Nga Ilir Yzeiri
Kërkesa gati ultimative e PPE-ve për Belerin vijon të shfaqë kurbën ngjitëse drejt konfliktit të butë, por të vjetër, që kanë pësuar marrëdhëniet greko-shqiptare. Beleri tani po thehet në një metaforë ose në një sinekdokë politike për të shenjuar konfliktet e vjetra dhe për të riaktivizuar « megaliidhenë » e re. Gjithnjë e më tepër, grekët e Micotaqisit, duke e bërë çështje të politikës së tyre të jashtme e të brendshme burgosjen e Belerit, po afirmojnë pretendimet e hershme territoriale dhe po duan të ritheksojnë se klishetë dhe stereotipitë e vjetra të Epirit grek, të tokave helene dhe të gjithfarë marrëzirash të tjera, jo vetëm që nuk janë harruar, por rrinë aty në sirtarët e cilitdo kryeministër dhe aktivizohen sa herë që aksionet e helenizmit apo të vorioepirizmit pengohen apo nuk shtyhen më tej për shkaqe të ndryshme qoftë edhe për incidente si kjo që ndodhi me arrestimin e Belerit.
Fillimisht edhe unë kam menduar se arrestimi i Belerit ishte i nxituar dhe nuk duhej të ndodhte. Ashtu mendoj edhe sot. Mirëpo, duke parë atë që po ndodh sot dhe angazhimin e shtetit grek dhe të të gjitha instancave të asaj qeverie brenda e jashtë Athinës, shtyhem të mendoj se mes nesh, sa i takon historisë, problemeve të vjetra të territoreve dhe të besimit, jo vetëm që nuk janë sheshuar, por Greqia e ka shfrytëzuar naivitetin tonë dhe tradhtinë që ne e shesim si virtyt të poltikanit hajdut siç është rasti i Berishës në mbështetje të Belerit, për të realizuar dhe për të kënaqur strategjinë dhe ëndrrën e « megaliidhesë » që sot shfaqet në forma të tilla siç është interesimi deri në marrëzi për Belerin.
E njëjta gjë po ndodh edhe me Serbinë. Klima miqësore dhe politika e paqes që u përpoq të ndërtonte Edi Rama me disa nisma në Ballkan për të arritur deri të Ballkani i Hapur, jo vetëm që u hodhën në erë, kryesisht nga Vuçiç, por u ndezën më shumë me flakën e konflikteve edhe për shkak se Albin Kurti braktisi aleancën me SHBA-të dhe BE-në dhe u vërvit i vetëm mbi tankun e konfliktit në Veri duke mbetur atje si gjysmë hero i braktisur dhe me heroizëm të pashpërblyer.
Ndërkaq, Shqipëria, sidomos këtë vit, shënoi një progres të madh në të gjitha fushat dhe u bë emri i lakuar për mirë në të gjitha mediet e mëdha perëndimore. Për herë të parë imazhi i vendit tonë u paraqit ashtu siç edhe është në të vërtetë : një vend modern, i zhvilluar, me natyrë të bukur e të pastër, me rregull e me rend të garantuar. Gjithçka perfekt. Ky nivel ku kemi arritur do të ishte mirë të përkthehej edhe në një diplomaci dinjitoze dhe në një paraqitje më realiste përballë miqve. Edi Rama është protagonisti i këtyre arritjeve, pa diskutim. Por ai është protagonisti edhe i ndërtimit të një diplomacie naive, me « motër » e « vëlla », me mik e miq. Më ka mbetur në mendje vizita e Micotaqisit në Jug, ardhja e tij në Himarë, pastaj vizita në Dropull. Edi Rama, në kulmin e naivitetit i premton Micotaqisit se do të ndërtojë bustin e të atit të tij dhe do ta vendosë në Dropull. Çfarë diplomacie është kjo ? Pse ky entuzizaëm që buron ende nga komplekstiteti i inferioritetit?
Rama mund ta bënte atë deklaratë nëse Micotaqisi do ta shëtiste Ramën në viset e Çamërisë dhe Rama do të takohej me shqiptarët e mbetur atje që kanë frikë të flasin shqip kur u afrohet ndonjë i huaj. Nëse do të funksiononte diplomacia e mikut tim të ngushtë e vëllait apo e motrës, Greqia e Micotaqisit nuk do të hakërrehej siç edhe po bën tani me rastin e Belerit. Sot Shqipëria është në pozitën e saj më të lartë dhe është faktor në Ballkan. Ne nuk jemi në kohën kur kishim nevojë për vëllezër e motra që të na mbronin nga copëtimi. Ne sot kemi arritur atë shkallë zhvillimi që sidomos në politikën e jashtme dhe në marrëdhënie me fqinjët, të kërkojmë që të ndreqen të gjitha padrejtësitë historike në rrugë ligjore. Si është e mundur që Greqia mban ende ligjin e luftës me Shqipërinë për të kriminalizuar pa të drejtë gjithë Çamërinë dhe kryeministri ynë i premton Micotaqisit se do të vendosë bustin e babait të tij në Dropull !!!
Ndershëmria, entuziazmi dhe patetizmi nuk mendoj se mund të jenë sot toni i ligjërimit diplomatik. Edi Rama, që ka meritën kryesore për nivelin ku ka arritur Shqipëria, ka edhe përgjegjësinë që edhe diplomacinë ta orientojë nga realizmi dhe ta lërë në dorë të profesionistëve. Protagonizmi i tij këtu mund të shfaqet vetëm atëherë kur siç thotë një thënie- fjala të ketë më shumë vlerë se heshtja. Retorika e « vëllait », e « motrës » e « mikut tim » është një patetizëm i kapërcyer që i bën bashkëbiseduesit të vënë buzën në gaz. Në marrëdhëniet me Greqinë, ne duhet që në çdo tryezë të nxjerrim edhe dosjen çame. Vetëm kështu bëhemi dinjitozë dhe grekët na llogarisin si partnerë me të cilët duhet negociuar, jo me naivë që entuziazmohen nga miqësia që na dhuron një kryeministër grek.
Ke të dtejtë Yzeir.
Derrit (greqisë) nuk mund ti thuhet Dajë (vëlla i nënës) – i thonë toskët tanë.
Grekut, si gjithmonë, i shkon për shtat shprehja jonë, “Bëji nënën, të të thotë babá”.
Kjo që them, nuk është diplomaci adoleshenti, por është diplomaci eksperience, në raport me GREKUN dhe SËRBIN.
Si kuptim, eksperienca, është sentenca e gabimeve të mëparëshme të vëndit tonë, ndaj këtyre fqinjëve të pabesë.