një qytet (Gadsden) në Alabama nga Meksika (më 1848 dhe 1853), Alaskën nga Rusia (më 1867), Zonën e Kanalit të Panamasë nga Panamaja (më 1903) dhe, siç theksova më sipër, ishuj Virgin nga Danimarka (më 1917).
Edhe pse sot jetojme në një botë shumë të ndryshme nga ajo e shekullit të 19-të, duket se elita politike në Shtetet e Bashkuara beson realisht në karakterin ekspepsional të Amerikës dhe në misionin e saj “manifest destiny” për të zgjeruar territoret e saj e për të drejtuar (sunduar) botën mbetet një besim dhe një synim i gjallë.
Trump nuk është i pari president amerikan që kërkon blerjen e Groenlandës. I pari ishte presidenti Harry Truman, më 1946. Trump e propozoi blerjen e Groenlandës edhe në mandatin e tij të parë si president, më 2019. Sot, më shumë se në atë kohë dhe me më shumë arrogancë, ai e kërkon aneksimin e Groendlandës, duke e konsideruar këtë si një gjë “absolutisht të domosdoshme në interes të sigurisë kombëtare (të Amerikës) dhe të lirisë në botë”, duke refuzuar të përjashtojë mundësinë marrjes së kontrollit mbi këtë ishull përmes forcës ekonomike apo ushtrarake. Askush nuk e di, është shprehur Donal Trump, “nëse Danimarka ka ndonjë të drejte të ligjshme [mbi Groenlandën], por nëse ka, duhet të heqë dorë prej saj sepse neve [ky ishull] na duhet për sigurinë tonë kombëtare”.
Nëse do ia arrinte ta merrte Groenlandën, portreti i z. Trump ndoshta do u shtohej portreteve të presidentëve Washington, Jefferson, Teddy Roosevelt dhe Linkoln të gdhendur në Malin Rushmore, edhe pse nuk mund të krahasohet dot me asnjërin prej tyre. Në asgjë. Vetë Trumpi nuk e ka shprehur ndonjëherë këtë dëshirë por, kur është pyetur mbi mundësinë që kjo të ndodhë, ka thënë si “i pelqen ideja” (it sounds like a great idea to me).
Të jetë vallë ky motivi i vërtetë i orekseve të tij ekspansioniste?
Botuar në DITA