Pas njoftimit zyrtar se moratoriumi mbi gjuetinë e kafshëve dhe shpendëve në pyjet shqiptare do të zgjasë deri në mars 2016, disa ekspertë kërkojnë shtyrjen e tij edhe të paktën për një afat 2-vjeçar.
Drejtori i Administratës të Zonave të Mbrojtura, Qarku Elbasan, Fatmir Brazhda, në një postim në rrjetin social “Facebook” shprehet se “gjuetia në Shqipëri duhet ndaluar edhe dy vjet të tjera për shkak se fauna sapo ka filluar të shtohet dhe është në fillimet e saj”.
“Edhe pse moratoriumi dy vjeçar ishte mjaft i dobishëm për ringjalljen e kafshëve dhe të shpendëve përsëri prania e tyre është shumë e pakët në numër. Gjuetia shfarosëse duhet ndaluar përfundimisht. Gjuetia sportive duhet ushtruar në zona të veçanta dhe të kontrolluara pas dy vjetëve të tjera”, përfundon Brazhda.
Nga të dhënat që japin Drejtoritë e AKZM-ve në qarqe, për pyjet dhe në veçanti për zonat e mbrojtura, ka një rritje të kafshëve dhe shpendëve që janë
kthyer në abitatet e tyre të shumimit dhe të jetesës. Nëse gjuetia e paralajmëruar për në mars të 2016-tës nuk do të bëhet e kontrolluar dhe jo për qëllime fitimi, këto kafshë dhe shpendë do të largohen përsëri nga pyjet tona dhe këtë herë ndoshta përgjithmonë.









