Nga Valentina Duka/
Çmimi i triumfit të Enver Hoxhës në fillimet e Shqipërisë komuniste ishte ekzaltimi i kultit të individit dhe rritjes së paranojës së tij. Formimi politik i diktatorit shqiptar, i cili u bë në kushtet e luftës së ashpër shumëvjeçare për pushtet dhe të rrezikut të asgjësimit të tij prej rivalëve të brendshëm dhe nga shtetet e huaja, bëri që ai të mbruhej me idenë e rrethimit nga armiq të përhershëm dhe të kudondodhur. Pas pothuajse dy dhjetëvjeçarësh luftërash politike në fillim të viteve ‘60 dhe pikërisht atëherë kur asgjë politikisht nuk e kërcënonte më, ai përsëri nuk arriti dot të çlirohej prej kësaj psikoze. Në kohën e qeverisjes së Enver Hoxhës, Shqipëria ishte e izoluar nga pikëpamja gjeografike me vende armiqësore, ndërkohë që ishte shumë e varfër dhe shumë e dobët ushtarakisht për t’u bërë ballë e vetme kërcënimeve që mund t’i vinin nga jashtë.
Ashtu si aleancat e mëparshme të Shqipërisë brenda kampit komunist, fillimisht me Jugosllavinë dhe më pas me BS–në, edhe ajo me Kinën që filloi të fuqizohej pas 1962-shit, diktoheshin nga interesat që kishte vetë Enver Hoxha për të mbijetuar. Pas prishjes përfundimtare me BS–në dhe vendet e tjera të Europës Lindore, për Shqipërinë, partneri kryesor i jashtëm mbeti Kina, aleanca me të cilën zgjati plot 17 vjet. Siç ndodh rëndom, me vendet e vogla që lidhin aleanca me vende të mëdha, edhe aleanca me Kinën pati impakt të thellë në zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Kina jepte, jo vetëm ndihma ekonomike, por edhe modele për t’u ndjekur, të cilat udhëheqja shqiptare, i vinte në jetë me zell të madh. Kjo miqësi, e cila, mjaft bashkëkohësve u dukej si e panatyrshme, nuk qe e rastësishme sepse iu interesonte të dyja vendeve në vitet e luftës së ftohtë, si Shqipërisë së vogël për të mbijetuar ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht ashtu edhe Kinës së madhe për të penetruar në Ballkan dhe më gjerë.
Politika e jashtme e Shqipërisë komuniste orientohej sipas disa parimeve të njohura edhe nga vendet e tjera të Demokracive Popullore:
1) bashkëpunimin vëllazëror dhe ndihmë reciproke ndërmjet vendeve socialiste; 2)bashkekzistencë paqësore me vendet kapitaliste dhe luftën kundër politikës agresive imperialiste; 3) përkrahjen e luftës së popujve të shtypur kundër imperializmit dhe kolonializmit.
Nga kjo perspektivë, pas luftës, Italia në kuadrin e vendeve jo socialiste, duke u trajtuar sipas pikës dy të parimeve të mësipërme të politikë shqiptare të jashtme, ka qenë vendi me të cilin Shqipëria ka pasur kontakte më të gjera, jo vetëm sepse ajo ishte një vend fqinj, por edhe pse në të kaluarën na kishin lidhur shumë ngjarje historike, të cilat edhe Enver Hoxha nuk mund të mos i merrte parasysh. Në Itali, jo vetëm që kishte një koloni të madhe shqiptare, siç ishin arbëreshët që gjendeshin kryesisht në Kalabri dhe në Sicili, por Shqipëria ishte edhe një vend i okupuar prej Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas luftës duhej të rregulloheshin shumë çështje të mbetura pezull para dhe gjatë luftës. Marrëdhëniet politike me Italinë pas Luftës së dytë Botërore deri në vitet ’70 mund t’i ndajmë në tri etapa:
a) Nga mbarimi i luftës deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në vitin 1949. b) Prej vitit 1949 deri në përfundimin e marrëveshjes midis të dy vendeve për zbatimin e Traktatit të Paqes me Italinë, në vitin 1957.
c) Prej vitit 1957 deri në vitet 70-të.
Duke qenë se objekt i kumtesës sime lidhet me etapën e tretë, fillimisht dëshiroj të nënvizoj faktin se qeveria komuniste shqiptare në fillim të viteve ‘60, si rezultat edhe i fillimit të krizës në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kërkonte të normalizonte marrëdhëniet me Italinë fqinje, bile ishte e gatshme të ngrinte marrëdhëniet e bashkëpunimit me këtë shtet, në të njëjtin nivel si me vendet e Demokracisë Popullore. Kjo gjë duket qartë në korrespodencën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë me Këshillin e Ministrave. Kryetari i Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, do të deklaronte në fillim të viteve ’60 se Shqipëria dëshironte përmirësimin gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve me Italinë. “Marrëdhëniet tona me Italinë janë normale, janë përmirësuar vazhdimisht dhe janë të gjitha mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të tyre. Ne do të dëshironim që qeveria italiane të tregonte të njëjtën gatishmëri për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis të dy vendeve tona”.
Por nga perspektiva e dokumenteve shqiptare, konstatojmë se qeveria italiane, në kundërshtim me deklaratat e herëpashershme publike të autoriteteve të saj qeveritare, mbi dëshirën e tyre të madhe për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë, në praktikë, sipas qeverisë shqiptare, Italia nuk tregonte të njëjtën gatishmëri për rritje të nivelit të marrëdhënieve dypalëshe sikundër dëshironte Shqipëria në këtë drejtim. Qeveria shqiptare fliste bile për dy politika italiane kundrejt Shqipërisë: njëra në dukje miqësore dhe predispozuese për fuqizim të marrëdhënieve politike, ekonomike, akademike dhe kulturore dhe tjetra armiqësore, penguese që sipas diplomatëve shqiptarë të vendosur në Romë dukej në çdo hap të punës së tyre.
Në informacionet që ata i dërgonin Tiranës, ankoheshin për zvarritje në dhënie vizash për specialistët shqiptarë që do të shkonin në Itali sipas marrëveshjeve të aprovuara, në shtyrje pa shpjegim në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja bashkëpunimi tekniko-akademik, shtyrje pa arsye të nënshkrimit të marrëveshjes në fushën tregtare e cila u realizua më në fund në vitin 1964 (duke sjellë një gjallërim të marrëdhënieve të kliringut, por jo në fushën e kredisë kapitaliste), si dhe trajtimi si diplomatë të kategorisë së dytë të diplomatëve shqiptarë. Ambasada shqiptare gjithashtu ishte e pakënaqur edhe nga niveli i përfaqësimit të qeverisë italiane në ceremonitë që organizonte Ambasada shqiptare për festën e çlirimit.
Pretendimin e tyre për një qasje antishqiptare të politikës italiane zyrtarët komunistë shqiptarë, e ndërtonin edhe duke ju referuar sidomos propagandës italiane, të realizuar nëpërmjet shtypit italian dhe sidomos radios italiane, kjo e fundit ndonëse shtetërore, përhapte lajme dhe komente që diplomatët shqiptarë i konsideronin si me frymë armiqësore mbi “Shqipërinë e re”.
“Fushata e vazhdueshme armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë e emisioneve shqip të Radio Romës, të cilat pas gjysmës së dytë të viteve 60-të u shtuan, “shpifjet trashanike mbi gjendjen e vendit tone”, shtrembërimi i historisë së lavdishme të popullit tonë nëpërmjet ciklit të bisedave mbi historinë e Shqipërisë, përdorimi nga Radio Roma i kuislingëve shqiptarë si Ernest Koliqi për të folur mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe, fakti që folësit e saj flasin për Shqipërinë dhe popullin shqiptar me termat “vendi ynë” dhe “populli ynë”, të gjitha këto tregojnë qartë se mikrofonat e radios italiane janë vënë në dispozicion të kriminelëve shqiptarë të luftës” shkruhej në një memo të ambasadës shqiptare drejtuar Ministrisë së Jashtme.
Duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i viteve ‘60 e në vazhdim deri pothuajse në vitin 1967, sipas informacioneve të përditësuara që përgatiste zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, propaganda antishqiptare në Romë, ishte intensifikuar, ishin shkruar me dhjetëra shkrime në revista dhe gazeta shumë kritike ndaj Shqipërisë. Gjithashtu sipas diplomatëve shqiptarë, edhe aktivizimi i diasporës politike “kriminelëve të vendit tone” filloi të ishte më intensiv nga ana e organeve të specializuara italiane. “Karakteristike është puna e Koliqit me shokë në rrethet arbëreshe, rrethet kulturore albanologe etj. Koliqi kishte në dispozicion 6 milionë lireta për manifestimet për De Radën dhe u bë për të goditur punën tonë në këto rrethe. Elementë të tillë si Mentor Çoku, Eqrem Telhaj, etj., kanë organizuar shoqata islamike me nxitjen e italianëve dhe janë futur nëpër përfaqësitë e vendeve myslimane për të punuar kundër nesh etj., pretendonin diplomatët shqiptarë.
Të shqetësuar nga kjo propagandë dhe të interesuar për marrëdhënie të mira me Italinë, qeveria shqiptare, e lëshuar nga Bashkimi Sovjetik dhe akoma jo shumë e mbrojtur nga Kina, nga ana e saj i kushtoi rëndësi shpërndarjes së informacionit pozitiv për Shqipërinë në Itali. Në vitin 1965 Ambasada Shqiptare, filloi të dërgonte në rreth 500 adresa Buletinin , “Shqipëria e Re” e përgatitur në Shqipëri në frëngjisht dhe italisht si dhe një revistë më të hershme “Albania” e përgatitur në frëngjisht për t’ju kundërvënë sa do pak “Shejzave” dhe “Zgjimit” të Koliqit.
Siç mundim të lexojmë në rreshtat e materialeve burokratike të prodhuar nga një ushtri e madhe diplomatësh të indoktrinuar shqiptarë, në Shqipëri dhe Romë arsyeja kryesore e qëndrimit me dy fytyra të qeverisë italiane në raport me Shqipërinë, lidhej me faktin se Italia ishte anëtare besnike e NATO-s e Vatikanit dhe e SHBA-ve të cilat e urrenin qeverinë komuniste të Shqipërisë dhe si rrjedhim nuk mund të lejonin forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë komuniste dhe Italisë imperialiste. Nga kjo perspektive kur në vitin 1960-1961, qeveria italiane i dha RF Gjermane një bazë aviacioni në ishullin e Sardenjës, ku u vendosën forcat ajrore të RF Gjermane, qeveria shqiptare duke iu referuar dispozitave përkatëse të Traktatit të Paqes me Italinë, bëri një protestë energjike pranë qeverisë italiane, Në këtë note proteste thuhej se Shqipëria dënon Italinë “për këtë veprim të saj, që përbën një rrezik të ri për paqen në Ballkan dhe në Evropë dhe që vërteton edhe një herë se Italia është shndërruar në një bazë agresioni kundër vendeve paqedashëse dhe në radhë të parë kundër RPSH”.
Dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, më 12 shtator 1968, pati rëndësi në marrëdhëniet e dy vendeve. Duket sikur kemi një ndryshim të diskursit politik. Shqipëria është bërë më dogmatike, në dokumentet e kohës tashmë janë më prezentë shprehje të tilla si “vendosja e pushtetit popullor në Shqipëri, konsolidimi i tij dhe sukseset e arritura në ndërtimin e socializmit, nuk i kanë pëlqyer asnjëherë borgjezisë italiane dhe në çdo kohë ajo është përpjekur dhe munduar që në mënyra të ndryshme të rrëzojë pushtetin popullor dhe të plotësojë synimet e vjetra të saj”, jo shumë prezentë këto fjali shabllone në dokumentet diplomatike të mëparshme, nga ana tjetër kemi një Itali që shprehte kënaqësinë për denoncimin dhe daljen e vendit tonë nga Traktati i Varshavës, duke e quajtur atë si “këputja e fillit të vetëm, i cili, qoftë dhe vetëm de jure, lidhte Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik, nga ku do të mund të merrte pretekst veprime ushtarake kundër Republikës Popullore të Shqipërisë” të cilat e rrezikonin edhe atë vetë.
Vendimi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, pati një jehonë të madhe në mediat italiane dhe qeveria italiane e shfrytëzoi këtë moment për të bërë oferta afrimi ndaj Shqipërisë. Qeveria italiane përveç shprehjes së kënaqësisë për këtë fakt, thirri për konsultim në Romë ambasadorin e saj në Tiranë, e udhëzoi që t’i paraqiste palës shqiptare dëshirën e saj për një bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve, duke u munduar që ta afrojë Shqipërinë me forma të hapura apo të maskuara, siç konstatonin burokratët shqiptarë. Gjithashtu ndryshe nga vitet e mëparshme tani personalitete italiane filluan të shkruajnë pozitivisht për Shqipërinë në shtypin e kohës dhe t’i bëjë jehonë pozitive daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës.
Qeveria shqiptare konstatonte gjithashtu se qeveritarët e majtë italianë të fundit të viteve 60-të, në politikën e tyre zyrtare karshi RP të Shqipërisë udhëhiqen nga politika e dënimit të agresionin fashist të 7 prillit 1939 kundër Shqipërisë, duke ia atribuuar atë fashizmit, flisnin për të ashtuquajturën bashkekzistencë paqësore, njihnin sovranitetin e Shqipërisë dhe ishin për të ruajtur statuskuonë në Evropë, duke njohur kështu kufijtë ekzistues të Shqipërisë dhe duke mos pranuar pretendimet territoriale greke të kohës në raport me Shqipërinë, synimet jugosllave për të copëtuar Shqipërinë, si dhe çdo veprim tjetër nga ana e BS, që do të ishte kundër Shqipërisë. Gjithashtu qeveritarët italianë, ndryshe nga disa vite më parë, pranonin se forma e regjimit në Shqipëri është çështje e brendshme e popullit shqiptar dhe se këta duan të kenë marrëdhënie normale në lëmin kulturor me Shqipërinë.
“Duke ndjekur këto qëllime, qeveritarët italianë, pretendojnë diplomatët shqiptarë, ndryshe nga më parë, të japin përshtypjen se kanë ndryshuar edhe sjelljen karshi përfaqësisë shqiptare në Romë. Personeli i përfaqësisë shqiptare tashmë ishte i lirë të lëvizë në çdo anë të vendit dhe nuk ushtrohej asnjë ndjekje e hapur ose diskriminim karshi tij siç konstatonin ata më parë.
Diplomatët shqiptarë mendonin se italianët tashmë përgjimet i bënin me anë të mjeteve sofistikuara teknike dhe nga kontrolli i bërë “na rezultoi, shkruanin përfaqësues të ambasadës shqiptare në Romë, se në përfaqësi dhe në shumicën e shtëpive të shokëve ka aparate përgjimi, të vendosura nga organet e kundërzbulimit Italian, por gjithashtu ata kontaktonin se, ndërsa para përfaqësive të vendeve revizioniste pra Vendet e Demokracive Popullore, mbas agresionit kundër Çekosllovakisë, u rivendosën policët italianë të armatosur, para përfaqësisë Shqiptare një gjë e tillë nuk u bë dhe çdo italian është i lirë të vizitonte përfaqësinë, duke mos pasur asnjë presion të jashtëm si më parë.
Por, Situatat e ndryshme politike që u krijuan në Evropë, në veçanti pas pushtimit të Çekosllovakisë nga ana e ushtrisë sovjetike, duke u shoqëruar kjo edhe me lëvizje të flotës detare sovjetike në Mesdhe, forcimi i pozitave kineze në Shqipëri si dhe ndihmat e mëdha ekonomike të Kinës dhënë Shqipërisë, shqetësuan seriozisht qeveritarët italianë të cilët filluar ta shikojnë gjendjen me interes të veçantë, duke e analizuar këtë në dritën e pasojave politike dhe strategjike që do të kishte për sigurimin e Italisë në Mesdhe.
Ndërsa në të kaluarën komanda ushtarake italiane vëmendjen kryesore ia kushtonte Italisë së Veriut dhe aty kishte përqendruar edhe shumicën e forcave të detarisë dhe të aviacionit, situata e re e detyroi komandën e lartë, që të rishikonte të gjitha planet e mbrojtjes. Ajo vendosi që të forconte edhe Italinë e Jugut. Kjo gjë shqetësoi qeverinë shqiptare. Ajo ishte “shumë dyshuese ndaj politikave të imperializmit Italian, pavarësisht se sot të gjitha këto masa italianët i arsyetojnë me kërcënimin sovjetik, por nuk përjashtohet gjithashtu që në një kohë tjetër këto përgatitje t’i përdorin edhe kundër Shqipërisë”.
Sipas qeverisë shqiptare, “Italia është e njohur si aleatja më besnike e imperializmit amerikan dhe që zbaton me verbëri urdhrat e tyre, por qëndrimet e SHBA lidhur me kërcënimin sovjetik shqetësojnë politikanët italianë, të cilët kanë filluar të shikojnë me dyshim ndarjen e zonave të influencës së bërë midis imperialistëve amerikanë dhe sovjetikë. Për italianët, ndarja e zonave të influencës nuk është e përcaktuar me përpikëri dhe as e qëndrueshme. Kështu mendojnë se për hir të interesave të larta të këtyre dy vendeve imperialiste dhe të bashkëpunimit sovjeto-amerikan, të mos merren parasysh kërkesat italiane për ruajtjen e statuskuosë në Adriatik e Jon.
Përpara kësaj gjendjeje është e qartë se qëndrimi italian, në rast të një sulmi sovjetik kundër RP të Shqipërisë, do të organizojë vetëm protesta, deklarata për dënimin e agresionit, mbështetje të rezistencës që bën Shqipëria dhe asgjë më tepër. Prandaj qeveria komuniste shqiptare shpëtimin e saj vazhdoi ta shohë edhe për një dhjetë vjeçar tek Kina komuniste rreth të cilës i forcoi edhe më shumë radhët e saj.
ma.me