Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar 5 kaseta filmike pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e së dielës në qendër të qytetit të Durrësit, ku mbetën të vrarë 33vjeçari Ervin Kodra dhe kushëriri i tij nga Vlora, Endri Çaushaj. Të gjitha filmimet e sekuestruara nga subjekte të ndryshme, ku pretendohet se janë filmuar viktimat para atentatit dhe pas tij, por edhe autorët e dyshuar, para dhe pas krimit në arratisje, janë duke u verifikuar nga policia shkencore në laboratorin qendror në Tiranë.
“Pamjet e sekuestruara në disa pika të rrugës “Egnatia”, do të shikohen, verifikohen, pastrohen, do të studiohen mirë. Policia shkencore ka edhe mjetet e duhura për ta bërë këtë”, tha zëvendësprokurori i rrethit të Durrësit, Sokol Nishani. Ndërkohë, ka arritur në 50 numri i personave të shoqëruar në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur te Torra.
Sipas policisë lokale, pistat kryesore të hetimit janë larje hesapesh midis bandash, pazar i prishur droge, por nuk përjashtohet mundësia që dy të rinjtë të jenë vrarë edhe për motive banale. Për prokurorinë e Durrësit, nuk përjashtohet mundësia që ekzekutorët të jenë vrasës me pagesë, nisur nga precizioni i krimit. Nga ana tjetër, mësohet se 25vjeçari Endri Çaushaj vazhdonte masterin në kryeqytet dhe këtë të diel ai do të kryente ceremoninë e fejesës në Vlorë.
Balkanweb