Historia e Ben Blushit me Edi Ramën është në radhë të parë historia e një miqësie të prishur. Në fakt, a nuk janë të tilla shumë histori personale në politikën shqiptare që prej viteve ‘90? Sigurisht! Por, ka qenë një kohë kur ata që punonin me Blushin te “Koha Jonë”, e adhuronin. Ata që punonin aty, me dhe për Blushin, e ndoqën madje verbtazi edhe në projektin e shkurtër të gazetës “Indipendent”, në ‘97-ën. Shikoni sot ish-gazetarët e djeshëm, që janë aktualisht drejtues mediash apo analistë, me çfarë respekti e trajtojnë Blushin. Pse? Sigurisht, edhe për hir të kohëve të shkuara. Blushi iu imponua brezit të tij, përfshirë këtu edhe Edi Ramën, me një autoritet të fortë intelektual. Ben Blushi ishte ministër për pushtetin lokal në 2003-shin, kur i dha firmën Edi Ramës për të kandiduar për kreun e PS përballë kryeministrit Fatos Nano. Rama humbi ndjeshëm, por, a nuk ishte ky akti i parë i tradhtisë i të dyve ndaj Fatos Nanos, që i futi të dy në politikë? Apo, tek e fundit, është e pashmangshme që në një moment, imazhi i atit duhet vrarë në mënyrë që të rinjtë të mund të ecin përpara? E vërteta është se Blushi e mbështeti Ramën edhe në 2005-ën, kur Ramës praktikisht partia i ngeli në dorë. U fol se mes tyre pati një pakt si ai mes Toni Blerit dhe Gordon Braunit në Partinë Laburiste në Britaninë e Madhe, pra që Blushi do ta mbështeste, në këmbim të marrjes së drejtimit të partisë pas Ramës. Kur socialistët humbën në zgjedhjet e 2009-ës, Blushi kërkoi respektimin e statutit të partisë, që thoshte se kur partia humb zgjedhjet, kryetari jep dorëheqjen. Rama nuk e dha dorëheqjen si kryetar i PS-së, sepse pretendoi që zgjedhjet u vodhën. Blushi u vu në krye të së ashtuquajturës “LMN/Lëvizja për mendim ndryshe”, por e la në mes. Në 2013-ën të gjithë LMN-istët u dogjën, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello, Andis Harasani u vetëlarguan, kurse Blushi jo. Pse? Hija e fortë e dikurshme e Blushit si mik e shok, apo tradhtia tjetër e Blushit, kësaj here ndaj LMN-istëve, për shkak ndoshta të një tjetër pakti politik me Ramën? Në fakt Blushi vetë ka thënë se besoi te programi elektoral i 2013-ës, por, pas krijimit të qeverisë dhe punëve të para kuptoi se Rama kishte ngritur kabinetin më të dobët ndonjëherë. Tani, ai kërkon të marrë drejtimin jo vetëm të partisë socialiste, por edhe të vendit, sepse mendon se mund ta drejtojë më mirë si partinë, ashtu edhe qeverinë.
E gjitha kjo histori sa personale, aq edhe politike, ka disa pikëpyetje:
1) Kur lindi ambicia te Blushi për të qenë në krye të PS-së dhe, prej andej, në krye të vendit?
2) Pse në 2003-shin nuk kandidoi vetë, por mbështeti Edi Ramën?
3) Pse pas 2009-ës i kërkoi të largohej nga partia, kur Edi Rama nuk kishte pasur rast ta tregonte veten sa vlente si kryeministër?
4) Duke qenë se në Shqipëri, në aspektin elektoral ka pasur gjithmonë një konstante historike ku qeveritë kanë bërë nga dy mandate, vërtet mendonte Blushi se Rama do të mund t’i fitonte zgjedhjet pas mandatit të parë të qeverisë “Berisha”? Apo kishte bërë një kalkulim të pastër politik, duke menduar humbjen e socialistëve pas 2009-ës; dorëheqjen e Ramës sipas statutit; ardhjen e tij në krye të partisë, që do të korrespondonte me zgjedhjet e 2013-ës dhe fundin e mandatit të dytë të Berishës, pra me ardhjen në pushtet të socialistëve, d.m.th. të tijën?
5) Dhe, nëse ka menduar këtë, pse ky naivitet politik, kur Blushi, më mirë se kushdo tjetër, duhej ta dinte se Edi Rama po projektohej për të qenë kryeministër i ardhshëm të Shqipërisë që në vitet 2000, në një eksperiment që tejkalonte kufijtë e vendit? Pra, pavarësisht statutit të PS-së, Rama afërmendsh nuk do ta jepte dorëheqjen si kryetar partie, pa provuar të drejtonte si kryeministër. Artifica formale u gjet te slogani “hap kutitë ose largohu”.
Në fakt, po ta shohësh me kujdes, Blushi ka qenë shumë konsekuent me veten dhe me ato që ka thënë qysh në fillim, ndoshta edhe për shkak se nuk ka qenë ndonjëherë as në drejtim të partisë, as të vendit. Që në 2003-shin Blushi ka kërkuar respektimin e statutit të partisë, të frymës së tolerancës dhe të mendimit ndryshe. Çfarë thotë sot ai? Blushi thotë se është shkelur rëndë parimi i kolegjialitetit, është shkelur transparenca, është shkelur parimi i konkurrencës së lirë, pikërisht ai që e lejoi Ramën të kandidonte në 2003-shin. Blushi thotë gjithashtu se është shkelur, në shumë raste, statuti dhe transparenca financiare për donacionet e partisë, Blushi thotë se Rama e mbushi partinë me të inkriminuar apo me shokë, duke u njohur atyre pushtet të veçantë.
Tani, ata që e kritikojnë Blushin, thonë se ai flet si Berisha. Ata që e bëjnë këtë, janë ose shumë të zgjuar, ose shumë budallenj. Rrugë të mesme nuk ka! Të zgjuarit, më shumë se të zgjuar, janë të djallëzuar. Ata duan ta heqin vëmendjen nga argumentet e Blushit. Ata e bëjnë këtë në tubime, në media apo në debate. Budallenjtë e bëjnë këtë nga partishmëria apo niveli i ulët i gjykimit. Por, për të mos u shpërqendruar nga çështja dhe për të qenë metodikë, duhet bërë pyetja e thjeshtë: A qëndrojnë ato që thotë Blushi? Po apo jo? Nëse jo, Bushi nuk ka të drejtë. Nëse po, kryeministri nuk ka të drejtë. Nëse kryeministri e ka gabim, sa gabim e ka? Dhe, si mund të ndreqet ky gabim? Blushi thotë se shkeljet në Partinë Socialiste janë edhe të natyrës ligjore, pra është shkelur Kushtetuta dhe Ligji për partitë politike. Në korrik të vitit të kaluar, gjykata e Nanterrës në Francë, ndërhyri në punët e brendshme të partisë Fronti Nacional dhe anuloi pezullimin e Jean-Marie Le Penit nga Fronti Nacional. Nëse Partia Socialiste ka shkelur statutin e saj dhe ligjin, a janë këto shkelje të një natyre ku edhe drejtësia shqiptare mund të thotë edhe ajo fjalën e saj?
Kjo është një fushë e pashkelur e së drejtës në Shqipëri. Por ne iu drejtuam për mendim njërit prej juristëve më të njohur të vendit, duke i parashtruar materialin që Blushi publikoi para ca kohësh me shkeljet statutore dhe ligjore. Përgjigjet na erdhën me shkrim dhe juristi ndër të tjera thotë se të gjitha shkeljet qëndrojnë, por nuk ka sanksione, d.m.th. nuk ka mekanizëm zhbllokues në statutin e partisë. Sa u takon ligjit dhe Kushtetutës, këto i përcaktojnë partitë si bashkime vullnetare. Në një kohë që statuti është në përputhje me ligjin, ai nuk zbatohet. Po ashtu, sipas juristit, Blushi ka të drejtë nga pikëpamja ligjore kur thotë se ndryshimet e pritshme në statutin e PS-së, – ku zgjedhjet për kryetar nuk do të jenë të nevojshme nëse partia fiton zgjedhjet parlamentare, – nuk mund të kenë fuqi prapavepruese. Nga pikëpamja ligjore kështu duhet të ndodhë, asnjë ligj nuk duhet t’i shtrijë efektet në një periudhë përpara miratimit të tij, përfshirë, si logjikë, edhe statutin e partisë. Por, përsëri, dalim te karakteri vullnetar i partive, ku ato, si të tilla, me vullnetin e tyre të shprehur nga Kongresi, mund t’i japin statutit fuqinë prapavepruese. Në çdo rast Blushi na konfirmoi dje se ai NUK ka ndërmend ta çojë çështjen e respektimit të statutit në gjykatë!
Sigurisht, pasi jemi marrë me ato që thotë Blushi pa hile dhe pa i anashkaluar, një analize të ftohtë nuk mund t’i mungojë pyetja për motivet, aq më shumë që tani vetë Blushi ka dalë hapur: Ai do të bëhet kryetar i PS-së dhe, si i tillë, një ditë edhe Kryeministër i Shqipërisë. A beson vërtet Blushi se pas Ramës, tani apo më vonë, do të ketë garë reale brenda PS-së? Meqë Blushi e ka krahasuar së fundmi PS-në me PD-në, a po përgatitet Rama të lërë pasardhësin e tij, pikërisht nëpërmjet transfuzionit të fundit të gjakut që po i bën partisë me sjelljen e gjakut të ri me anëtarësimet e reja? A do të jetë, tek e fundit, vetë Blushi aq gjatë brenda PS-së sa për t’i ndjekur nga afër këto zhvillime? Apo, siç tha Saimir Tahiri përpara disa ditësh, ai po shkon larg, nënkupto përjashtim nga partia pikërisht në emër të statutit që Blushi ka për zemër?
Nga grupi aktual parlamentar i PS-së, deri tani Blushin e mbështesin publikisht në kërkesat e veta parimore vetëm Mimoza Hafizi dhe Arta Dade. Pse? Vetëm çështje e terrorit të brendshëm, siç thotë ai? Apo mos vallë Blushi duhet të kërkojë pak edhe te vetja? Mos vallë njerëzit kanë frikë ta mbështesin, se pastaj ai do t’i lërë në mes të rrugës si me LMN-në? Në një nga seancat e fundit parlamentare ish-kryeministri Berisha e cilësoi tradhtar kongjenital, pra, që kur nuk ka kë të tradhtojë, tradhton veten. Megjithëse duhet thënë, për hir të së vërtetës, se Berisha këtu i bëri një nder duke e sulmuar. Në psikikën e shumë socialistëve të thjeshtë, – ku Berisha është akoma Armiku me “A” të madhe, – të të sulmojë pikërisht Berisha, do të thotë që je një socialist i vërtetë. Berisha e di mirë këtë, prandaj edhe me siguri nuk ia kurseu batutat Blushit. Por mos ndoshta Blushi duhet të shohë realisht edhe brenda vetes? P.sh., shumë i zgjuar, por cinik; orator i shkëlqyer, por jo karizmatik; me vullnet për të studiuar dhe shkruar, por përtac për punë partie? Këto janë pyetje, përgjigjet e të cilave i di vetëm Blushi. Aq më shumë nëse do vërtet që një ditë të bëhet kryeministër. Blushi na pohoi dje se ky nuk është fundi, por vetëm fillimi. Do të ngjante me një déjà-vu të Ramës në 2003-ën, por kësaj here Blushi duhet t’i bëjë llogaritë me anëtarësimet e reja, me vullnetin e Ramës për të emëruar pasardhësin, me konstanten historike të dy mandateve qeverisëse, pra me fitoren e mundshme të socialistëve në zgjedhjeve e 2017-ës, çka do t’i jepte kredi kryeministrit Rama, etj. Vetëm nëse arsyeja e gjithë kësaj lufte të Blushit nuk është fare politike, por tjetër.
A e keni menduar se, duke qenë parimor, Blushi në fakt është koherent me veprën e tij dhe me Uni-n tjetër, atë të Blushit shkrimtar?