Përpos vilave, apartamenteve, trojeve dhe të ardhurave nga bizneset, blerja e makinave të reja dominon deklaratat e pasurisë së deputetëve shqiptarë, për vitin 2016.
Si burim për justifikimin e vlerës së makinave, ligjvënësit deklarojnë kredi bankare, por edhe kursimet ndër vite.
Referuar deklaratës së pasurisë, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, deputeti i LSI, Agron Çela, vetëm për vitin 2016, rezulton se ka blerë tre makina. Njëra prej tyre, në emër të bashkëshortes, Belma Çela, ka kushtuar 147 mijë euro.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi, gjatë vitit 2016, ka blerë një makinë me vlerë 105 mijë euro, teksa ka shitur dy automjete me vlerë 47 mijë euro. Gjithashtu, vajza e deputetit, Aedela Abazi, po gjatë viti 2016, ka blerë një makinë me vlerë 6 mijë euro.
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka blerë një automjet me vlerë 85 mijë euro. Si burim, Ndoka deklaron 14 mijë euro kredi, 35 mijë euro hua dhe 33 mijë euro të ardhur nga paga. Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, ka blerë gjithashtu një makinë me vlerë 40 mijë euro. Në të njëjtën kohë, edhe vajza e tij, Jona Marashi, ka marrë një kredi 3 mijë USD për të blerë një autoveturë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, rezulton se gjatë viti që kaloi ka blerë një makinë me vlerë 25 mijë euro. Po ashtu, Gëzim Peza, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, gjatë vitit që kaloi ka blerë një makinë Ford Fokus, me vlerë 6 500 euro.
Deputetja e PD, Dhurata Çupi, gjatë vitit 2016, ka marrë një kredi konsumatore 7 mijë euro për të blerë një automjet. Ndërsa kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, rezulton se ka blerë tre makina para viti 2016, me vlerë 7 mijë euro, 4 mijë euro dhe 34 mijë euro.
Ndërsa djali i tij, Arbër Braho, ka në pronësi pesë makina me vlerë: 15 mijë euro, 5 mijë euro, 6 mijë euro, 800 euro dhe 240 000 lekë. Edhe deputetët Majlinda Bregu dhe Flamur Noka kanë marrë nga 30 mijë euro secili kredi për të blerë automjet.
Deputetët që kanë blerë makina dhe vlera përkatëse
Agron Çela
Blerje automjeti tip…, 147 mijë euro.
Mbyllja e kontratës leasing për autoveturë, kontratë zëvendësimi me një qiramarrës tjetër.
Blerje automjeti… 100 000 lekë.
Blerje automjeti tip… 260 000 lekë.
Sadri Abazi
Blerje automjeti me vlerë 105 mijë euro. Shitje automjeti me vlerë 25 mijë euro. Shitje automjeti 22 mijë euro.
Vajza Aedela Abazi, blerje automjeti me vlerë 6 mijë euro.
Nard Ndoka
Blerë makinë 85 mijë euro në vitin 2016. Burimi 14 mijë euro kredi, 35 mijë euro marrë hua, 33 mijë euro të ardhur nga paga.
Spartak Braho
Makinë fuoristradë, blerë në 2001, 7 mijë euro.
Makinë blerë në 2009, 4 mijë euro.
Makinë blerë në 2015, 34 mijë euro.
Djali, Arbër Braho, makinë 15 mijë euro, makinë 5 mijë euro, makinë 6 mijë euro, makinë 800 euro, makinë 240 000 lekë.
Robert Bitri
Blerje autoveture me vlerë 44 mijë euro.
Edi Paloka
Autoveturë blerë tek… me vlerë 25 mijë euro.
Albina Deda
Pjerin Deda, bashkëshorti i deputetes Albina Deda, blerje makine në shumën 1 000 000 lekë, shuma është marrë si kredi
Anatas Angjeli
Kredi për blerje makine, shlyer 8 mijë euro, mbetur 33 mijë euro.
Vajza Jona Marashi, autoveturë 3 mijë USD.
Dashamir Peza
Djali i deputetit Peza, Gëzim Peza, makinë tip Ford Fokus, 6 500 euro.
Anduel Xhindi
Kredi për blerje makine me vlerë 2 162 000 lekë.
Anila Agalliu
Asqeri Agalliu, djali i deputetes Anila Agalliu, blerje makine me vlerë 100 000 lekë, burime kursime nga prindërit.
Arbjola Halimi
Blerje makine me vlerë 700 000 mijë lekë.
Kredi për blerje makine me vlerë 1 370 000 lekë.
Bujar Klogjri
Bashkëshortja e tij, Jonida Klogjeri, makinë me vlerë 2 300 euro.
Dhurata Çupi
Blerje makine me vlerë 7 mijë euro, burimi kredi konsumatore.
Taulant Balla
Bashkëshortja Iris Pekmezi ka blerë në vitin 2016 makinë me vlerë 869 919 lekë.
Shkëlqim Troplini
Blerë makinë me vlerë 10 mijë euro
Blerë makinë me vlerë 970 000 lekë.
Ridvan Bode
Paguar mesing makine, 521 447 lekë, detyrimi i mbetur 8 512 euro.
Oerd Bylykbashi
Makinë me vlerë 3 mijë euro. Autoveturë tip Citroen blerë në 2015.
Namik Kopliku
Blerë autoveturë me vlerë 11 mijë euro, gjatë vitit 2016.
Mira Shehu
Blerje automjeti, 6 400 euro. Automjet i vitit 2003, dhuratë nga bashkëshorti.
Mimoza Hajdarmataj
Bashkëshorti Arben Hajdarmataj, makinë tip benz, me vlerë 300 000 lekë, blerë gjatë vitit 2016.
Majlinda Bregu
Kredi për blerje makine, shlyer 10 336 euro, detyrimi i mbetur 21 167 euro.
Luçiano Boçi
Blerje autoveturë me vlerë 4 mijë euro, gjatë viti 2016.
Luan Duzha
Blerë autoveturë të përdorur, gjatë vitit 2016, me vlerë 7 mijë euro.
Ilir Xhakolli
Bashkëshortja Irma Xhakolli, autoveturë në Francë, 5 mijë euro plus 186 899 lekë. Djali Rei Xhakolli, makinë 950 000 lekë.
Hlidon Bushati
Kredit 11 mijë euro për blerje automjeti. Shlyer huamarrja 6 mijë USD për blerjen e një tjetër makine.
Gent Strazimiri
Makinë vit prodhimi 2009, me vlerë 3 000 franga zvicerane, blerë në 2016, burimi të ardhurat personale.
Flamur Noka
Kredi 30 mijë euro në 2015 për blerje makine. /Shqiptarja.com/