Nga Fatmir Merkoçi*
Grupi i ekspertëve të Reformës në Drejtësi, së fundi u shfaqën , nga media dhe nga vetë politika. Ata u quajtën “ ekspertët e nivelit të lartë”. Pyetja, që lind, është pak më e thjeshtë. Kush e përcakton nivelin e këtyre ekspertëve? Kush është masa e nivelit për t’u quajtur të nivelit të lartë, të mesëm apo të ulët? Përgjigje që do shtjellojmë pak më poshtë. Ajo që bie në sy është fakti se kjo reformë, me gjithë angazhimin e B.E.-së dhe ambasadorit Lu, OSBE-së, EURALUS-it etj., tregon se ka konflikte të hapura mes ligjit dhe vetë ekspertëve.
Dështim profesional?
Në këto tre vjetët e fundit, falë medias së shkruar, kam bërë publike se kjo reformë është e dështuar. Dështimin e saj nuk e kam parë me syrin e një skepticizmi, por me syrin se si filloi kjo reformë nga ana ligjore. E kam deklaruar dhe në tryezat apo takimet që janë bërë në këtë reformë se, kush është baza ligjore për të filluar këtë reformë. Fatkeqësisht, askush nuk e ka dhënë këtë përgjigje, duke filluar që nga ekspertët e nivelit të lartë apo nga Komisioni i posaçëm i kryesuar nga z. Fatmir Xhafa.
Grupi i ekspertëve është një grup i vetë emëruar nga politika. Në takime të ndryshme deklarohej se këta ekspertë janë nga më të mirët. Nëse do ishin të tillë fundi i tyre nuk do ishte i tillë. Dukshëm këta ekspertë i kanë hequr të drejtën vetes për të qenë i tillë. Gjatë kësaj periudhe ky grup thuhej se po punonte në mënyrë të pavarur për këtë reformë. Sot çuditshëm del qartazi se ky grup ekspertësh, jo vetëm se nuk kanë treguar profesionalizëm, por janë kthyer thjeshtë në lexues të ligjeve që vinë nga segmente e kala të ndryshme.
Nëse do ishin profesionist të mirëfilli, pikë së pari do kërkonin të ligjëroheshin në këtë strukturë dhe më pas të fillonin punën për të bërë këtë reformë. Ngritja e një strukture të paligjshme, detyrimisht sjell si pasojë dhe paligjshmërinë e vetë punës së bërë nga vetë ky grup ekspertësh.
Nëse do ishin profesionist të mirëfillët, domosdoshmërisht ata nuk do pranonin urdhra partie. Z. Fatmir Xhafa me postin e Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, ka deklaruar mëse një herë publikisht se ky grup ekspertësh është i pavarur nga politika. Ky komision nuk ka paraqitur asnjë nen apo ligj të firmosur si autorë të këtyre ndryshimeve. Kjo tregon se çdo gjë ka qenë e importuar ose nga partitë që ju përkasin ose nga SOROS. Kjo gjë solli si pasojë dhe një situatë që sot me plot gojën mundet të deklarohet si një Reformë e dështuar.
Profesionalizmi nuk mundet ta “burgosi” një teknicien të mirëfilltë. Në radhë të parë, këta teknicienë duhej që medoemos të kërkonin të kryenin një reformë brenda kornizës kushtetuese. Pra duhet të ndanin saktësisht: Do kryenin reformë në drejtësi apo ndryshime në sistem.
Sistemi
Sistemi sot, ka rënë. Rënia e tij nuk mundet të mohohet. Kjo për faktin se me të gjitha mënyrat apo format e treguara, del qartazi se, përderisa ndërhyrjet në Kushtetutë janë të domosdoshme, nuk ka dyshim se sistemi nuk është më funksional. Nëse ekspertët do ta kishin ngritur këtë problem, do kishin treguar jo vetëm paanshmëri por dhe integritetin e tyre në profesion. Nëse e marrim të mirëqenë dhe ndërhyrjen në Kushtetutë. A është më forma e regjimit ajo çka populli ka vendosur? Nëse shohim ndryshimet që janë rekomanduar, del qartë se kushtetuta e humbet thelbin e saj. Pra ekspertët me dashjen e tyre po ndërtojnë një formë regjimi të pa parë në asnjë kushtetutë homologe evropiane. Mendoj se dikush ka synime më të largëta se sa kjo reformë.
Ashtu siç e kam deklaruar dhe më parë në shtyp, kjo reformë do ta çojë vendin në një katrahurë. Drejtësia do shkojë drejt decentralizimit të pushtetit. Gjithkush që do vij në drejtim pas kësaj reforme, i ka të gjitha premisat për ta shpallur veten diktator. Ndoshta shumëkujt mundet ti duket paradoksale, por kjo është e vërtetë. E vërtetë pasi dhe pse është deklaruar në shtyp, askush nga ekspertët nuk e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Oponenca
Grupi i ekspertëve nuk ka oponencë në punën e tij. Kjo për vetë faktin se këta janë deklaruar si ekspert të nivelit të lartë. Pra mbi nivelin e lartë duket se nuk ka më se kush do bëjë oponencën.
Kjo gjë vërtetohet dhe më faktin se në asnjë rast nuk është bërë debat profesional. Nuk ka asnjë përplasje profesionale mes ekspertëve dhe mendimit ndryshe. Ky është dhe një fakt tjetër ku tregohet se ekspertët vetëm sa mbledhin materialet e sjella. Nëse do kishte pak profesionalizëm nga ekspertët, vetë konstitucionalistja Aurela Anastasi si pedagoge e Kushtetutës, do jepte shpjegimet se përse duheshin këto ndryshime. Kush ka të drejtë t’i bëjë ndryshimet kushtetuese etj., një veprim i tillë nuk është bërë. Kjo tregon se oponenca mungon totalisht karshi këtyre ekspertëve dhe punës së tyre.
Kam bindje se ekspertët do të “mbrohen “ me faktin se është marrë mendimi i Komisionit të Venecias. Nëse është kjo përgjigja, atëherë pyes thjeshtë: Po ju z./znj. të komisionit, kaq të paaftë jeni sa të mos bëni një ligj vetë. Të gjithë keni tituj e grada shkencore. Këto grada e titujt, kujt i shërbejnë për sa kohë gjërat vijnë gati qoftë nga SOROS apo Komisioni i Venecias? Mos vallë ju jeni thjeshtë prezantues të punës së të tjerëve? Kjo do ishte sa fyese aq dhe e pa denjë për një grup profesionistësh që vetë quhen apo quhen ekspert të nivelit të lartë
Ekspertët dhe politika
Politika trumbetoi me të madhe se do bëjë një Reformë të thellë në drejtësi. Kjo të le përshtypjen se shtetarët tanë donin që të ngrinin një shtet të së drejtës. Një shtet që të funksionoi sipas ligjit. Pra ligji të jetë dominues. Ata e quajtën reformën si një domosdoshmëri, e cila do t’i jepte drejtësisë vendin e saj sipas kushtetutës. Pra do jetë një pushtet më vete. Gjithkush mendoi fillimisht se erdhi koha që drejtësia kaq e përfolur, kryesisht për korrupsion e lidhje me politikën do merrte pozicionin e duhur.
Për të arritur synimin e sajë, politika zgjodhi dhe njerëzit të cilët duhet të bënin këtë reformë. Jo çdokush do ishte dakord për të bërë këtë veprim. Kjo pasi jo gjithkush mundet ti bindet politikës e interesave të sajë, qorrazi duke shkelur dhe mbi dinjitetin profesional. Kështu që në lojë u futën aktorët të cilët nuk kërkonin reformë as ndryshim. Ata kërkonin që drejtësia të mbetej nën tuten e tyre.
Për të arritur qëllimet e tyre duhej me doemos të caktoheshin dhe njerëzit që do e kryenin këtë gjë. Zakonisht njerëzit që janë më të, janë ata që janë mësuar ti vardisen politikës. Duke qenë të qartë se duhej bërë, ekspertët pranuan dhe emërimet nga partitë politike. Dakortësia e partive për vetë ekspertët, tregoi se diçka nuk shkonte. Por të gjithë ishin bashkë në nisjen e kësaj reforme. Për ta quajtur si një veprim të drejtë. Politika nxori argumentin se kjo reformë duhej bërë se e kërkon Evropa. Se është kusht për të hyrë në BE e përralla të tjera.
Këta ekspert nuk u dukën në asnjë moment në publik. Ajo që të bie në sy është fakti se këta kanë qenë drejtues të institucioneve të drejtësisë. Ashtu siç jam shprehur dhe më parë, përsëri them se kush i pengoi këta të bënin reformë në institucionet kur e drejtonin vetë atë? Kuptohet se askush nga ata nuk e pranon se korrupsioni apo kapja e drejtësisë ka nisur që në kohën kur vetë ata kanë drejtuar. Kjo vlen për të gjithë sistemin. Korrupsioni apo kapja e drejtësisë nuk u bë në një ditë. Ajo erdhi si pasoj e lidhjeve, pagesave që bënë si për emërime ashtu dhe për transferimet e tyre. Kur një punë fillon me ryshfet, detyrimisht do vazhdojë po me ryshfet. Kur emërimet i bëjnë mbi baza bindjesh partiake, detyrimisht dhe drejtësia do jetë e kapur nga politika.
E gjitha kjo ndodh pasi ne nuk arritëm të ndërtojmë një sistem vlerash. Çka do të thotë se si në gjyqësorë ashtu dhe në prokurori, nuk kemi hierarki profesionale. Lëvizja e prokurorëve apo gjyqtarëve nuk bëhet sipas vlerës por sipas krahut politika apo dhe ryshfetit. Kjo është një hallkë që duhet shkëputur. Kjo reformë e cila drejtohet nga politika nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë. Nëse them se drejtësia është e kapur nga politika, kjo vjen si pasojë e realitetit. Ekspertët të cilët u quajtën të pa-varur, sëfundi u ndanë në ekspert sipas bindjeve dhe caktimeve që i kish bërë partia
Ajo që duket se është më e keqja e kësaj reforme, është dhe fakti se grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, duket se nuk punuan në mënyrë të pavarur. Në momentin e dorëzimit të punës së tyre, filluan dhe kundërshtitë, tashmë në qarkullim kemi mjaft vërejtje apo propozime si nga Ministria, partitë e opozitës apo dhe zëra të cilët nuk kanë mundësi të shfaqen në publik. Kjo tregon se ekspertët e nivelit të lartë, nuk punuan me profesionalizëm. Ata gjatë gjithë kohës kanë qenë nën urdhrat e partive. Me të drejtë mundet të thuhet se kjo reforme e dështuar, është reformë politike e jo reformë që do sjelli ndryshimin e shumëpritur nga populli që padrejtësinë po e vuan mbi kurrizin e tij.
*Avokat