• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, January 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Ekonomi

EMRAT / Kush janë aksionerët e 100 bizneseve VIP në Shqipëri

by A R
16/04/2016 12:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“Monitor” ka zbardhur aksionerët dhe pronarët e 100 kompanive më të mëdha, të renditura sipas qarkullimit vjetor të vitit 2014 (shiko tabelën në vijim). Kompanitë e mëdha me pronësi shqiptare, në vite kanë arritur të kenë një biznes të qëndrueshëm dhe janë përgjithësisht transparent me pronarët apo aksionerët (në rastin kur janë shoqëri aksionere).

Zhvillimi i shpejtë dhe i vrullshëm i pas ’90-s, i shoqëruar me informalitet të lartë dhe mungesë të ulët kontrolli për origjinën e parave duket se i ka bërë bizneset shqiptare indiferente ndaj përpjekjeve të sofistikuara për të fshehur aksionerët apo burimin e të ardhurave.

Më i lartë, presioni ka qenë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë, që janë të detyruar të bëjnë dhe deklarime të përvitshme pasurie.

Në 100 sipërmarrjet më të mëdha, më shumë se gjysma, 54, janë shoqëri aksionere (28 shqiptare dhe 24 të huaja), 40 janë shpk dhe 6 degë të shoqërive të huaja.

Shoqëritë aksionere shqiptare dhe sh.p.k-të përgjithësisht janë me aksionerë e pronarë të identifikuar me emra (shih tabelën për detajet).

Shoqëritë aksionere të huaja janë në pjesën më të madhe institucione financiare (banka) të njohura nga vendet e Europës Perëndimore, ose investitorë të tjerë seriozë.

Nga shoqëritë e tjera, përveç koncesionarëve të naftës e nënkontraktorëve të tyre, me origjinë nga parajsat fiskale janë identifikuar GFI (fillimisht nga ishujt Levis) dhe ARMO, që sipas kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati ka origjinë nga parajsat fiskale (për ironi, edhe shteti ka ende 15% të aksioneve në kompaninë e përpunimit të naftës, që tashmë është e zhytur në borxhe dhe ndodhet në situatë falimenti).

GFI, një histori tjetër parajsash fiskale

E regjistruar offshore në Nevis në ishujt Leeward është dhe Eurocontrol Tecnical Group, mëma e kompanisë GFI International, që fitoi kontratën e koncesionit të markimit të karburanteve me qeverinë shqiptare në prill 2013.

Kur kompania GFI International fitoi kontratën e koncesionit të markimit të karburanteve me qeverinë shqiptare në prill 2013, mëma e saj, Eurocontrol Tecnical Group, kishte një kapitalizim të ulët të tregut, ndërkohë që aksionet e kompanisë vlerësoheshin me rrezik të lartë. Vlera e aksioneve u rrit ndjeshëm pas fitimit të kontratës me qeverinë shqiptare, fillimisht nga 3 cent në 5 cent dhe më pas në 16 cent në mes të vitit 2015.

Një raport i financave i disa muajve më parë, kur po shqyrtohej mundësia për të prishur kontratën, hedh dritë mbi të dhënat e kompanisë mëmë të GFI në atë kohë, Eurocontrol Tecnical Group. Në kohën kur financat hartuan raportin, GFI Albania, zotërohej 70% nga Global Fluid International dhe 30% nga Petrolium Consulitng Sa. Global Fluid International zotërohet 100% nga Eurocontrol Tecnical Group Sa, e cila është kompani e listuar në bursën e Torontos. Eurocontrol Tecnical Group Sa është themeluar në Nevis në ishujt Leeward (parajsë fiskale). Adresa e kompanisë është P.O Box 556, Main Street Charlestoën, Nevis me numër C.20985, përfaqësuar nga Z.Gad Goden ose Eli Zahavi.

Një studim i vitit 2013 nga Ubika Research për kompaninë mëmë, gjeti se kompania Eurocontrol kishte humbje 1 milion dollarë në vitin 2012. Edhe në tremujorin e parë 2013, ka rezultuar me humbje 423 mijë USD. Humbjet u zvogëluan në tremujorin e dytë dhe në vazhdim për shkak të kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar. Nga 1 milion dollarë humbje në vitin 2012, ato u reduktuan në 0,2 milionë dollarë në fund të vitit 2013. Të ardhurat u rritën 3,8 milionë dollarë në 2012 në 4,9 milionë dollarë në vitin 2013.

Raporti parashikonte që kontrata shqiptare të implementohet totalisht dhe vlerësohet që të ardhurat e kompanisë do të arrijnë 8 milionë USD. Kjo kontratë vlerësohej se ishte arritja më e madhe dhe sinjifikative e kompanisë e cila do të sjellë fitime të konsiderueshme, duke rritur çmimin në treg, dhe kompania nuk do të ketë nevojë të emetojë aksione të reja.

Biznesi i GFI është biznesi që ofron marzhin e fitimin më të lartë, dhe gjeneron flukse parash të larta (për gjithë kompaninë Eurocontrol). Ndërkohë, që aktualisht kontrata bazë e GFI është kontrata që ka me Shqipërinë.

Sipas NASDAQ, çmimi i aksionit në qershor të vitit 2013, kur u nënshkrua kontrata me Shqipërinë, u rrit 67% duke kaluar nga 3 cent në 5 cent.

Me gjithë përpjekjet e kompanisë për të marrë kontrata me qeveri të tjera, kryesisht me shtetet afrikane, ndërkohë që ka pasur negociata edhe me Spanjën, kompania nuk raporton asnjë kontratë të re. Gjendja aktuale financiare e kompanisë nuk paraqitet shumë e mirë, kështu që kontrata me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për kompaninë, sipas materialit të financave.

Parajsat fiskale, ja çfarë janë

Parajsat fiskale janë vende që ofrojnë përfitime të konsiderueshme të taksave për bizneset, të cilat u janë dhënë me ligj. Në këtë kuptim të përgjithshëm, kjo është relative, për shkak se një vend me një taksë 10% për ​​të ardhurat e korporatave mund të duket si një parajsë tatimore për një biznes, i cili ka qenë duke përdorur një taksë 40% në vendin e tij.

Në kuptimin tradicional, një strehë prej taksave është një vend ku kompanitë mund të regjistrohen dhe të mbeten krejtësisht pa taksa në atë vend (me përjashtim të tarifave fikse të qeverisë), për aq kohë sa ajo nuk ka nisur aktivitetin në atë vend.

Një vend që zhvillon parajsën fiskale, në fakt ka një sistem të tërë ligjesh, rregulloresh dhe praktikash, duke lehtësuar tërheqjen e biznesit të huaj dhe ndërkombëtar. Një vend i tillë nuk ofron vetëm tatime zero, por ka një sistem të zhvilluar financiar me kufizime minimale, procedura të thjeshtuara dhe të shpejta të regjistrimit të kompanisë, dispozita strikte fshehtësie në sektorin e saj bankar dhe asnjë marrëveshje për ndarje informacioni me qeveritë e tjera.

British Virgin Islands është një nga udhëheqësit e parajsave fiskale që ka numrin më të madh të kompanive të huaja të regjistruara dhe që konsiderohet gjerësisht si një model për juridiksione të tjera të parajsave fiskale. Ajo ka modernizuar kohët e fundit aktin për kompanitë e biznesit dhe vazhdon të jetë në krye të industrisë globale të parajsave fiskale.

Por zgjedhjet aktuale të kompanive mund të varen nga variabla të tilla si vendndodhja gjeografike, çmimi, lloji i biznesit, shpejtësia e shërbimit, gjuha dhe, natyrisht, shërbimet e ofruara.

Si e zhvillojnë ekonominë vendet e vogla duke strehuar offshore-t

Shumica e juridiksioneve të parajsave fiskale janë vende të vogla me popullsi të vogla. Kështu edhe sasi relativisht të vogla të hollash mund të sjellin zhvillim. Pjesa e dukshme e ajsbergut është e përfaqësuar nga detyrimet e regjistrimit dhe tarifat vjetore të rinovimit që kompanitë u paguajnë qeverive të parajsave fiskale. Sikur edhe 100 dollarë të shumëzuara me qindra e mijëra të kompanive jorezidente, të cilat paguajnë atë çdo vit, japin miliona të ardhura shtesë në buxhetet e shteteve të këtyre vendeve. Por pjesa e padukshme është shumë më e madhe. Ky është vëllimi i shpërblimeve profesionale të paguara nga kompanitë offshore për agjentët lokalë, menaxherët e kompanive dhe administratorët. Këto të ardhura ndihmojnë kompanitë e sigurimeve dhe fondet e investimeve. Kështu vendet e parajsave fiskale krijojnë një sektor të suksesshëm financiar që mund të sigurojë vende pune, arsimim, karrierë dhe të ardhura për shumë njerëz. Shërbimet ndaj parajsave fiskale krijojnë një kërkesë për telekomunikacion të cilësisë së lartë, hapësira ​​për zyra, pajisje kompjuterike dhe software, mobilie dhe furnizime të biznesit. Në fund të fundit, të ardhurat që krijojnë parajsat fiskale zhvillojnë konsumin në të gjithë ekonominë. Rezultati është rritja e dukshme në prosperitet të përgjithshëm, i cili, nga ana tjetër, forcon vetëvendosjen e vendit për t’i bërë ballë presioneve nga qeveritë e huaja dhe organizatat ndërkombëtare.

99% e të gjithë biznesit, i kryer përmes kompanive në det të hapur, është plotësisht legjitime. Në fakt, për shkak të nevojës së natyrshme për të ruajtur reputacionin e tyre të pastër, shumica e vendeve kryesore të parajsave tatimore në ditët e sotme kanë sisteme shumë më të mira për të zbuluar dhe për të parandaluar krimin financiar dhe pastrimin e parave.

Ka miliona e korporata offshore të inkorporuara dhe që veprojnë në të gjithë botën. Pothuajse të gjitha brandet e mëdha kanë krijuar disa struktura në parajsa fiskale.

Disa vlerësime thonë se më shumë se gjysma e të gjithë volumit të parave, në mbarë botën, “flenë” në parajsat fiskale në çdo moment. E gjithë tregtia ndërkombëtare e mallrave dhe shërbimeve aplikohet kryesisht nëpërmjet kompanive që paguajnë taksa të ulëta.

Shumë nga fondet e investimeve janë të regjistruara në parajsat fiskale, në mënyrë që të mbrohen nga tatimet e tepruara që mund të kthehen në rrezik për investitorët e tyre. Një numër kompanish mbajnë llogaritë në parajsat fiskale për të ndihmuar bizneset të investojnë jashtë vendit për shmangur tatimet e larta. Pjesa më e madhe e biznesit global banon në parajsat fiskale.

Cili është qëllimi i krijimit të një kompanie në det të hapur?

Ka dy qëllime kryesore. Njëri është minimizimi i taksave. Tjetri është mbrojtja e aseteve dhe konfidencialiteti.

Avantazhet kryesore janë:

(a) mungesa totale ose nivelet minimale të tatimit;

(b) konfidencialiteti

(v) mbrojtja, për shkak dispozitave të fshehtësisë e parashikuara në ligj dhe në mungesë të marrëveshjeve ndërkombëtare për ndarjen të informacionit;

(D) fleksibiliteti i korporatave: Nuk ka kërkesë të shtetit për objekte operative, kushte minimale për drejtorët dhe aksionerët

(E) lehtësia e menaxhimit: takimet e aksionerëve mund të mbahen kudo, duke përfshirë edhe përmes mjeteve elektronike

Në shumë juridiksione të parajsave fiskale kompanitë nuk janë të detyruara të mbajnë librat e llogarive. Megjithatë, kohët e fundit, disa nga qendrat më të avancuara kanë kuptuar gradualisht se një kërkesë formale për të ruajtur disa të dhëna financiare do të jetë në interesin më të mirë të pronarëve përfitues të kompanive, duke iu ofruar atyre me disa garanci ekstra. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme kur një kompani offshore ka disa pronarë.

UNCTAD: Investitorët offshore, rrezik për vendet në zhvilli

UNCTAD (Programi i vlerësimit të investimeve të huaja nga Kombet e Bashkuara) vlerëson kontributin e kompanive të huaja në buxhetet qeveritare në vendet në zhvillim në rreth 730 miliardë USD në vit. Kjo paraqet, mesatarisht, rreth 23% të kontributeve totale të korporatave dhe 10% të totalit të të ardhurave të qeverive. Madhësia relative (dhe përbërja) e këtij kontributi ndryshon nga vendi në vend dhe rajoni në rajon.

Por UNCTAD shpjegon se gjithnjë e më shumë investimet që u shmangen taksave vijnë nga parajsat fiskale.

Offshoret gjithnjë e më shumë po bëhen lojtarë të mëdhenj në investimet globale. Rreth 30% e rezervave të korporatave ruhen në parajsat fiskale, në vend që të investohen në sektorë produktivë.

Praktikat e shmangies së taksave janë tashmë një çështje globale e rëndësishme për të gjitha vendet. Ekspozimi i vendeve në zhvillim ndaj investitorëve nga parajsat fiskale shihet nga UNCTAD i Kombeve të Bashkuara si një risk për këto vende.

Vendet në zhvillim nuk kanë kapacitete për t’u marrë me praktika shumë të ndërlikuara të shmangies së taksave. Vendet në zhvillim, sipas UNCTAD, kanë humbje vjetore 100 miliardë dollarë në formën e të ardhurave tatimore të munguara nga offshoret.

Sa më shumë investime nga parajsat fiskale, aq më pak qeveritë tatojnë fitimet, referon UNCTAD.

Mesatarisht, në të gjithë vendet në zhvillim, çdo 10 pikë përqindje të investimit në ofshore i përgjigjet një normë 1 pikë përqindje më e ulët e kthimit të tatimit.

Aktualisht, shpërndarësi i investimeve në parajsa luan një rol sistematik në flukset ndërkombëtare të investimeve. Ato janë pjesë e infrastrukturës globale të financimit të FDI-ve.

Monitor 725Monitor 725Monitor 725

Next Post

Amerika ka neveri për Berishën

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

12 filmat më të mirë për t’u parë këtë janar

12 filmat më të mirë për t’u parë këtë janar

January 1, 2026
Kur Rama e bëri ministër Drejtësie liroi kravatën/ Lamallari shpjegon reagimin

Kur Rama e bëri ministër Drejtësie liroi kravatën/ Lamallari shpjegon reagimin

January 1, 2026
Përse duhet ta marrim seriozisht ngritjen e një Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e ri

Një kacafytje për karrige në kurriz të Kosovës

January 1, 2026
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: Do japim akses në kapitalin financiar, Shqipëria dhe Mali i Zi do bëhen pjesë

Tragjedia në Zvicër/ Von der Leyen: BE do të ofrojë ndihmë mjekësore

January 1, 2026
VIDEO- Pukë, një banesë shkrumbohet nga zjarri, familja me 5 anëtarë mbetet e pastrehë! Shkak..

VIDEO- Pukë, një banesë shkrumbohet nga zjarri, familja me 5 anëtarë mbetet e pastrehë! Shkak..

January 1, 2026
Aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve, reagon Bashkia Tepelenë: Ngushëllime familjarëve

Aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve, reagon Bashkia Tepelenë: Ngushëllime familjarëve

January 1, 2026
Holandë, dhunë ndaj policisë gjatë natës së Vitit të Ri/ Dy persona humbin jetën e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur

Holandë, dhunë ndaj policisë gjatë natës së Vitit të Ri/ Dy persona humbin jetën e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur

January 1, 2026
Zjarri në Zvicër/ “Jemi në gjendje shoku!” Dy vajza të reja i shpëtuan tragjedisë, u larguan sapo panë flakët

Zjarri në Zvicër/ “Jemi në gjendje shoku!” Dy vajza të reja i shpëtuan tragjedisë, u larguan sapo panë flakët

January 1, 2026
Shtohen automjetet në qarkullim: Cili është qyteti shqiptar që ka më shumë makina

Nga sot fillon bonus-malus, sigurim më i shtrenjtë i mjetit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme

January 1, 2026
Liturgji hyjnore festive për Rrethprerjen e Zotit dhe Shën Vasilin e Madh, 70 vjet jetë dhe dëshmi e Kryepeshkopit Joan

Liturgji hyjnore festive për Rrethprerjen e Zotit dhe Shën Vasilin e Madh, 70 vjet jetë dhe dëshmi e Kryepeshkopit Joan

January 1, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com