Nga Ben Andoni
Në këtë Dossier tregohet organizimi i pas Luftës së Dytë Botërore të emigrantëve politikë shqiptarë. Copëza është referuar nga kujtimet e adjutantit të Mbretit, Hysen Selmani, ku rrëfehet e gjithë kjo përpjekje por edhe fillimet e problemeve të tyre, në një skakierë politike shumë të ngarkuar…Kuptohet se e gjitha është e treguar me syrin e interesave të Familjes Mbretërore shqiptare në mërgim dhe zakonisht në vetëm e parë nga adjutanti…
Të parët kanë qenë njerëzit e Mërgatës, që e kanë pasur në kurriz, frikën ndaj komunizmit. Shumë prej tyre, me shumë probleme të mbartura me vehte, një gjë e dinë shumë mirë: se komunistët nuk do t’i falnin lehtë. Eshtë kjo arsyeja, që shumica e tyre, që i kanë kundërshtuar gjatë komunistët kanë frikë në fundvitet ‘40. Më tepër se çdo gjë, frikën e shton fakti se komunistët i kanë ndjekur deri aty, madje kanë filluar që edhe t’u përzihen në punë. Kjo i bën emigrantët politikë shqiptarë, që të kërkojnë që të zhvendosen menjëherë nga Italia. Alternativa, që u jep adjutanti i mbretit Selmani, drejt Egjiptit dhe Sirisë duket se është më e mira. Ja pse emrat, që afrohen për të drejtuar komitetet e refugjatëve, janë të gjithë spektrit kundërshtar komunist. Por, bashkimi i tyre, ndodh vetëm përpara një rreziku të madh të ekzistencës, sepse kur ishte puna, që të luftonin kundër komunistëve shumë syresh nuk kanë mundur. Gjithsesi, mbreti e di shumë më mirë se të gjithë situatën. Ai i ka mirë të skeduar njerëzit, që nuk iu përgjigjën në 7 prill, por edhe në situata të tjera kritike. Por, i duhet t’i kalojë të gjitha. Më shumë se përçarja, atyre u duhet bashkim. Kjo është arsyeja, që mërgata drejtohet nga Mit’hat Frashëri, një njeri tepër i besuar. Por, në këtë ngutje, një gjë nuk mund të fshihet: Komunistët po forcohen nga ditë në ditë. Dhe ca më keq, ata gjejnë gjithmonë e më shumë mbështetje nga ana e faktorit ndërkombëtar. Përveç Anglisë dhe Amerikës, që tashti vendosen në një front të ri, vendet e tjera duket se duan ta mbajnë mirë me komunistët e Tiranës.
Dhe, njerëzit e Mërgatës, që i kanë njohur “live” komunistët, duket se janë të parët që lajmërojnë me ankthin e tyre, se beteja me komunistët nuk do të ishte e lehtë. Si për ironi të fatit, ajo do të vazhdonte, derisa sa shumë prej njerëzve të Mërgatës nuk do të ishin më gjallë.
———————–*-
Organizmi i mërgatës shqiptare në Rexhio Emilia
Mbreti Zog: Bashkimi i Mërgatës dhe afrimi i Eqerem bej Vlorës, Koliqit etj
Pas vizitës në kampin e Barletës, adjutanti i mbretit udhëton drejt kampit të Rexhio Emilias. Janë qindra shqiptarë, që presin të ardhmen të frikësuar prej komunistëve.
Adjutanti u rrëfen si ka mundur që t’i bashkojë dhe në të ardhmen t’i thërrasin të gjithë në Siri, Egjipt dhe Jordani. E gjithë mërgata qetësohet dhe pranë mbretit afrohen edhe Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Eqerem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Edhe qeveria italiane tregon interes, ndërsa zv/ministri i jashtëm italian takon adjutantin duke e siguruar për refugjatët. Duket sikur gjërat shkojnë shumë mirë, por papritmas kolonel Hysein Selmani thërritet në Egjipt. Këshilli për rregullimin e emigracionit ka emrat e Mehdi Frashërit, Hiqmet Delvinës, Dhimitër Beratit, Kapidan Gjon Markagjonit, Ismail Verlacit, Ernest Koliqit, Eqerem bej Vlorës, Tahir Kolgjinit, Dr.Kemal Jusufatit, Ferid Dervishit, Sotir Avramit, Ali Këlcyrës, Koço Mukës, Ragip Frashërit
Regjio Emilio 7 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani, pasi përfundoi takimet me të gjitha në Kampin Barleta, i shoqëruar deri në stacion prej Mit’hat Frashërit e gjithë përgjegjësit e grupeve të ndryshme, u nis. “Ishin afër 300 persona, që më shoqëronin në mbrëmjen e datës 6 Shtator 1947, kujton adjutanti-kur u nisëm për të vizituar Kampet e Regjio Emilios. Ata ishin te lajmëruar e në mëngjesin e datës 7 Shtator 1947, arritëm në kamp. Në Regjio Emilio, priteshim prej të gjithë përgjegjësve të grupeve, Salih Myftia, me përgjegjësit e Legalitetit dhe Faik Cukut me përgjegjësit e Ballit Kombëtar e tjerë. Ishim pothuaj se më tepër se 100 persona. Brenda tyre ishin edhe disa boshnjakë, si Hasan Ago Senica e të tjerë”.
Pasi u përshëndetëm, kujton kolonel Selmani,- u drejtuam të flisnim me përgjegjësit e grupeve. Ai vizitoi të gjithë kampet, ku u ndje një kënaqësi e madhe. Pasi u vizituan kampet, ai shkoi më parë në qendrën e O.K.L.Legalitetit tek Salih Myftari, në prezencën e Hysen Prishtinës, Neshat Kolonjës, Moz-har Pustinës, Selam Damanit, Omer Beshirit dhe ju komunikoi mesazhin e Mbretit. Atje u prit me një brohori e kënaqësi të madhe, mandej ju vura në dijeni përmbi sa u bisedua në Romë, vijon adjutanti. Si u vendos unanimisht u pranua.
Pas kësaj,thotë ai- unë shkova në qendrën e Ballit Kombëtar tek N.kolonel Faik Cuku dhe aty në prezencën e tre përgjegjësve të Ballit, edhe këtu, po me të njëjtën frymë u prit mesazhi. Dhe, bisedimet ishin tepër të sinqerta dhe Faik Cuku, ishte në dijeni mbi bisedimet me Mit’hatin. Këtyre ju sqarova në hollësi për bisedimet e Romës dhe ata mbetën dakord.
Pasi mbarova me përgjegjësit e partive, thirra Dervish Bicakun, Sadik Shaskën, Qemal Begun. Ai bisedoi gjatë e gjërë me ta, “e këtyre veçanërisht ju dhashë të falat e Mbretit”. Ai i kishte miq të ngushtë, por ishin të kaluar pak nga mosha. Ata mbeteshin gjithmonë për një bashkim në mes të emigracionit shqiptar.
Pasi u mbaruan të gjitha si vizitat po ashtu dhe bisedimet u shtrua një drekë prej të tre grupeve. Ajo kaloi në një harmoni të përzemërt e krejt vëllazërore. Pothuaj, se u harruan çdo lloj grindje e mëparshme. Adjutanti kujton se ndjeu një kënaqësi të veçantë rreth bukës dhe asnjë fjalim nuk u zhvillua. “Vetëm se kishte qeshje e dashuri në mes njëri tjetrit, e mbi të gjitha ishte dashuria për Mbretin Zog.
Pas dreke, kolonel Selmani, shkoi në Hotel, ku aty priti koloninë shqiptare të Milanos dhe kaloi në Milano dhe priti disa njerëz prej Parësisë Boshnjake. Aty kishte me vete një Major Italian Profesor Omer Beshirin, dhe Moz-har Pustinën. Si mbaroi të gjitha vizitat të kolonisë shqiptare në Milano, “natyrisht aty ishin Zonja dhe Zotni edhe boshnjakët e të tjerë”.
Kolonel Husein Selmani, në Milano, ngarkoi Omer Beshirin dhe Xhemal Ferrën e Qemal Shtinën. Ai rregulloi një kokteil për të gjithë kolonelët, aty në sallonet e Hotelit. Kjo u bë sepse ai nuk kishte kohë për me ju kthye vizitat. Kokteili kaloi mjaft mirë. U shkëmbyen mjaft fjalime, po kolonel Selmani ngarkoi Profesor Beshirin t’ju përgjigjet. “Kjo ishte një kënaqësi e paharrueshme në mes të kolonis shqiptare në Milano”, vijon adjutanti.
Kolonel Husein Selmani, pasi mbaroi çdo send në Milano, u kthye në Regjio Emilio. Aty shkoi e u bëri nga një vizitë dy oficerave britanikë e amerikanë, që ishin përgjegjes të kampeve. Ata e pritën shumë mirë dhe e siguruan se çdo gjë që t’ju vijë përdore nuk ka për të munguar për plotësimin e mungesave, që mund të ndihen. Pas kësaj, kolonel Selmani i falenderoi dhe doli.
I dërguari i Mbretit Zog I, që ishte kolonel Husein Selmani në Regjio Emilio, para se të nisej për Romë, i rrethuar më tepër se 1000 vetë burra, gra, fëmijë, kur po ndaheshin prej tyre nuk ju durua dhe “nga mallëngjimi i tepër, ju drejtova këto fjalë po në emrin e Mbretit:
Motra e vëllezër të dashur. Madhnia e Tij, Mbreti Zog pas këtyre tragjedive, që po kalon populli ynë i dashur, jo vetëm shpirtërisht por edhe me çdo mjet që ka sot në dorë ka ndërhyrë dhe ka bërë ç’është e mundur për t’jua plotësuar nevojat. Dhe me ju ardhë në ndihmë në të gjitha pikpamjet, për sistemimin e emigratës, sikurse tregon edhe mesazhi i Mbretit. Veçanërisht, Mbreti është i preokupuar për të ardhmen e djelmërisë të emigrantëve shqiptare dhe për sistemimin më të mirë për ta. Ai do të përpiqet duke siguruar çdo përkrahje, në mënyrë që të përparojnë dhe të kulturohen. Ai ka shpresë të plotë se: këto vuajtje që po kalojmë sot do të marrin fund dhe do t’ja arrijmë qëllimit të përbashkët si vëllezër, që jemi të një gjaku dhe të një toke.
Për këtë shpresojmë se atje ku do të emigrojë rinia shqiptare do të ketë të gjitha përkrahjet morale dhe materiale, për të ecur përpara në rrugën e kulturimit. Në mënyrë, që kur të vijë dita t’i shërbej më së miri interesave të larta të Shqipërisë”.
Mbas këtij bisedimi menjëherë kolonel Selmani hyri në tren dhe u nis për në Romë. Ai i salutoi të gjithë, dhe “emigrantët nuk u shpërndanë deri sa treni nuk dukej më”, shkruan ai.
Romë 11 shtator 1947
Për këtë ditë adjutanti kujton se: Kur po sa arrita në Romë aty më vjen një telegram prej Salih Myftisë dhe Faik Cukut. Me të cilën më thonë se, sonte kanë arrestuar Hasan Age Senicën dhe Kurtish Romën dhe Adem Dushin. Këta ishin përgjegjësit e emigratës boshnjake dhe nuk dihet se ku i kanë dërguar. Mundësisht përpiqu për shpëtimin e tyre, i thoshin adjutantit në letër.
“Kjo na tronditi shumë rëndë dhe kolonel Selmani menjëherë mori Ferid Dervishin dhe Stefon Stilvën e shkoi në Ambasadën Amerikane në Romë”, shkruan Hysein Selmani. Aty menjëherë u thirr shërbimi policor i kampeve dhe i pyetën. Pas shumë telefonatash brenda një ore i gjetën duke kaluar në Trieste dhe i ndaluan. Ata na siguruan se brenda kësaj nate njerëzit do të dorëzohen në kampin Regjio-Emilio. “E mos bëhi merak se i shpëtuat”, i thanë burimet amerikane adjutantit.
Falenderova Ambasadorin dhe shkova në Hotel. Aty mora Salihe Myftinë dhe Faik Cukun në telefon e ju thashë se i gjetëm, shkruhet në kujtime- dhe brenda natës do të vijnë në kamp e këta shpëtuan.
Romë 16 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani mblodhi më 16 Shtator 1947, në orën 10 para dite, në sallonet e Hotelit D’Gasper, “parësin me përfunduar përmbi sa ishte biseduar më 24 Gusht 1947. Para se u vizituan kampet dhe në mbledhje ishin”:
1-Mehdi Frashëri 8-Kapidan Gjonmarkaj 15-Ali Këlcyra
2-Hiqmet Delvina 9-Ismail Verlaci 16-Koço Muka
3-Dhimitër Berati 10-Ernest Koliqi 17-Ismail Sefa
4-Qemal Jusufati 11-Tahir Kolgjini 18-Hiqmet Meço
5-Ferid Dervishi 12-Ekrem Vlona 19-Ekrem Telhai
6-Ragip Frashëri 13-Nexhmedin Qoraliu 20-Nexhet Peshkopia
7-Sotir Avrami 14-Ago Agaj 21-Moz-har Pustina
Kolonel Husein Selmani, si i përshëndeti, ju shpjegoi në hollësi mbi vizitat që pati në Kampet Barleta, dhe në atë Regjio-Emilio. U tregoi gjithë sa u biseduan si dhe kënaqësia përgjithësisht, që u ndigjue prej të gjithëve. E veçanërisht ishte ajo e Mit’hat Frashërit.
Pas kësaj, kolonel Selmani shkurtimisht ju vuri në dukje rreth gjendjes së kaluar me pak fjalë:
“Përpjekjet rreth Luftës Dytë Botërore një ditë do të shihen të gjitha, Ç’është bërë prej Institutit të Larta Shtetëror dhe të atyre patriotëve shqiptarë që kanë pasur mundësinë t’i shërbejnë kombit, për ta shpëtuar nga këto mënzyra”.
“Edhe sot,-tha ai- lipset cilidoqoftë ta kuptojë çlirimin e Atdheut. Nuk pretendohet as që varet krejtësisht nga mundimet dhe shërbimet, që mund t’i bëhen nga ana e shqiptarëve. Por, edhe nga ana tjetër, që përpjekjet për të gjetur miq të sinqertë në përkrahjen e rasteve, duhet të gjithë të bëjmë çmos dhe të sakrifikojmë çdo gjë. Kjo duke qenë të bashkuar me një program dhe me direktiva të caktuara. Vetëm një sjellje e tillë, shkruan adjutanti- mund t’i lavdëroj shqiptarët para historisë dhe t’i shfajësoi nga ana e kombit. Për t’i arritur këtij qëllimi, shqiptarët të bashkuar, duhet të jenë në bashkëpunim dhe në marrëveshje të ngushtë e vëllazërore. Dhe veçanërisht edhe me Shtetet Fqinje, Grekët dhe Jugosllavët në arrati.
Duke qartësuar një problem përsa u përket një marrëveshje me Fqinjët tanë këtu duhet t’i hedhim një vështrim ç’është bërë nga ana jonë për të arritur një marrëveshje dhe bashkëpunim për një front të përbashkët me grekët. “Siç mund ta dini, shkruhet në kujtime- se kur u sulmua Greqia më 28 Dhjetor 1940, Zog I Mbreti Shqiptarëve i është drejtuar Mbretit dhe Qeverisë Greke, se ai ishte gati të shkonte në Greqi për të formuar legjonet shqiptare për të luftuar krah për krah me grekët, ky ofrim nga ana e Mbretit të Shqiptarëve mbeti pa përgjigje nga ana e Greqisë, në 1943-44, prapë Mbreti i Shqiptarëve ka kërkuar të shkojë në Shqipëri me anën e Aleatëve dhe aty të luftojë okupatorin, është penguar nga ana e fqinjëve.
Gjatë luftës Italo-Greke shqiptarët kanë sabotuar ushtrinë italiane, ushtarët shqiptarë të marrë me forcë janë arratisur me shumicë në Greqi. Të tjerë të çarmatosur u vunë në fushë përqëndrimi nga ana e italianëve. Këtë sabotim kaq të fortë Qeveria fashiste Italiane e ka quajtur një nga faktet kryesore të humbjes së luftës së saj me Greqinë, se pengesa u dukën gjithkundi.
Mund të thuhet me keqardhje se çdo vepër dhe dëshirë e shfaqur nga ana e shqiptarëve për të vënë bazat e një miqësie të sinqertë, deri sot nuk ka gjetur ndonjë pritje të meritueshme nga ana e grekëve. Megjithëkëtë, ne kemi qenë gjithmonë e kurdoherë të gatshëm, me pas një bashkëpunim në interesa të Shqipërisë dhe Greqisë, të bazuara në një miqësi të sinqertë. Dhe, është e nevojshme për të dy palët, që lidhen me interesat politike dhe ekonomike të përbashkët dhe që kanë një afrim më shumë se çdo komb tjetër në gadishullin Ballkanik.
Ne prapë jemi gati t’ju zgjasim dorën për një lidhje miqësie, të sinqertë e të fortë, por me një konditë se çdo pretendim i kotë i tyre të zhduket. Të kthehen sipas viteve 1922-39, që në mes të dy kombeve ishin harruar çdo e kaluar dhe filloi një miqësi e dashuri aq e përzemërt në mes të dy popujve miq. E shqiptarët për të filluar hedhjen e themelit të një miqësie një pikë vemë në dukje: që grekët në qoftë se kanë dhe ushqejnë dëshirën për një miqësi, duhet të shfaqin se ato respektojnë indipendencën, integritetin tokësor dhe lirinë e Kombit Shqiptar.
Në çdo marrëveshje, që mund të hyjnë e që mundet të bëjnë shqiptarët në emigrim, për të pasur efektin e një traktati dhe të një akti ndërkombëtar duhet të kenë parasysh që të jenë në legalitet të kompetencave dhe të fuqive të veshura për një marrëveshje. Marrëveshjet kanë fuqinë e tyre kur janë bilaterale dhe s’kanë asnjë vlerë kur këto bëhen nga përfaqësuesit e një anës që nuk ka prerogativat për konkludimin e një marrëveshje.
Shqiptarët kësaj pike duhet t’i venë re shumë se kjo konditë esenciale për efektin e një marrëveshje duhet ta kenë kurdoherë parasysh dhe duhet të dihet se një marrëveshje pa qenë me konditat legale jo vetëm që nuk ka asnjë vlerë, por mund të ketë rreziqe të pariparueshme.
Shqiptarëve në mërgim nuk u mungojnë mjetet për t’u veshur përfaqësuesit e tyre për të drejtat e çdo marrëveshje për të mirën e Kombit. Sepse siç është e ditur Zog I Mbreti i Shqiptarëve s’ka abdikuem. Ai është veshur nga Parlamenti i fundit, i kthyer në Asamble, që të ushtrojë edhe jashtë Shqipërisë në interes të kombit shqiptar të gjitha prerogativat që i ka dhënë statuti kombëtar. Gjë e cila është e njohur dhe në disa shtete ka dhe përfaqësuesit e tij diplomatikë. S’ka as më të voglin dyshim se Mbreti i Shqiptarëve për të mirën e Atdheut ka qenë e do të jetë gati të përdori prerogativat edhe fuqitë që i ka mveshur shtatuti, për të shpëtuar Atdheun e për të liruar kombin. Së bashku me ju miqtë e Shqipërisë”.
Mbas kësaj, Mehdi Frashëri tha: “Siç shohim se asnjë kundërshtim nuk ka atëhere do të ishte mirë që të emërohen elementi i përshtatshëm për komitetin që do të merren për rregullimin e emigracionit dhe pjestimin e tyre në vendet e pranuara nga miqtë arabë. Në këtë mënyrë u caktuan ata që do të mërrnin pjesë. Aty që mungonte ishte Mithat Frashëri dhe Sali Myftia, po ata kishin pranuar”.
Romë 17 shtator 1947
Ja si shkruan adjutanti për këtë ditë. Mori fjalën Hiqmet Delvina, i cili vuri në dukje se “Komiteti i emigracionit zen edhe hë për hë vendin e një komiteti politik, për t’i dhënë gjithë kontributin dhe sakrificat e tyre interesave të larta të Atdheut. Natyrisht, nën udhëzimin e N.M.Tij Mbretit Zog, personat që do të zgjidhen nga partitë duhet të jetë kopetent për detyrën që u besohet përveç Mit’hat Frashërit. Ai është shënuar drejtpërsëdrejti nga dëshira e Mbretit Zog si kryetar i këtij komiteti”.
Mbas bisedimit të Hiqmet Delvinës filluan të japin emrat e caktuara nga grupet e ndryshme, që partitë kishin zgjedhur me votat e tyre:
Komiteti i Emigracionit
1-Mit’hat Frashëri Kryetar i Komitetit
2-Salih Myftija Antar i Komitetit
3-Ernest Koliqi Antar i Komitetit
4-Ali Këlcyra Antar i Komitetit
5-Koço Muka Antar i Komitetit
6-Dr.Qemal Jusufati Antar i Komitetit
7-Dr.Ragip Frashëri Antar i Komitetit
8-Prof.Vasil Andoni Sekretar i Komitetit
Ky ishte komiteti, i zgjedhur prej grupeve të ndryshme. Me përjashtim të Mit’hat Frashërit, që ai ishte caktuar prej dëshirës së Mbretit Zog. Këta qendrën e kishin në Aleksandri të Egjyptit. Dhe, natyrisht do të vizitonin edhe shtetet e tjera si Jordaninë e Syrinë për instalimin e emigratës. Ky Komitet në të vërtetë do të funksiononte ndër ata shtete, që ende njihnin Shqipërinë Mbretnore Shqiptare dhe jo komunizmin. Atje ishte dhe vendi, ku të ishte një Qeveri në emigrim. Në ato shtete, që nuk e njihnin si një qeveri e njihnin si një komitet politik, por me mbrojtë të drejtat e çdo ngjarje të Shqipërisë.
Financimi, hë për hë, rëndon krejtësisht mbi Mbretin Zog nga të hollat e tij. Prandaj, do t’u bënin demarshe për një hua. Dhe, për sa u përket kolonive shqiptare kjo tani nuk realizohet tani për tani, se këto nuk janë në atë entuziazëm si në vitin 1939-40, ka ndryshuar koha, vijon adjutanti.
Ekzistojnë shpresat, se me anën e Shteteve Arabe, mund të gjendet një hua prej afër 2 milion stërlinga. Kjo shumë kalon një kohë dhe atje zhvillohen mjaft punime dhe ka propaganda edhe në shtetet aziatike në dobi të këtij komiteti.
Ky ishte vendimi, që u mor në Romë, sipas mesazhit të Madhnis Tij Mbretit Zog I dhe ku kanë qenë po të gjithë të kënaqur nga kjo veprimtari në interesat e Shqipërisë.
Romë 17 shtator 1947
Kolonel Husein Selmani, me këtë datë në orën 10 paradite, i shoqëruar prej Dr.Qemal Jusufatit dhe Ferid Dervishit shkuan në Ministrinë e Jashtëme Italiane. Atje pati një takim me Kontit Xopin, meqë Sforca nuk ndodhej në Romë. Me kontin bisedoi mbi emigratën shqiptare, pasi qarkullonin disa gjëra e lipte si një garanci prej qeverisë Italiane që mos t’ju bëhet ndonjë padrejtësi. Ideja ishte seemigrantët brenda një kohe të shkurtër do të tërhiqeshin përgjithësisht në Shtetet Arabe.
N/Ministri i Jashtëm Italian Konte Xoppi, me një kënaqësi u përgjigj, kujton adjutanti: “Mos të keni asnjë dyshim se mos u ngjasi ndonjë e keqe, siç flitet se mos t’i dorëzojnë tek komunistët , se ne qysh sot do të vejmë shërbimet tona që në rast se diktohet një gjë e tillë, ne siç e dini nuk mundemi me u kundërshtuar anglo-amerikanëve. Vetëm se ju siguroj, pa pësuar asnjë gjë të ligë, do i hipim me një vapor tonin dhe direkt do ua dërgojmë në Aleksandri dhe për këtë të jeni të qetë”.
Veçanërisht u ngrit në këmbë dhe më shtrëngoi dorën e më tha: “Jemi me turp para N.M.Tij Mbretit Zog se këtë leje që nuk na hiqet fashizmi ja vuri këtë njollë popullit Italian kundrejt popullit mik e bujar shqiptar. Me përulësi i parashtroj homazhet e mija më të larta”. Tek mbaruam këto fjalë dolëm na përcolli deri poshtë.
Si dolëm nga Palacio Kixhi, shkova tek Gjeneral de Antonio, komandanti i P.Xhandarmërisë Italiane. Atë e falenderova së tepërmi se ky më kishte lënë një major në dispozicion gjithkund në vizitat që ju kam bërë kampeve për 10 ditë rresht. Ky na priti shumë mirë, si edhe na tha se keni kaluar shumë mirë me bashkatdhetarët tuaj. “Ne kemi ndjerë një kënaqësi e rritje morali”,- më tha kujton koloneli,-dhe a keni me qëndruar ndonjë ditë këtu”.
“Jo, -i thashë- nesër nisem”.
“Përse kaq shpejt,- më tha dhe m’u lut si mik personal që sonte do të hamë një darkë bashkë”.
Megjithëqë, insistova duke thënë se kisha afër 15 persona shqiptar për darkë ‘e ju lip të falura ai më insistojë saqë u detyrova të ndaloj vajtjen për një ditë dhe i thashë mirë’. Kështu u ndamë.
Kur pas dy orësh bashkë me Gjeneral Galin më vjen në Hotel për të më kthyer vizitën. Por, kur erdhi aty gjeti më tepër se 30 përsona nga parësia e emigracionit. Nejse, e mora e hyra me një sallon të veçantë. Atje e paraqita me Mehdi Frashërin, Kapidan Gjon Markagjonin dhe Dhimitër Beratin, e të tjerë. Ata pasi pinë kafe dhe patëm një bisedim qeshje të vjetëra e dolëm e shkuam.
Tamam, në orën 8 të mbrëmjes, vjen Gjenerali Galicio Gali me gjithë automobilin dhe na mori. Aty isha unë, Dr.Qemali, Ferid Dervishi dhe Omer Fortuzi. Shkuam ku na kishte rezervuar një restorant mbi Vatikan, nuk ja mbaj mend emrin. Aty kemi qëndruar deri në orën 1 pas mesnate dhe mbetëm shumë të kënaqur. Ata na dërguan vetë deri në Hotel, ju kërkova se nesër po nisesha.
“Por, kur do të më jepet rasti me ardhë prapë do të kalojmë një natë të këndshme si kjo natë. Ose, me ju ra rasti ndonjë herë në Aleksandri, tek ne keni shtëpinë tuaj”. Kështu,- thotë adjutanti, u morëm vesh. Me fjalë të mirë, duke më siguruar se për çdo gjë, na keni në dispozicion e të tjera, u ndamë.
Romë 18 shtator 1947
Më datën 18 shtator 1947, kisha mbledhur të gjithë Këshillin, që kishte studjuar e vendosur për rregullimin e emigracionit. Ishin 1-Mehdi Frashëri, 2-Hiqmet Delvina, 3-Dhimitër Berati, 4-Kapidan Gjon Markagjoni, 5-Ismail Verlaci, 6-Ernest Koliqi, 7-Ekrem Vlona, 8-Tahir Kolgjini, 9-Dr.Kemal Jusufati, 10-Ferid Dervishi, 11-Sotir Avrami, 12-Ali Këlcyra, 13-Koço Muka, 14-Ragip Frashëri e të tjerë. Kur ishim në bisedim e sipër dhe këtë mbrëmje si këto edhe sa të tjerë do i kisha për darkë.
Tamam në këtë kohë marr një telegram urgjent nga Aleksandria, ku më lajmërojnë se për disa interesa tepër urgjente menjëhere duhet që të kthehesha në Aleksandri. Dhe, në rast se nuk keni mbaruar punë mund të shkonim prapë. “Por, sot të niseni për këtu, ZOG I”, e lajmëronte Lartmadhëria.
“Ky telegram, vijon adjutanti,- na shqetësoi jo se kishte ndonjë send, që i përkiste emigracionit, por natyrisht janë gjëra të tjera. Me qeshje vazhduam bisedimin, dhe ju thashë se tani drekën do ta hamë së bashku. Dërgova menjëherë Omer Fortuzin për me marrë biletën, që pasi të mbaronim drekën do të nisesha menjëherë. Pastaj, ju përgjigja telegramit se: Sipas urdhërit sot pasdite nisem për Aleksandri. Ku shpresoj që pasnesër të jem në Aleksandri dhe telegramin ja dhashë Fortuzit që t’ja japë menjëherë. Shtova se, të gjitha punët këtu kanë marrë fund më së miri.
Më datën 18 Shtator 1947, në orën 4 pasdite, u nisa bashkë me Ferid Dervishin dhe Omer Fortuzin me automobil për Napoli. Aty menjëherë hyra në vapor ‘Argjentina’, që do të nisej menjëherë se aeroplanët nuk mund të uleshin në Aleksandri. Kështu, si u ndava me Ferdi Dervishin dhe Omer Fortuzin, vaporri u nis në drejtim të Aleksandrisë. Unë akoma isha duke përshëndetur Feridin e Fortuzin në taracën e vaporit kur u ula për të shkuar në kabinën time. Papritmas, aty më vjen komandanti i vaporit dhe më thotë:
“Ju lutem, këtu paskan hyrë fshehtas dy shqiptarë. Ata janë në vapor të fshehur pa biletë dhe pa vizë. Asnjë dokument nuk kanë. Këta kanë deklaruar se na njeh kolonel Husein Beg Selmani dhe shkojmë në Aleksandri me atë. Ne këta i kemi marrë në vërejtje për t’ja dorëzuar xhandarmërisë së Mesinë. I kemi lajmëruar që ata do të vijnë me një motoskaf për t’i marrë”.
Unë u habita se kush do të jenë këto persona. Menjëherë ju thashë: “Të m’i sjellin mua t’i shikoj, se kush janë këta dy shqiptarë. A mos të jenë komunistë o kush”.
Kur m’i sollën, ata ishin Xhelal Beg Bushati nga Shkodra dhe Malosh Kosova. Unë menjëherë i mora për gryke dhe i ula. Kapiteni i vaporit u habit. Pastaj e ula edhe komandantin e vaporrit dhe u thashë se: “Po ju kështu, ku veni?” Ata më thanë se:”Ne nuk kishin më vend, as jetesë në Itali. Prandaj vendosëm që të vijmë në Egjypt, duke përfituar prej zotëris suaj”.
“Po mirë. A keni ndonjë dokument,- i pyeta?”
“Asgjë nuk kemi, as document dhe as biletë,- më thanë”. “Nejse,- ju thashë- sa për biletë nuk është nevoja, se ju paguaj unë vaporin. Kështu ju luta komandantit të vaporrit që mos të mirrej asnjë masë kundër këtyre. Këta janë miq të ngushtë të mij dhe se janë familje shumë të mira në Shqipëri, jam unë garant për ta dhe ju pagova biletat”. I mbajta me vete deri në Aleksandri dhe komandanti shumë burrë i mirë që ishte…
Aleksandri 23 shtator 1947
Më datën 23 shtator 1947, në mëngjes, arrita në Portin e Aleksandrisë. Aty isha i pritur prej Ministrit të Oborrit Mbretnor Sotir Martinit, Chamberlein Kemal Mesaresë, Gaqi Gogës, kapitenëve Zenel Shehit e Halil Sufës, si edhe prej kapiten Shevki Egiptiani, që ishte në shërbim të Pallatit Mbretnor Shqiptar.
Aty pasi u përshëndeta me ta zbritëm nga vaporri. Isha i përcjellë edhe nga komandanti i vaporit. Në këtë kohë mora me vete dhe Xhelal Beg Bushatin dhe Malush Kosovën dhe hipën në automobila e shkuam direkt në Pallat tek Mbreti Zog. Aty, si u paraqita tek Mbreti dhe tek Mbretëresha e Princeshat, pas një bisedimi të shkurtër, i spjegova çështjen e Xhelal Beg Bushatit e Malush Kosovës. Mbreti Zog me një kujdes më tha: “Po djali Suçe Begut”
“Si urdhnon,- i thashë. Oh, sa mirë, keni bë kolonel,- më tha Mbreti. Tani m’i sillni këtu tek unë t’i pyes”.
Menjëherë i mora dhe i paraqita tek Mbreti, shkruan adjutanti. Mbreti Zog, si i dha dorën dhe i uli porositi kafe dhe i pyeti mbi të gjitha. Ai urdhëroi kolonel Selmanin, që t’i rregullojë mirë me një hotel pension dhe ju tha se sa herë të dëshironi të vinin këtu ishin si në shtëpinë e tyre. Nga ana tjetër, veçanërisht urdhëroi kolonelin me i rregullu pasaportat e çdo dokument tjetër. Dhe kur u ngritën me dalë morën leje e i puthën dorën Mbretit. Por, Mbreti i ndaloi dhe i tha kolonelit: që të thërrasë Mbretneshën dhe Princin Leka e të falen me ta. Se është djali i Sulçe Begut.
Menjëherë, erdhën Mbretnesha dhe Princi Trashëgimtar Leka. Aty, ata u habitën kur panë se Princi ishte i rritur shumë e u shpërthyen lotët. I puthën dorën Mbretneshës, por nga mallëngjimi nuk mujtën me fol, dhe kështu morën leje e dolën. Mbreti i dha kolonel Selmanit nga 10 lira egjiptiane t’jua jipte që t’i kishin për shpenzime. I shpërndava nga 10 lira Xhelal Begut dhe 10 Malush Kosovës. Më pas, ai i dërgoi në Hotel “Bourivazhë” për të fjetur dhe për të ngrënë si mysafir i Mbretit Zog. Ata u kënaqën së tepërmi sa që nuk dinin se si të shpreheshin.
Mbasi kolonel Selmani ju rregulloi pasaportat e gjitha dokumentat, këta dëshironin të shkonin në Siri se Shevket Sulejmanin e kishin të tijin e ju kishte premtuar shumë sende. “Ku më thanë, që dëshironin të shkonin sa më parë, bile kolonel Selmani, Malosh Kosovën deshi ta ndalojë si guzhinier në Pallat. Sepse, ai ishte shumë i zoti, për gjellbërës. Se ky ka patur restorantet më të mira në Durrës. Por, nuk mundi të rrinte se i kishte dhënë fjalën me shku në Syri, Damasco”.
Pas 10 ditëve, në Aleksandri, kolonel Selmani sipas urdhërit të Mbretit, ju dha biletat e vaporrit me anën e shoqërisë “Farros” për Beirut. U dha edhe pak të holla, që t’i kishin me vete dhe vetë i dërgoi e i futi në vapor e kështu u nisën për Siri.
“Kanë kaluar shumë mirë atje, do të shkruajë më vonë adjutanti. Kanë treguar gjithë atë bujari e mirëpritje e ndihma që Madhëria e Tij Mbreti Zog I ju bëri. Dhe ju tha që të qëndronin në Aleksandri, si miq të Mbretit, bashkë me oficerët e tjerë. Ata falenderonin kolonel Husein Selmanin për fisnikërinë e burrërinë të pashoqe të tij e të tjera. Kështu, ata dërguan apostafat Shevket Sulejmanin në Aleksandri për të shfaqë bindjen e besnikërinë kundrejt prijësit të madh Mbretit Zog I.
Mbreti Zog grumbullon mbretërit arabë
Si i pritën Siria dhe Egjipti emigrantët shqiptarë
Ardhja në Egjipt e Komisionit të Emigrantëve shqiptarë
Pse nuk shkoi Mit’hat Frashëri në Egjipt
“Mbreti Zog, një natë, i thirri si miq për darkë në shtëpinë e tij në Aleksandri, Mbretin Faruk; Mbretin Abdullaj; Kryetarin e Syrisë Shyqri Kuwatly; Miftinë e Jeruzalemit Hysein Efendinë; Xhemil Madam Benë, Emile Chamunin dhe ju dha të kuptonin mbi ngjarjet, që po zhvillohen në Palestinë në mes Arabëve e Izraelitëve”, tregon adjutanti. Zogu mundohet t’u tërheqë vëmëndjen atyre, për një nga problemet më të mëdha, që do t’i shoqërojë më pas përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar nga marrëdhënia arabo-izraelite. “Ju,- duhet të studjoni mirë, se në ç’mënyrë mundeni të gjeni një pajtim të favorshëm duke këshilluar vëllezërit tuaj arabë, që të rrinë urtë, e mos t’i japin asnjë shkak egërsie, se ju me forcë nuk mundet të bëni asgjë”, i këshillon Zogu i I. Më shumë se çdo gjë mbreti vuan për të ardhmen e mërgatës shqiptare, që duket se nuk do ta ketë të lehtë në vendet arabe. Mbreti mendon për zhvendosjen e mërgatës në drejtim të SHBA, Francës, Anglisë dhe vendeve të tjera