Nga Ilir Yzeiri
Pamjet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me duart përpara në formën e faljes, ditën e varrimit të dëshmorit të fundit të Kosovës, Afrim Bunjaku, që të kujtonin procesionin e varrimit në një vend islamik ku feja përcakton edhe identitetin e ceremonialit, zëri i hoxhës që shoqëronte në banesën e fundit dëshmorin e Kosovës, në pamje të parë, duket sikur janë një gjë normale në arealin e atij vendi. Entuziazmi që ka shpërthyer ndër shqiptarë, sidomos ndër ata që ndjekin Albin Kurtin, i ka kapërcyer përmasat e qëndrimit real dhe po i shton folklorit të luftës vargje të reja duke e bërë narrativën e këtyre ditëve më delirante dhe mitomanët profesionistë po gjejnë lëndën e munguar. Ndërkaq, një djalë i ri, ish-luftëtar i UÇK-së, Dritan Goxhaj, djali i ushtarakut të shquar, Dilaver Goxhaj, edhe ai drejtues i UÇK-së, mbahet në burg sepse bëri një deklaratë të sinqertë në një emision televiziv. Për të nuk flet askush. Ai nuk arrin të ndezë asnjë shkëndijë nga frymëzimi delirant e mitoman i këtyre ditëve.
BE-ja e ka të vështirë të pranojë një realitet shqiptar që identifikohet me anën e drejtë të historisë dhe të dënojë Serbinë apo Greqinë që tradicionalisht e kanë ndërtuar politikën e tyre duke u mbështetur te ekspansioni fetar e territorial. Europianët e pranojnë lehtësisht që Greqia ka të drejtë të bëjë marrëzira e të sjellë në Shqipëri lloj-lloj karagjozësh që bëjnë protesta për Belerin apo që të dëgjojë vajtimet e Vuçiçit që ankohet për krimet e shqiptarëve, sepse ata e kanë ndërtuar nacionalizmin e tyre ekspansionist si mënyrë e ekzistencës dhe të gjitha luftërat për të marrë territoret e të tjerëve i kanë paraqitur si një e drejtë që u vjen nga e shkuara, nga koha kur është ngjizur lavdia e tyre antike. Ne, shqiptarët, në rrymë të shekujve që pas vdekjes së Skënderbeut u thërmuam dhe u copëtuam dhe e shpërbëmë lavdinë tonë antike. Shqiptarët më vitalë dhe më të zotë nxitonin në Stamboll dhe konvertoheshin në osmanë e bëheshin vezirë dhe luftonin për të mbrothësuar Perandorinë Osmane. Është një histori e gjatë dhe nuk mund të jetë objekt për këtë shkrim, por të mos harrojmë se vetëm pas vitit 1912 ne nisëm të mbledhin eshtrat e atdheut tonë si ai gjenerali i Kadaresë dhe kur të tjerët na kishin tjetërsuar territore e kulturën, kishat dhe vendet e shenjta, ne po hapnim sytë. Edhe atëherë ishin amerikanët që na shpëtuan nga copëtimi dhe Lenini që denoncoi traktatin e fshehtë të copëtimit. Por ne sot tallemi me letrën e Bajram Currit për Leninin. Pavarësisht të gjitha këtyreve, shqiptarët ruajtën gjuhën dhe identitetin e tyre, e përsëris shqiptarët jo elitat e tyre.
Falë këtij shpirti konservues ne kemi sot dy shtete shqiptarësh në Ballkan dhe komunitete shqiptarësh etnikë në Mal të Zi e Maqedoni. Mirëpo nuk duhet të harrojmë se gjithë kjo bashkësi shqiptarësh nuk ka një perëndi të vetme kombëtare. Një pjesë e madhe edhe sot ndjehen myslimanë dhe nuk identifikohen me historinë dhe traditën e Skënderbeut. Një pjesë tjetër ndjehen helenë dhe këtë e demonstrojnë hapur. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ? Identiteti kombëtar nuk mësohet dhe as nuk injektohet me dhunë. Të gjithë janë të lirë të ndjehen dhe të identifikohen me cilin të duan. Fakt është një gjë : shqiptarët, kështu të thërmuar e duke shitur identitetin në një pjesë të caktuar të tyre, erdhën deri këtu, sepse brenda pjesës më të madhe të tyre ka qenë e ruajtur ajo përkatësi që u ngjiz sidomos në motin e Gergjit të Madh. Askush nuk e kishte menduar që në shekullin e XXI shqiptarët do të ishin këta që janë sot. Ajo që harrojmë dhe që na kushton pastaj është se kjo botë që është e ndarë me aleanca historike ne, për fat të mirë, na ka hedhur në krah të SHBA-vë. Këtë është mirë ta mbajmë mend dhe jo duart e Albinit e të Vjosës që lexojë suretet e Kuranit në varrimin e dëshmorit të Kosovës, Afrim Bunjaku.