Takimi i parë i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike – struktura e parë e këtij lloji në Shqipëri, e ngritur me ndihmën e Prezencës së OSBE-së – u zhvillua sot në bashkinë e Elbasanit.
Synimi kryesor i Këshillit është të vërë në lëvizje të gjithë aktorët vendorë për të trajtuar së bashku çështjet që lidhen me kriminalitetin, dhunën në familje dhe ekstremizmin e dhunshëm. Po ashtu, ky grupim këshillimor, që kryesohet nga kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, do të shërbejë për të identifikuar sfidat e komunitetit vendor sa i takon sigurisë personale.
“Vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes gjithë aktorëve vendorë, përfshirë shoqërinë civile, policinë, shërbimet sociale dhe komunitetet fetare, shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve”, tha Sejdini.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po punon për të ngritur Këshilla Vendorë të Sigurisë Publike në shumë bashki të tjera të vendit, gjatë muajve në vijim. Qyteti i Korçës pritet të krijojë Këshillin e tij në dhjetor 2016./a.m.