Nga Alex Raufoglu
Kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, doli në skenë në Institutin Reagan më 9 prill, ai përcolli një mesazh pragmatizmi, më shumë sesa paniku: NATO-ja nuk është një forcë e konsumuar në krizë, por një shtyllë në tranzicion.
“Nuk jemi duke ‘fishkëllyer pranë varrezave’”, deklaroi Rutte – një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj narrativit të përsëritur për rënien institucionale.
Në vend të kësaj, ai përvijoi një vizion rigjallërimi – një “Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fuqishme”, e mbështetur nga pesha e domosdoshme e udhëheqjes së SHBA-së.
Megjithatë, pas këtij optimizmi të kujdesshëm qëndron një realitet më i ndërlikuar.
Pyetja kryesore rreth vizitës së tij në Uashington është kjo: a arriti Rutte t’i ulë tensionet gjithnjë e më të larta mes SHBA-së dhe Evropës, apo, thjesht, i përshkroi ato në një mënyrë më të butë dhe diplomatike?
Teza kryesore e Ruttes ishte sa një “degë ulliri” diplomatike, aq edhe një argument ekonomik.
Ai argumentoi se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë siguruar fitoren e shumëkërkuar në debatin e gjatë për ndarjen e barrës brenda NATO-s.
Sipas tij, pas viteve të presionit të fortë – sidomos gjatë presidencës së Donald Trumpit – aleatët evropianë po i përgjigjen thirrjes.
Ata po rrisin shpenzimet për mbrojtjen, po forcojnë industrinë ushtarake dhe po synojnë një nivel të ri investimesh prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto.
Kjo, tha Rutte, po e riformëson në mënyrë thelbësore “ADN-në” e aleancës.
“Epoka e varësisë së pashëndetshme po përfundon”, tha ai, duke e paraqitur këtë tranzicion si lindje të një “partneriteti të vërtetë”.
Dhe, duke u fokusuar te përparimi i arritur dhe jo te tensionet e së kaluarës, Rutte, tërthorazi, e ftoi Uashingtonin të shpallë fitore dhe të ecë përpara.
Brishtësia e kësaj “fitoreje” ishte e dukshme vetëm 24 orë më parë.
Takimi i Ruttes me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte, sipas përshkrimit të tij, “i sinqertë dhe i hapur”.
Ndërsa raporti personal midis të dyve mbetet i paprekur, optika, këtë herë, ishte zhgënjyese.
Ndryshe nga takimet e tyre të mëparshme, më performuese, kësaj here nuk kishte konferencë të përbashkët për për media – apo asnjë skenë të përbashkët për të projektuar një front të unifikuar.
Pavarësisht konsultimeve të ndara të Ruttes me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, atmosfera politike mbeti e tensionuar.
Trump përsëri e kritikoi publikisht NATO-n si aleancë jo të besueshme, duke rikthyer pakënaqësitë e vjetra dhe duke përmendur edhe çështjen e Grenlandës.
Rutte, gjithmonë diplomat, pranoi se ka fërkime, duke vënë në dukje se frustrimet e Trumpit burojnë nga një ndjenjë se “shumë aleatë nuk janë me të”.
Por, kundërargumenti i Ruttes ishte i qartë: shumica e vendeve evropiane tani kanë bërë pikërisht atë që Uashingtoni ka kërkuar. Ky “realitet i dyfishtë” – ku forca operacionale e aleancës shoqërohet nga paqëndrueshmëria politike – mbetet paradoksi kryesor i NATO-s moderne.
Përçarjet e fundit për Iranin kanë nxjerrë në pah vazhdimësinë e boshllëqeve në koordinim.
Rutte pranoi se disa aleatë ishin “pak të ngadaltë” në mbështetjen e iniciativave të SHBA-së, duke ia atribuar hezitimin mungesës së konsultimeve paraprake.
Ndërsa Evropa tani ofron logjistikë thelbësore dhe mbështetje bazë, situata nxori në pah një defekt të përsëritur: kërkesën për parashikueshmëri, kundrejt realitetit të veprimit të njëanshëm.
Vlen të përmendet se asnjë kryeqytet evropian nuk është zotuar për përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake në ndonjë përpjekje të udhëhequr nga SHBA-ja, për të detyruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Për më tepër, refuzimi i Spanjës për të ofruar qasje në hapësirën e saj ajrore për operacione të caktuara të SHBA-së, shërben si një kujtesë e fortë se shtrirja politike nuk përkthehet gjithmonë në sinkronizim ushtarak.
David Cattler, i cili shërbeu si ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për inteligjencën dhe sigurinë deri në vitin 2023, sugjeron se këto tendosje janë më shumë sesa, thjesht, probleme në rritje.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Cattler – tani bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe Qendrën Ndërkombëtare për Studime të Mbrojtjes – paralajmëron se aleanca është ushtarakisht e fuqishme, por politikisht e brishtë.
“Kjo shkon përtej fërkimit rutinor transatlantik”, thotë Cattler.
“Rreziku nuk është një përçarje dramatike, por një erozion gradual i kohezionit që ndryshon mënyrën se si aleatët planifikojnë dhe veprojnë”, shton ai.
Lidhur me ndarjen e barrës, Cattler vë në dukje se trajektorja fiskale është pozitive, por shton se debati ka evoluar.
“Nuk ka të bëjë më vetëm me shpenzimet totale; ka të bëjë me harmonizimin. Aleatët mund të përshtaten me presionin, por ata kanë vështirësi të përshtaten me paparashikueshmërinë”, thotë Cattler.
Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk është ndonjë politikë specifike, por se si aleatët i deshifrojnë sinjalet – shpesh kontradiktore – që burojnë nga Uashingtoni.
Cattler thotë se një Evropë më autonome duhet të trajtohet me kujdes, për të siguruar që ajo e përforcon dhe nuk e fragmenton frenimin kolektiv.
Ndërsa SHBA-ja po përqendrohet gjithnjë e më shumë te rajoni i Indo-Paqësorit, ai thekson se prioritet kryesor i NATO-s duhet të mbetet siguria në zonën euro-atlantike.
Sipas tij, ky mision nuk duhet të dobësohet, sepse, në të kundërtën, rrezikohet vetë roli dhe qëllimi themelor i aleancës.
Ndërsa dega ekzekutive në SHBA dërgon sinjale të përziera, Kongresi po përpiqet të paraqesë një bazë të qëndrueshme stabiliteti.
Në një rast të rrallë bashkëpunimi mes partive, një grup senatorësh – të udhëhequr nga demokratja Jeanne Shaheen nga Nju Hempshir dhe republikani Thom Tillis nga Karolina e Veriut – publikuan më 9 prill një deklaratë të përbashkët, ku konfirmuan angazhimin e tyre “të hekurt” ndaj aleancës 75-vjeçare.
Ky grup, që përfshin figura të rëndësishme nga spektri politik, theksoi se çdo tërheqje e SHBA-së nga NATO-ja, do të kërkonte ligjërisht miratimin e Senatit.
Edhe pse ata përsëritën qëndrimin e Trumpit se aleatët duhet të mbajnë barrën e tyre – duke pranuar se presioni i tij ka dhënë rezultate – paralajmëruan se paqartësia politike në Uashington vetëm sa i inkurajon kundërshtarët si Moska dhe Pekini.
Vizita e Ruttes në Uashington nuk u dha zgjidhje ndarjeve transatlantike, por i bëri ato më të qarta.
Nga njëra anë, NATO-ja sot është më e fortë se më parë: ka më shumë financim, është më e vetëdijshme për rolin e saj dhe më e aftë ushtarakisht. Nga ana tjetër, besimi politik mbetet i dobësuar, për shkak të pasigurisë dhe prioriteteve të ndryshme globale.
Arritja kryesore e Ruttes ishte mënyra se si i paraqiti këto tensione – jo si shenja dobësimi të aleancës, por si pjesë e një procesi të ndryshimit dhe përshtatjes.











