Një i ri nga Maminasi është kthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tij në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Student i vitit të katërt për matematikë në Gjermani, Joan Metaliu në zgjedhjet e 14 majit është kryetar i komisionit të njërës prej qendrave të votimit në bashkinë e Shijakut.
“Kam ardhur para dy ditësh për të kryer detyrën e kryetarit të QV 1340, Vlashaj. Edhe në zgjedhjet e fundit në prill 2021 kam bërë të njëjtën detyrë. Është diçka që e bëj me pasion prej vitesh dhe doja të jepja kontributin tim për mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Joan Metaliu.
Ka shfrytëzuar fundjavën dhe pasionin e tij që të vijojë traditën e familjes ndër breza, ndërsa është krenar që i përket një zone që ka dëshmuar gjithnjë qytetari në votime.
“Dihet që Shqipëria është një vend që ka pasur gjithnjë problematika me zgjedhjet edhe pse ne si zonë, Maminasi, ka qenë shembull dhe në vitet më të errëta të zgjedhjeve në vend. Të jap kontributin tim për të vazhduar linjën e gjakut. Një anëtar i familjes sime ka qenë gjithnjë ose sekretar, ose…”
Nuk ka ende një plan se çfarë do të bëjë pas përfundimit të studimeve në Gjermani, por politika e tërheq dhe ëndrra e tij në sirtar është që një ditë të bëhet kryeministër.
“Ëndrra ime gjithnjë ka qenë të jem kryeministër, po këto gjëra bëhen shkallë-shkallë. Fillohet nga poshtë, por ia lejmë së ardhmes”, shtoi ai./m.j