Nga ARTUR AJAZI
Elbasani mbetet historikisht kryeqyteti i Ditës së Verës. E ku më mirë se në Elbasan, mund të shijosh ballakumen e famshme, ajrin e paster, parqet, lulet, lojrat për fëmijë, gatimet tradicionale, bujarinë e qytetareve, dhe mikëpritjen e drejtuesve të pushtetit vendor, në 13 dhe 14 Mars. Vetëm 2 ditë përpara festës më të dashur të qytetit, Elbasani po jeton tashmë atmosferën e “Ditës së Verës 2026”. Qendra e qytetit është mbushur me ngjyra pranverore, dekorime festive dhe simbolika tradicionale që e bëjnë këtë periudhë të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.Përgjatë qendrës së qytetit janë vendosur “shtepizat” karakteristike prej druri, të cilat janë kthyer në një nga elementët më të dashur të kësaj feste. Në to prezantohen punimet e artizanëve të qytetit të Elbasanit dhe njësive të tij administrative, duke krijuar një atmosferë autentike panairi në zemër të qytetit.
Në këtë atmosferë festive, bie në sy edhe ndërthurja e traditës së hershme me elementët modernë, që e bëjnë festën e Ditës së Verës në Elbasan një përjetim unik. Punimet artizanale, suveniret tradicionale, dekorimet pranverore dhe hapësirat e krijuara për qytetarët dhe vizitorët sjellin një harmoni mes së lashtës dhe modernes që karakterizon identitetin e qytetit.Krahas tyre janë krijuar edhe hapësira relaksi dhe kënde kreative për fëmijët, duke e kthyer qendrën e Elbasanit në një vendtakim plot gjallëri për familjet dhe vizitorët.
Sigurisht, kulinaria mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj feste. Ballokumja, simboli i Ditës së Verës, po përgatitet në çdo pastiçeri dhe familje elbasanase, ndërsa aroma e saj tashmë është bërë pjesë e pandashme e atmosferës së festës. Bashkë me të, vizitorët mund të shijojnë edhe gatime të tjera tradicionale që e bëjnë përvojën në qytet edhe më autentike.Interesi për festën ndihet që një javë më parë, me turistë dhe vizitorë që kanë nisur të mbërrijnë në Elbasan për të përjetuar nga afër këtë traditë unike.
Çdo detaj i dekorit dhe i kësaj atmosfere festive është realizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, me synimin që qyteti të mirëpresë në mënyrën më të bukur mijëra vizitorë që pritet të jenë pjesë e festimeve. Festimet kulmojnë mbrëmjen e 13 marsit, ndërsa më 14 mars qyteti do të vijojë me koncerte, aktivitete kulturore dhe shumë surpriza për qytetarët dhe vizitorët.Me traditën, artizanatin, kulinarinë dhe atmosferën unike që e karakterizon, Elbasani është gati të mirëpresë edhe një herë mijëra vizitorë për të festuar Ditën e Verës, festën që mbart historinë dhe identitetin e këtij qyteti. Në 13 dhe 14 Mars, vijnë në Elbasan mbi 300 mijë shqipetarë nga vendi dhe diaspora. Për 2 ditë Elbasani bëhet “kryeqyteti i Ditës së Verës”. Gjithë stafi i Bashkisë- tha kryetari Gledian Llatja- janë në frontet e tyre të punës, duke nisur nga mirëmbajtësit e parqeve dhe lulishteve, duke vazhduar me kujdestarët dhe mirëmbajtësit e vlerave tona arkeoligjike, muzeale dhe historike, e duke vazhduar me pastertinë e qytetit, sistemimin e aseteve tona historike, dhe kujdesi ndaj çdo vizitori”. Elbasani mbetet (pavarsisht huazimeve) historikisht qyteti, ku gëzohet, festohet, dhe shijohet Dita e Verës.











