Qysh në moshë të re e kam ditur se jam shqiptaro-daneze (tingëllon si një vakt interesant mëngjesi apo jo?) dhe se gjyshërit e mi shqiptarë emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anije në fillim të viteve ‘20. Po ashtu e kam ditur se pasi që ata ishin vendosur në Boston dhe pasi që kishin hapur një dyqan të vogël në South End, babai im ishte detyruar nga gjyshja ime Villermini Tontonozi – Dushku që kur shkonte në shkollë të vendoste thelpinj hudhre në qafë për të “larguar syrin e keq”.
Në fakt, babai im më ka treguar se si do të kthehej nga shkolla në shtëpi dhe se nëna e tij ende do të vërente syrin e keq në të. Ajo do të vraponte në kuzhinë, do të hidhte oriz mbi supet e tij, do ta sillte dhe do ta largonte mësyshin nga shtëpia. Ne kemi dëgjuar se çdo vit ajo do ta ruante shumë të kuqen e vesë të zier në mënyrë që të ndiente prezencën e Krishtit në shtëpi.
Do të priste vezën në mes dhe do ta kërkonte “atë” në të verdhën e vezës. Nëse nuk do ta gjente ajo do ta hante vezën e cila kishte qëndruar e tillë për një vit. Histori të tilla të çmendura kanë bërë që unë dhe vëllai im të kapemi prapa disa fragmenteve të çuditshme – por pa dyshime edhe interesante – të identitetit tonë shqiptar. Përveç historive që janë përcjellë në familjen time, shumë shpesh na kanë quajtur “shqiptar të çmendur”, që është një realitet i saktë shqiptar, shkruan Koha Ditore.
Kur e pyeta veten “a jam e çmendur?” m’u kujtua roli im i Faith si vrasëse e vampirëve në “Buffy”, por përtej kësaj e ndjeva se më duhet të eksploroj më thellë. Kur mora ftesë ta vizitoja Shqipërinë për herë të parë para 10 vitesh, u bë misioni im që të diskreditoj mitin e “shqiptares së çmendur”.
Si fëmijë kam udhëtuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, sepse nëna ime daneze ishte profesoreshë e shkencave politike. Kam mësuar shumë për politikat komuniste dhe socialiste, prandaj e dija se ka diçka për t’u zbuluar në Shqipëri, e cila ishte një prej shteteve të fundit të izoluara komuniste. Kufijtë janë hapur në vitin 1991 dhe shteti është udhëhequr nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste e vendit. Më parë, rrallëkush lejohej të udhëtonte përtej kufijve të Shqipërisë.
Babai im kishte shkuar atje pasi që kishte marrë lejen legale. Kur u kthye na argëtoi me histori rreth familjes sonë. Me vete kishte marrë adresën e xhaxhait të tij Anesti dhe kishte shkuar në banesën e tij në kryeqytetin e Shqipërisë. Anesti e kishte hapur derën dhe në atë moment të dy ia kishin plasur vajit. Mendoj se kam qenë shumë e vogël të vlerësoja se çka ka bërë babai im.
Duke ecur shpejt përpara në vitin 2003: Isha në filmin “Ërong Turn” dhe më duhej të vishja të njëjtën fanellë gjatë tërë filmit. Në fillim, producentët zgjodhën një të bardhë – por më pas më pyetën nëse do të doja të vendosja një logo që t’i jepja më shumë personalitet personazhit tim. Pa hezituar u sugjerova shqiponjën e zezë dykrenare, e cila zbukuron flamurin e kuq të shtetit. Fatmirësisht ata e pëlqyen. E printuan atë në fanellë dhe shumë shpejt unë do të përfaqësoja shtetin tim për të cilin ende dija relativisht pak. Nuk kaloi shumë kohë kur filmi u lançua ndërkombëtarisht dhe shqiptarët nisën të shpërthejnë. Nisa të dëgjoj se isha një prej pak personaliteteve publike që me krenari do t’i thoshte botës se është shqiptare.
Pjesa në vazhdim ende më huton: Kam dëgjuar se shqiptarët më të njohur në botë janë Nëna Terezë, vëllezërit Belushi – dhe unë. Pas një viti, më ftuan që të vizitoj Shqipërinë për herë të parë për të prezantuar këngën fituese për “Eurovision Song Contest”. Ftesa më erdhi bashkë me një letër nga ish- kryeministri i cili më ftoi për darkë. Po, Shqipëria ka madhësinë e Matyland, por ishte sikur kolegia ime Gabrielle Union u ftua për darkë te Obama – një nder që pak prej nesh do ta përjetojmë. Unë i thash “po” ftesës dhe paketova valixhet për në shtetin amë.
Shumica e njerëzve nuk e dinë as ku është Shqipëria, që natyrisht çon tek ndaj së panjohurës. Por ja ku isha duke vizituar dy vende arkeologjike të mbrojtura nga UNESCO-ja dhe kalova nëpër malet e paprekura më piktoreske të rajonit dhe pashë vijat bregdetare të kaltra e të ndritshme që nuk kisha parë më herët.
Gjëja më e mrekullueshme rreth Shqipërisë nuk janë vetëm bukuritë e jashtëzakonshme dhe mundësitë për të kaluar një pushim që do të dëshiroje (me ushqim deti të mrekullueshëm, histori, kulturë) por po ashtu është e rrethuar me njerëz që janë më të mirët, më mikpritësit që kam takuar ndonjëherë. Shqipëria ishte një prej pak shteteve në Evropë ku popullata fshehu familjet hebraike në shtëpi dhe i trajtuan si të ishin pjesë e tyre në mënyrë që ata t’u shpëtojnë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kodi i nderit dhe i mikpritjes shqiptare – i njohur si besa – është premtim i kujdesit dhe i mbrojtjes në kulturën tonë. Kjo më ka bërë të kuptoj shumë, sepse gjithmonë kam qenë person shumë mbrojtës dhe besnik.
Ky shtet, këta njerëz dhe triumfet e tragjeditë e së kaluarës, e tashmja dhe e ardhmja duhej të dokumentoheshin dhe të shpërndaheshin. Fara për dokumentarin tonë “Dear Albania” u mboll dhe u rrit. Për katër vitet e ardhshme me ndihmën e shumë shqiptarëve po ashtu edhe të tjerëve, unë dhe vëllai im kemi punuar në realizimin e dokumentarit tonë të dashur. Është ilustrim i udhëtimit tonë në gjetjen e vetes sonë, rrënjëve tona dhe historisë së të parëve tanë në Shqipëri dhe kufijve afër saj. Filmi ynë është një testament i vërtetë për vendin magjik të gjyshërve tanë, trashëgimisë tonë në Shqipëri dhe motrave e vëllezërve shqiptarë në tërë globin. Ne shpresojmë se secili person që e shikon dokumentarin e vlerëson këtë dhe i nxitet kureshtja për origjinë e vet. Gjatë realizimit të dokumentarit, mua m’u dha nënshtetësia e dyfishtë dhe pasaporta shqiptare. Sot dhe për tërë kohën, unë, Eliza Dushku, jam zyrtarisht qytetare shqiptaro-amerikane dhe kam ndër mend të vazhdoj të nderoj rolet e mia duke qenë aktiviste në shërbim global. Kjo është pjesë e historisë sime në rrugëtimin e zbulimit të Shqipërisë dhe të vetvetes.
…
Para tre vjetësh revista “Glamour” bëri një profil për aktoren e filmit të njohur “Bring It On” dhe ka zbuluar se Eliza Dushku kishte punuar shumë në një dokumentar për historinë e familjes së saj në Shqipëri. Gjatë dokumentarit njëorësh, Dushku dhe vëllai i saj Nate, aktori dhe producenti shqiptar Blerim Destani dhe fotografi Fadil Berisha udhëtuan në 15 qytete për të zbuluar më shumë për shtetin që njihet pak. Tani, disa vite pas kërkimeve, projekti pasionant i Dushkut, “Dear Albania” po debuton dhe aktorja ka dhënë detaje për udhëtimin e saj. Kjo është historia e saj.