Ndërkohe qe emigrantë nga vendet e Lindjes kapërcyen kufirin nga Maqedonia për në Serbi, mediet serbe kanë ngritur shqetësimin e sëmundjeve ngjitëse që mund të përhapen. “Kurir” shkruan se disa emigrantë që vuajnë nga tuberkulozi dhe që ishin vendosur në spitalin “Ozren”, jo shumë larg nga Sokobanja, janë arratisur.
Sipas burimeve për agjencinë serbe, janë katër emigrantë, që janë arratisur dhe që kanë një gjendje të rëndë shëndetësore, dhe për rrjedhojë kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor në institucione të specializuara për trajtimin e tuberkulozit. Gjithashtu, ata janë bartës potencialë të sëmundjes tek njerëzit e tjerë.
“Askush nuk ka të drejtën t’i ndalojë ata, por ekziston rreziku i përhapjes së sëmundjeve tek njerëzit e tjerë”, thotë një burim mjekësor për “Kurir”.
Mjekja Tatjana Radosavljeviq, kujton se kjo sëmundje ngjitëse transmetohet, në qoftë se dikush kollitet, teshtin, flet, pështyn, dhe madje edhe kur ai këndon. Kur mjekja u pyet se sa e rrezikshme është ndërprerja e trajtimit nga emigrantët, ajo u përgjigj:
“Ata vijnë nga një vend, ku ne nuk e dimë nëse janë vaksinuar ndonjëherë, dhe çdo ndërprerje të trajtimit mund të çojë në përkeqësimin e gjendjes”, thotë mjekja ndërsa shton se në mesin e emigrantëve që jetojnë në Serbi është konstatuar edhe malaria.









