Në ditën e dytë dhe të fundit në Tiranë, raportuesit e Komisionit të Venecias i janë rikthyer takimit me ekspertët e nivelit të lartë që kanë hartuar draftin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.
Takimi disa orësh me ekspertët është i dyti, pas atij të një dite më parë dhe bëhet pasi të dërguarit e Venecias kanë konsumuar takimet me opozitën dhe LSI-në.
Gent Ibrahimi, një nga anëtarët e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, pohoi pas takimit me të dërguarit e Venecias se drafti për aspektet teknike është legjitimuar nga ana e tyre, por nuk ka nxituar ta quajë këtë mbështetje, kur tha se për këtë duhet të presim deklarimet e raportuesve për mediat.
Por ajo që Ibrahimi pohoi është vështirësia e reflektuar nga ana e raportuesve të Venecias për çështjet që i quajti qëndrime politike të palëve. Në këtë të fundit ai përfshiu çështjen që prishi konsensusin e palëve, atë se me çfarë shumice votohen anëtarët e gjyqësorit, që vijne nga Parlamenti, ku opozita këmbëngul të jenë me 93 vota, ndërsa mazhoranca mbron emërimin me 84 vota.
Për këtë dhe të tjera detaje në draftin e ndryshimeve kushtetuese që palët në forma kushtëzuese nuk bien dakort, Gent Ibrahimi përdori një gjuhë popullore për të përshkruar qëndrimin e raportuesve të Venecias.
“Për çështje teknike draftin që kemi ne legjitimohet. Por çështjet kanë edhe nuanca politike. Nuk mund t’i mohosh dimensionet politike kësaj reforme dhe këtu edhe raportuesit e Venecias janë në hall”, tha Ibrahimi.
Pas takimit me ekspertët, të dërguarit e Venecias kanë drekuar me kreun e LSI-së Meta, ndërsa kanë vijuar takimet me kreun e Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj.
Nëse janë lexuar drejtë rekomandimet e opinionit paraprak të Venecias në draftin përfundimtar, përgjigjia do të jepet prej raportuesve në konferencën e paralajmëruar për në orën 19.00. (TCH)