Seksioni për Krimin Ekonomiko Financiar në Drejtorinë Vendore Elbasan ka arrestuar Ervin Çerekja, banues në Lagjen “Shënkoll” të Elbasanit.
Çerekja akuzohet për veprën penale “Kontrabandë dhe mallra të tjerë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë” si dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga hetimi rezulton se 38-vjeçari kishte në servisin e tij 25 automjete luksoze të cilat ishin hapur për pjesë këmbimi, ndërsa rezultoi se për asnjërën prej tyre ai nuk kishte kryer procedurat e zhdoganimit duke iu shmangur detyrimeve tatimore. Këto automjete ishin sjellë kryesisht në rrugë të dyshimta nga Anglia.
Materialet në ngarkim të 38-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme hetimore.