Tre javë pas kërkesës, autoritetet italiane ende s’kanë kthyer përgjigje lidhur me letërporosinë për dosjen ‘Babale’.
Report Tv raporton se nga komunikimet e prokurorisë me palën italiane është konfirmuar se përgjigja do të vonojë për disa kohë për shkak të mungesës në kompetencave.
Nuk dihet ende nëse ekspertimin duhet ta bëjë ministria italiane e Drejtësisë apo Ministria e Brendshme. Pala shqiptare ndërkohë ka përfunduar veprimet paraprake të hetimit, si pyetjet e dëshmitarëve, administrimin e provave dhe kontrollet e tjera.
Deri kur pala italiane të kthejë përgjigje, prokuroria nuk bën dot asnjë veprim.
Caktimi i kompetencave do t’i hapte rrugë hetimeve. Ka patur raste të tjera për ndihmë juridike, dhe Shqipëria ka një histori pozitive bashkëpunimi me Italinë. Për përgjigjen e ekspertimit duhet të presim të paktën muajin korrik.
Albert Veliu, i njohur ndryshe si dëshmitari X në dosjen Babalja, ndodhet në Kosovë, ku ndodhet i arrestuar për kalim të paligjshëm të kufirit. Veliu u arrestua në fund të muajit maj në Kosovë bashkë me djalin e tij. Në dëshminë e tij para autoriteteve kosovare, Veliu ka thënë se nëse do kthehej në Shqipëri, kishte frikë se do vritej, prandaj sipas tij azili në Kosovë ishte rruga që kishte ndjekur.
Audio-përgjimi ku personazh kryesor ishte Albert Veliu, prodhoi një debat të gjerë politik. Veliu akuzoi vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, si pjesë e trafikut të drogës.
Në audiopërgjimin Babalja, Albert Veliu pretendon ka komunikuar me vëllain e ministrit. Ministri Xhafaj dhe i vëllai kanë mohuar që zëri në audio të jetë i vërtetë, dhe se është e gjitha është një histori e sajuar.
Sipas Veliut, ai vendosi t’i bënte një provokim Agron Xhafës për shkak të inateve që kishte patur me të. Opozita kërkoi dorëheqjen e Xhafës, ndërkohë që prokuroria shqiptare ka hapur hetimet për dëshmi të rreme.