Detaje të reja janë publikuar pas plagosjes me armë zjarri të dy personave në qytetin e Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, pranë Drejtorisë së Policisë të qytetit.
Të dy personat e plagosur kanë qenë së bashku në një pikë bastesh, dhe aty ka nisur një konflikt mes tyre, i cili më pas ka agravuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Mësohet se dy personat e plagosur janë banorë të fshatit Lazarat, Valentin Buci, 44 vjeç, dhe Xhelo Gërveshi, 52 vjeç.
Ata janë dërguar në spitalin e Gjirokastrës, për të marrë trajtimin mjekësor. Buci ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa i plagosuri tjetër Xhelo Gërveshi pritet të niset drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, pasi ka fraktura në këmbë. Sakaq, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.











