Për vite me radhë, monarkitë e Gjirit janë paraqitur si një oaz i qetësisë, një strehë e besueshme dhe kozmopolite, e paprekur nga paqëndrueshmëria kronike gjeopolitike e Lindjes së Mesme.
“Na sillni të pasurit tuaj, turistët tuaj, fondet sovrane, markat e luksit, miliardat me origjinë të paqartë”, dukej sikur thoshin sheikët dhe emirët, duke e kthyer përmbys mesazhin e famshëm të Statujës së Lirisë.
Por mjaftuan vetëm disa ditë që ky projekt i shtrenjtë për një të ardhme post-nafte të kthehej në makth, nën goditjet e një konflikti që për dekada e kanë pasur frikë dhe janë përpjekur ta shmangin. Si kundërpërgjigje ndaj sulmeve masive të SHBA-ve dhe Izraelit, Irani lëshoi mbi një mijë raketa dhe dronë kundër Arabisë Saudite, Emirateve, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Omanit. Të paktën shtatë civilë humbën jetën dhe qindra u plagosën. Infrastruktura, ndërtesa dhe qendra të dhënash u goditën, linjat e transportit u ndërprenë, shërbimet bankare dhe tregtia online u paralizuan pjesërisht.
Aeroportet u mbyllën, mijëra fluturime u anuluan dhe dhjetëra mijëra turistë e banorë të huaj u evakuuan të tmerruar. Pamja e qiellit mbi grataçelat e Dubait, ndriçuar nga raketat iraniane dhe tymi i shpërthimeve, përshkruan më së miri kataklizmin në zhvillim.
Kriza ka goditur rëndë reputacionin e vendeve të Gjirit. “Ajo shkatërron perceptimin e sigurisë dhe stabilitetit që këto ekonomi kanë ndërtuar, dhe nëse vazhdon, përveç dëmeve afatshkurtra, mund të kërcënojë investimet dhe përpjekjet e diversifikimit”, thotë analisti Jason Tuvey nga Capital Economics.
Në rrezik është plani gjigant “Vision 2030” i Arabisë Saudite, me mijëra miliardë dollarë të destinuar për shëndetësinë, arsimin, turizmin dhe argëtimin, për të ulur varësinë nga nafta. Po ashtu, e ardhmja e qendrave të të dhënave është e pasigurt, pasi disa prej tyre u goditën në Emirate dhe Bahrein.
Turizmi është goditur më rëndë: me 100 milionë vizitorë në vitin 2025, ai përbën 12% të ekonomisë së Emirateve, ndërsa në Arabinë Saudite të ardhurat nga turizmi në vitin 2024 për herë të parë tejkaluan eksportet e produkteve petrokimike, duke arritur në 41 miliardë dollarë. Sipas Tourism Economics, konflikti mund të sjellë këtë vit një ulje të vizitorëve ndërkombëtarë në Lindjen e Mesme nga 11% deri në 27%, me humbje financiare mes 34 dhe 56 miliardë dollarësh.
Ndërkohë, bllokimi i ngushticës së Hormuzit ka penguar eksportet e naftës, ndërsa infrastruktura energjetike ka pësuar dëme të rënda. Katari u detyrua të mbyllë prodhimin e gazit të lëngshëm pasi disa rafineri u goditën.
Që nga Revolucioni i vitit 1979, Irani shihet nga monarkitë e Gjirit si faktor destabilizues. Për këtë arsye, ato kanë mbajtur lidhje të ngushta me SHBA-të si garanci mbrojtjeje. Por vitet e fundit, Omani, Katari, madje edhe Emiratet dhe Arabia Saudite, kanë tentuar një afrimitet diplomatik me Teheranin, për të shmangur konfliktin. Megjithatë, sulmet e fundit e kanë përmbysur çdo llogaritje.
Tani monarkitë e Gjirit gjenden përballë një dileme: të bashkohen me aksionin ushtarak kundër Iranit, duke rrezikuar një përshkallëzim të rrezikshëm, apo të mbështeten sërish te diplomacia, e cila deri më tani nuk ka dhënë rezultate.
Në çdo rast, e ardhmja mbetet e pasigurt. Edhe në rast ndryshimi regjimi, askush në Gjirin Persik nuk dëshiron një Lindje të Mesme të dominuar nga Izraeli. “Kur lufta të përfundojë, dinamika të reja do të dalin në rajon”, parashikon ish-kryeministri i Katarit, Sheikh Hamad al-Thani.











