• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, March 18, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

ENDRI XHAFO / Përpara drejt humbjes!

by
28/05/2015 12:49
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Po e them që në krye të herës se më vjen keq për miqtë e mi (jo të pakët) demokratë! Madje, shpirtrat e ndjeshëm, më mirë të mos lexojnë më poshtë. Por, në gjykimin tim, PD firmosi të mërkurën kapitullimin në Durrës! Në një kohë që beteja për Tiranën ka qenë e humbur në avancë!

Nga ta fillojmë? Nga Tirana? Pa i hyrë një bilanci të hollësishëm, të gjithë biem dakort në një pikë: që në Tiranë s’është bërë hiçgjë këto katër vite! Ajo që i ndan demokratët me socialistët, janë arsyet:

Demokratët thonë – dhe jo pa të drejtë – se qeveria bllokoi disa projekte madhore të Lulzim Bashës. Fakti që dikur u veprua njësoj me ndonjë projekt të Edi Ramës kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk është argument! Nuk është argument sepse simetria e budallallëkut nuk ka pse të jetë shfajësim politik. Socialistët nga ana e tyre thonë se Lulzim Basha thjesht sa shkëlqeu me paaftësinë e tij. Çështje këndvështrimesh. Mbetet që qytetarët nuk kanë sot as bulevardin e ri, as parkun e Paskuqanit, as tramvajin, as stacionin multimodal, as parkingjet nëntokësore, as ato mbitokësore, as nënkalimet nga një trotuar në tjetrin përgjatë rrugës “Dritan Hoxha” nga Zogu i Zi deri në Laprakë, as disa shkolla të reja që do të eliminonin mësimin me dy turne, as kartën e studentit, as bibliotekën bashkiake, as kampusin e ri të Universitetit të Tiranës, por kanë një plan të ri urbanistik, kanë themelet e kullave disakatëshe te diga e liqenit artificial, disa gropa të frikshme në rrugë, si psh. ato përpara stadiumit “Qemal Stafa” apo në fundin e rrugës pedonale përpara godinës së Komunitetit Mysliman, dhe kaq! Ah, po. Kanë edhe një shesh qendror me aspekt estetik të dyshimtë, që, i parë nga lart, i ngjan një pecete higjienike të përdorur, por që ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e makinave në qendër.

Tani, qytetarët e Tiranës nuk janë budallenj! Beteja politike që u premton atyre opozita për këto zgjedhje lokale nuk zë vend në Tiranë. Dhe, besoj unë, askund tjetër. Eshtë e vërtetë që ndonjëherë zgjedhjet lokale mund të jenë test politik për qeverinë. Ka ndodhur në korrik ’92, kur PD, fitimtare e zgjedhjeve të 22 marsit, për shkak të zhgënjimit të padrejtë që erdhi prej pritshmërive tepër të larta të elektoratit, u ndëshkua me votë pas vetëm 3 muajsh në pushtet. E kundërta ndodhi në tetor ’96, kur PD i fitoi zgjedhjet lokale ndershmërisht, pasi kishte fituar pandershmërisht ato të 26 majit. Pra, ajo që dua të them, është se komportimi i elektoratit nuk është shkencë ekzakte dhe nuk ekziston formula për ta zbërthyer atë gjithmonë njësoj.

Në rastin konkret duhen marrë parasysh disa variabla:

Së pari, mosrealizimet e administratës Basha.

Së dyti, pakënaqësia nga qeveria.

Së treti, aktorët në lojë.

Së katërti, kontrolli mbi institucionet e zgjedhjeve.

Së pesti, ndarja e re territoriale.

I marrim për të mirëqenë dy variablat e parë: Lulzim Basha dështoi dhe qeveria ka prodhuar pakënaqësi. Si në një ekuacion aritmetike, këta eliminojnë njëri-tjetrin. Me plus/minus, vlerën për efekt analize po e marrim 0, sepse do të shohim pak më poshtë se si të tjerë faktorë neutralizojnë edhe atë pak mbetje që mund të pretendonte PD nga të pakënaqurit nga qeveria, në rast se këta do të ishin më të shumtë sesa të pakënaqurit nga Lulzim Basha. Ndaj kalojmë te variablat e tjerë dhe shohim aktorët në lojë.

Kohët e fundit kam lexuar në rrjete sociale, aty ku shfryhet pa censurë gjendja e humorit të popullit, se PD duhet të zgjidhte një figurë me karakter dhe se i vetmi që e mishëronte këtë nga kandidaturat e përfolura ishte patjetër Halim Kosova. Me gjithë respektin në distancë për Halim Kosovën, unë mendoj se Halim Kosovën po e bëjnë “kokë turku” në këto zgjedhje dhe, në këtë pikë, ai ose është naiv, ose ka më pak respekt për veten sesa të tjerët kanë për të. Ose, e fundit, ai u vetëofrua për ta nxjerrë nga sikleti kryetarin Basha, sepse, në raport me emrat e përfolur të Jorida Tabakut dhe Gerti Bodanit, Halim Kosova ka dyfishin e moshës së tyre dhe politikën e ka profesion të dytë, pra, është personi që ka më pak për të humbur nga humbja! Mirëpo, nëse është kështu, pra që Halim Kosova po shkon me vetëdije drejt vetflijimit politik për të shpëtuar karrierat e dy të rinjve dhe partinë nga sikleti i njerëzve që refuzojnë kandidimin, atëhere Halim Kosova meriton gjithë respektin e demokratëve të thjeshtë! Kurse atyre që sinqerisht besojnë se kandidatura e zotit Kosova është fituese, u them këtë:

Unë e njoh zotin Kosova prej reputacionit profesional, që, edhe pse nuk gjeneron unanimitet mes bluzave të bardha, prapëseprapë gafat profesionale që i atribuojnë atij kolegët, unë ia lë në derë “gojëve të liga” dhe po i llogaris si xhelozira profesionale, nga ato që ka rëndom në çdo zanat. Pra, po e marr të mirëqenë që Halim Kosova është një profesionist i paqortueshëm dhe një burrë me integritet. Por, çfarë garancie më jep kjo mua që ai do të jetë një administrator i mirë? Çfarë më garanton mua që ai do t’ia dalë aty ku dështoi Lulzim Basha, qoftë edhe në gjetjen e gjuhës së përbashkët me qeverinë për zhbllokimin e kantiereve në Tiranë? A më hyn mua në punë dinjiteti që zoti Kosova do t’i japë me prezencën e tij bashkisë së Tiranës, ndërkohë që për Tiranën duhet energji, vizion dhe aftësi menaxheriale? Pastaj, si i bie, që deri tani Tiranës i ka munguar dinjiteti? Apo që do t’i mungojë nëse zgjidhet Erion Veliaj? Ajo që më duket e pandershme në këtë qasje është përpjekja që bëhet për ta nxjerrë zotin Kosova si një burrë të ndershëm dhe Erin si një çun pa karakter dhe i dalëboje.

Si një njeri që Erion Veliajn, ndryshe nga Halim Kosova, e njoh nga afër, e di që Erion Veliaj është më i sinqertë “dal vivo” sesa në ekran. Kjo është një e metë e tij, që nuk i heq gjë thelbit: Erion Veliaj ka një energji të pashtershme dhe mund të jetë alter ego-ja e Edi Ramës në periudhën e tij më të mirë në krye të bashkisë, qoftë edhe duke pranuar fillimisht rolin de facto të nënkryetarit të bashkisë. Emancipimi politik do t’i vijë më vonë. Megjithatë, në fitoren e Erion Veliajt, ashtu si në humbjen e Halim Kosovës, nuk do të luajë rol karakteri, por faktorët në lojë!

Erion Veliaj, përkundër një kandidature hipotetike të Saimir Tahirit, që, deri-diku mund të thuhet edhe se i takonte Tirana, si kryetar dege i PS-së që është, – madje Saimir Tahiri u sondua një herë në fillim pranë socialistëve të Tiranës, – pra, Erion Veliaj, ndryshe nga Samir Tahiri dhe nga tërë kandidaturat e tjera socialiste, gëzon mbështetjen e Ilir Metës! Që, për t’ia salduar fitoren, po sponsorizon tani Agim Tafajin, kryetarin e njësisë bashkiake nr.8, ish-republikan, ish-demokrat dhe tashmë i pavarur, një kameleon i vërtetë politik nga ata që janë shtuar rëndom kohët e fundit.

Një votim i kohëve të fundit në KQZ, nxori në pah bashkimin e votës së kryetares Lefterie Lleshi me anëtarët e propozuar nga e majta, duke vërtetuar atë që përflitej, ndryshimin e balancave të brendshme. Sot mazhoranca kontrollon KQZ-në në raportin 4 me 3. Kjo na shpie te variabli i katërt, kontrolli mbi institucionet zgjedhore. Veç KQZ-së kemi edhe Kolegjin Zgjedhor si instanca e fundit e apelimit dhe e vendimmarrjes, por ky ka qenë kryesisht me pushtetin, që ka edhe mekanizmat promovues (rasti i Tom Ndrecës që u dekretua në Gjykatën e Lartë).

Pra, edhe nëse në Tiranë ka më shumë të pakënaqur nga qeveria e Ramës se sa nga administrata e Bashës, efekti i tyre eliminohet me futjen në lojë të tironsit Gim Tafaji, kryetar i shoqatës “Tirana”, me afrimin e FRD-së me PS-në dhe me efektin “Bojaxhiu”, që, hipotetikisht, mund të marrë vota të pakënaqurish nga të dy krahët, por, sponsorizimi i tij prej dy ish-këshilltarëve të Sali Berishës, Ermal Hasimja dhe Neritan Sejamini, më shtyn të mendoj se “do të hajë” më shumë djathtas.

Dhe, ajo që i vë vulën Tiranës, është LSI! Nëse shohim shifrat e zgjedhjeve të fundit, avantazhi i Lulzim Bashës në qytet, me gjithë votat e LSI-së dhe me gjithë episodin e fletëve në kutitë e gabuara, ishte vetëm +93 vota në një total prej 251389 votash. Sigurisht, të djathtës i duhen shtuar edhe +1398 vota komuniste të Hysni Milloshit (ironike, apo jo?), por që iu hoqën të majtës dhe i duhen shtuar edhe disa vota të LZHK-së. Në fakt ndarja e re territoriale, variabla e pestë e kësaj analize, që i bashkangjit bashkisë së Tiranës edhe 13 komuna përreth, duket sikur krijon një rezervuar votash të djathta, +3067 në total, të cilat, në të vërtetë, treten në totalin e votave të marra nga LSI në kryeqytet dhe komuna, plot 24523. Përballë këtyre faktorëve, Sazan Guri (nëse regjistrohet) nuk do të ngrejë peshë.

Shkojmë në Durrës. Durrësi është i vetmi qytet i madh ku demokratët kishin shpresa reale për të fituar. Por, me kandidimin e Grida Dumës, shpresat shkuan afër zeros!

E fillojmë mbrapsht analizën, nga variabla e pestë. Rezerva e Vangjush Dakos në qytet ishte +3583. Mirëpo defiçiti në totalin e bashkive të vogla dhe komunave përreth që i bashkohen Durrësit me ndarjen e re territoriale, shkon në -737 vota. Pra Durrësi sot është i rrethuar nga komuna dhe bashki ku e djathta në 2011 ka marrë më shumë vota. E djathtë që në atë kohë kishte edhe LSI-në. Nëse ia zbresim koalicionit të djathtë votat e marra nga LSI në Durrës, Ishëm, Manëz, Sukth, Katundi i Ri dhe Rashbull, dhe ia kalojmë aritmetikisht Vangjush Dakos, atij i shtohen 6711 vota dhe del sërish në avantazh me 5974 vota për një total rreth 200 mijë zgjedhës në bashkinë e madhe që krijohet. Kjo diferencë nuk do të ishte e parikuperueshme për të djathtën, nëse do të mbanim parasysh variablat e tjerë.

Së pari, mosrealizimet e administratës Dako.

Së dyti, pakënaqësinë nga qeveria.

Së treti, aktorët në lojë.

Së katërti, kontrollin mbi institucionet e zgjedhjeve.

Së pesti, ndarjen e re territoriale (që e pamë).

Po ashtu pamë edhe kontrollin mbi institucionet e zgjedhjeve, që është në favor të Vangjush Dakos.

Por në disfavor të tij janë shumatorja e pakënaqësisë nga qeveria dhe pakënaqësisë nga premtimet e pambajtura të bashkisë së Durrësit, ku mjafton të përmendim mosndërtimin e një landfilli sanitar, moszhvillimin e inkubatorëve për biznes brenda parkut industrial, mosngritjen e një porti turistik për qytetin, mosndërtimin e shëtitores bregdetare “Vija e Kaltër”, mosndërtimin e qendrës së re të kulturës, muzeut dhe bibliotekës publike, mosndërtimin e pishinës olimpike dhe kompleksit sportiv, të një qendre ditore rehabilitimi për fëmijët e abuzuar dhe të një tjetër qendre për gratë dhe vajzat e dhunuara, mosndërtimin e disa kopshteve dhe çerdheve, ndërtimin e dhjetra shumëkatëshave dhe betonizimin e qytetit pas tre mandatesh rresht, pra, një mori argumentash kundër kryetarit aktual. Por, Vangjush Dako, me kandidimin e Grida Dumës, mund të çlirohet nga ankthi, sepse, sido që të jetë bilanci, ai do ta bëjë edhe një mandat të katërt!

Unë Grida Dumën e njoh dhe për disa gjëra e çmoj. Nuk di nëse është njeri i mirë, sepse mirësia dhe ligësia njihen në marrëdhënie pune, por, herën e parë që e pata në program, mora një mesazh nga dikush shumë i afërt me PD-në: “Ore, këtë Grida Dumën ju e ftoni apo jua sjellin”? E vërteta është që herën e parë ma kishin sjellë, por herët e tjera e ftova me shumë kënaqësi dhe besoj se ajo ka ambicien dhe energjinë e nevojshme për t’i hyrë gjërave me kokë. “Grida la grinta”, them unë. Mirëpo kjo nuk mjafton. Nuk mjafton sidomos në rastin e Durrësit, ku ndikon shumë variabli “faktorë në lojë”. Ky variabël i dha fitoren Sokol Olldashit në 2005-ën përballë Agron Dukës; ky variabël mund t’i jepte fitoren Agron Dukës përballë Vangjush Dakos dhjetë vjet më vonë. Si?

Nuk duhet harruar ndikimi që kanë në Durrës tre familjet e mëdha, Duka, Koka dhe Hasanbelliu. Influenca është farefisnore, shoqërore, por edhe ekonomike, përmes interesave të ndërvarura, apo qoftë edhe prej familjeve të tëra të punësuara në bizneset respektive. Hasanbellinjtë janë të lidhur më Vangjush Dakon dhe nuk ndajnë të njëjtat interesa me Dukët. Këtu mplekset edhe futbolli, sepse Hasanbellinjtë drejtojnë klubin “Teuta”, në një kohë që president federate është Armando Duka. Por, Dukët kishin marrë garancinë e Kokëve se të paktën këta nuk do të vepronin kundër Agron Dukës, pavarësisht se Lefter Koka është ministër i mazhorancës. Përveç kësaj, vetë dega e PD-së së Durrësit është e përçarë në 3-4 rryma, që dolën në pah gjatë zgjedhjeve të fundit për kryetarin e degës. Duke mos qenë me asnjërën nga rrymat dhe për shkak të konjukturës së përgjithshme lokale, sondazhet e nxirrnin Agron Dukën kandidaturë fituese, bindshëm! Me daljen jashtë loje të Agron Dukës dhe futjen në lojë të Grida Dumës, familja Koka nuk ka asnjë pakt për të respektuar, kurse vetë Grida nuk ka asnjë garanci se do ta votojnë të gjithë demokratët e përçarë të Durrësit. Mesazhi që tregova më sipër për të, ilustron më së miri se si figura e saj nuk ngjall unanimitet në PD. Grida e di këtë, por s’i bëhet vonë hiç! Grida kandidimin e ka si punë të dytë dhe ndryshe nga Jorida në Tiranë, që duhet të linte mandatin e deputetes, Grida nuk ka çfarë të humbasë nga humbja! Përkundrazi, mund ta konsiderojë kandidatimin si një promovim nga lidershipi demokrat; sigurisht, gjithmonë nëse “humb me nder”. Pikëpyetja është për PD-në, pse refuzoi zotin Duka, duke e lëshuar kësisoj Durrësin në tavolinë?

Në fakt ka dy argumenta politikë, që e kanë bërë zotin Basha – apo zotin Berisha, por këtu pak rëndësi ka emri, – që të mos e mbajnë fjalën përkundrejt zotit Duka dhe zotit Mediu. Le ta vëmë veten për një moment në vendin e tyre:

Së pari, nëse PD i jepte një bashki të madhe një partie aleate, që me gjasë ishte e vetmja bashki e madhe ku kishte realisht shanse për rotacion, imagjinoni zhvlerësimin politik të demokratëve me humbjen e Tiranës përballë fitores së Durrësit nga republikanët.

Së dyti, dhe më kryesorja, PD nuk kishte asnjë garanci se Agron Duka do të punonte për PD-në në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës! Sepse, kryetari i bashkisë, – kur nuk kapërcen si Hasan Halilaj në Kukës nga PD te LSI, – punon gjithnjë për partinë që e ka vënë. Ndaj, në këtë kuptim, PD vlerëson më shumë humbjen e Durrësit dhe rikonfirmimin e Vangjush Dakos, sesa fitoren e Agron Dukës. PD shpreson se konsumimi nga pushteti i Vangjush Dakos do të japë fryte pas dy vjetësh dhe, pakënaqësia nga bashkia, e kryqëzuar me pakënaqësinë nga qeveria, do ta kthejnë më në fund Durrësin djathtas për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Logjika në fakt qëndron.

Fatmir Mediu, i humburi i madh i kësaj historie, u dorëzua në heshtje. Ai nuk mund të dalë jashtë koalicioni me PD, sepse nuk ka komisionerë që t’i ruajnë votën. Mes përgjegjësisë vetjake për përçarjen e së djathtës dhe përgjegjësisë së PD-së për humbjen e Durrësit, ai zgjodhi t’i lërë aleatit të madh “dopjo gjashtën”.

I vetmi qytet i madh ku PD mund të shpresojë ende fitoren, është Shkodra. Shkodra, bashkë me Tiranën, janë të vetmet bashki të rëndësishme që drejtohen sot për sot nga demokratët, ndërkohë që për zgjedhjet e 21 qershorit pritet të shihet aty edhe faktori “Doshi”. Ilir Meta po e shndërron në një investim personal mbështetjen dhe promovimin e Keti Bazhdarit, si për t’i thënë Tom Doshit se e majta mund t’ia dalë edhe pa të. Interesante do të jetë përplasja e disa faktorëve të biznesit dhe të politikës lokale (psh. FRD-ja lokale ka dalë kundër afrimit me PS-në). Në çdo rast, rezerva e votave të PD-së, edhe me ndarjen e re territoriale, e bën të vështirë, në mos të pamundur, marrjen e Shkodrës. Shkodra me gjasa do të rezistojë, si për t’u thënë demokratëve se për 2017-ën, ka ende shpresë!

Next Post

"Bllokoni 3.5 mln lekë të investuara në BSH nga trafiku i drogës"

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, Spiropali: Moment kyç për integrimin europian

Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, Spiropali: Moment kyç për integrimin europian

March 18, 2026
Lufta me Iranin, shpërthime të forta mbi kryeqytetin e Arabisë Saudite

Lufta me Iranin, shpërthime të forta mbi kryeqytetin e Arabisë Saudite

March 18, 2026
VIDEO/ Lefter Maliqi përplaset me Ngjelën: Je avokat i dështuar, merr një arkivol dhe zhduku! Ke mbaruar punë o plak i rrudhur

VIDEO/ Lefter Maliqi përplaset me Ngjelën: Je avokat i dështuar, merr një arkivol dhe zhduku! Ke mbaruar punë o plak i rrudhur

March 18, 2026
Paralajmëron Mojtaba Khamenei: Kriminelët do të paguajnë së shpejti për vrasjen e Ali Larijanit

Paralajmëron Mojtaba Khamenei: Kriminelët do të paguajnë së shpejti për vrasjen e Ali Larijanit

March 18, 2026
Gjykata Kushtetuese publikon raportin për 2025: U regjistruan mbi 500 kërkesa

Gjykata Kushtetuese publikon raportin për 2025: U regjistruan mbi 500 kërkesa

March 18, 2026
Mbi 3000 shqiptarë në Lindjen e Mesme, deputetët e PD-së kërkojnë seancë dëgjimore me kryeministrin Rama

Zgjedhjet në PD/ Zbulohet kandidatura e parë për kryetare, kush do të garojë përballë Berishës

March 18, 2026
Salianji: Berisha nuk mbajti fjalën, neni 46 i PD-së nuk thotë m’u vodhën votat

Salianji: Berisha nuk mbajti fjalën, neni 46 i PD-së nuk thotë m’u vodhën votat

March 18, 2026
Dash Sula kërkon riformatimin e Inspektorateve: Kanë më shumë juristë sesa inxhinierë

Dash Sula kërkon riformatimin e Inspektorateve: Kanë më shumë juristë sesa inxhinierë

March 18, 2026
Aksidenti tragjik në aksin Korçë-Maliq! Makinat u përplasën “kokë më kokë”, humb jetën shoferi 45-vjeçar (Emri)

Aksidenti tragjik në aksin Korçë-Maliq! Makinat u përplasën “kokë më kokë”, humb jetën shoferi 45-vjeçar (Emri)

March 18, 2026
Shefi i NATO-s: Po punojmë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

Shefi i NATO-s: Po punojmë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

March 18, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In